“Shigjeta” Nikajt, Shkulaku: Mema i duhuri për Pogradecin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2024 | 17:42

“Shigjeta” Nikajt, Shkulaku: Mema i duhuri për Pogradecin

Hermes Shkulaku një nga “veteranët” e Pogradecit, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” flet për situatën te liqenorët. Pas eliminimit në Kupë, liqenorët i kthehen kampionatit, ju të hënën presin Lushnjën. Shkulaku e luan këtë takim si një “ish” dhe pohon se synimi është që trajneri Ardian Mema të debutojë me fitore. Shkulaku indirekt ka shigjetuar ish-trajnerin Samuel Nikaj për ecurinë aktuale.

shkulaku

Pas eliminimit nga Kupa, Pogradeci pret Lushnjën në kampionat… Kishim objektiv që të shkonim sa më larg në Kupë, por tani jemi të fokusuar te ndeshja me Lushnjën. Ekipi është i motivuar për fitore. I vetmi opsion për ne, pasi çdo rezultati tjetër na ndërlikon shumë.

Ju jeni një nga “veteranët” e ekipit! Mendoni se pas një mungese dyvjeçare, ekipi po stabilizohet në Kategorinë e Parë? Pogradeci ka qenë gjithnjë një nga ekipet më të mira të së Parës. Dhuronin lojëra të bukur dhe tifozët e shumtë kënaqeshin. Kohët e fundit gjithë kjo adrenalinë e këtij futbolli të bukur u zhduk, pasi u preferua lojë tjetër. Për mendimin tim është e dalë mode dhe pa rezultat. Siç u panë dhe këto javë të para të kampionatit.

Çfarë pretendimesh ka patur? Në fillim të sezonit pretendimet e presidentit ishin për të qenë një nga pretendentët seriozë për elitën. Ka qenë gjithnjë në shërbim të ekipit dhe i ka plotësuar nevojat e tij, si ekip i Superiores. U shuan dhe u keqpërdorën, pasi ekipi që u ndërtua këtu në Pogradec është shumë larg me kushtet financiare që siguroi presidenti. Kjo u pasqyrua në fushë dhe në rezultate në javët e para. Tifozët, pothuajse kanë ikur të zhgënjyer nga shkallët e stadiumit.

Në pankinë është ulur Ardian Mema, si duket ekipi me ardhjen e tij? Fjalët janë të tepërta për profesor Memën. Gjëja më e mirë që më kënaq mua si futbollist është se pëlqen futbollin e bukur dhe kreativ. Edhe pse është fillimi, është ndjerë dora e profesor Memës. Çdo gjë e kërkon nëpërmjet pasimeve dhe aksioneve, që rrjedhin nga poshtë. Jo siç ka qenë më parë që kishte humbur identiteti i ekipit pogradecar. Më bëhet qejfi që tifozët do të shijojnë futbollin që aplikon profesor Mema, pasi këtë futboll të bukur ka luajtur gjithmonë Pogradeci.

Duhet dhe pak kohë që ekipi përshtatet me stilin e Memës… Sigurisht që duhet pak kohë, që ekipi t’i përshtatet ideve të trajnerit Mema. Grupi që jemi në Pogradec dhe cilësia e lojtarëve është ndërtuar për të luajtur futboll krejt ndryshe nga ai që preferon profesori. Besoj se presidenti ka bërë zgjedhjen më të mirë, në emërimin e një trajneri si Ardian Mema.

Keni luajtur me Lushnjën në Superiore. Keni ndonjë emocion të veçantë duelin e së hënës? Padyshim, edhe pse kam kaluar pak kohë në Lushnjë, një periudhë 6-mujore. Tifozët dhe ekipi lushnjar, gjithmonë do të kenë një vend në zemrën time. Gjithmonë do të jem mirënjohës karshi të gjithëve aty në Lushnjë për ambientin e ngrohtë që gjeta. Uroj suksese në ndeshjet e tjera të Lushnjës. Pse jo, në një të ardhme të garojë në elitën e futbollit shqiptar. Ka shumë tifozë, që e duan shumë futbollin.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"