Shkëlqeu me dy gola ndaj Besës, Fernando: Ma prishi festën … trajneri
Tomori nuk shkoi më larg se barazimi përballë Besës dhe në të njëjtën kohë mbeti pa trajner. Klodian Arbëri dha dorëheqjen e parevokueshme dhe vetëm sot pritet ndonjë zhvillim për pasardhësin. Skuadra dje e pati pushim, ndaj drejtuesit i kanë dhënë një ditë kohë vetes.
Përtej rezultatit dëshpërues në shtëpi, ngushëllim i vetëm për beratasit ishte loja mbresëlënëse e qendërmbrojtësit Luis Fernando. Ai është kthyer në një faktor të rëndësishëm pas këtij takimi, në të cilin realizoi dopietë (në total ka shënuar tre gola, duke u bërë kështu edhe shënuesi më i mirë në këto 8 javë).
Ai i ka dhënë një leksion të hapur edhe repartit të sulmit. Pas përfundimit të ndeshjes, 28-vjeçari tregon për “Panorama Sport” emocionet që ka përjetuar si shënues, por edhe për përshëndetjen e ngrohtë që i dhuruan tifozët beratas, të cilët për minuta të tëra kanë thirrur në kor emrin e tij. Ashtu sikur nuk e fsheh keqardhjen për largimin nga skuadra të teknikut Klodian Arbëri.
“Jam shumë i keqardhur për gjithçka ka ndodhur me mua dhe skuadrën. Isha në ditën time më të mirë te Tomori dhe kam shënuar dy gola, njëri më i bukur se tjetri. Tifozët më kanë respektuar shumë pas ndeshjes dhe kjo më ka emocionuar shumë, madje dhe u përlota.
Ishte një ndjesi e bukur dhe e veçantë. Por, festa ime në ditën më të bukur, u prish nga keqardhja e madhe dhe e dyfishtë, jo vetëm për rezultatin e barabartë, por edhe për largimin e teknikut Klodian Arbëri, me të cilin kam punuar dhe kam pasur si dhe gjithë skuadra një mbështetje maksimale.
Krahas raporteve profesionale, ai ishte kthyer në një mik të mirë tonin. Ai tregonte respekt për ne në fushë dhe kujdes jashtë saj për të gjithë futbollistët qofshin shqiptarë apo të huaj”, ka përfunduar qendërmbrojtësi.
EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"