Shkëlqeu ndaj Elbasanit, talenti Dodaj: E prisja një gol, shpresoj të luaj me Shpresat
Nëse Vllaznia ishte e pafat përballë Elbasanit, me katër shtylla të goditura gjatë lojës, Kevin Dodaj është më i keqardhuri në kampin shkodran. Ai ishte protagonist, sepse goditi shtyllën që në fillim të ndeshjes dhe pastaj edhe tranversën sapo nisi pjesa e dytë.
Edhe pse vetëm 19 vjeç, sulmuesi tregoi personalitet në fushë dhe ishte lojtari më i rrezikshëm në këtë 90-minutësh, që në fund nuk prodhoi fitues.
Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” pas ndeshjes, Dodaj pohon se fati nuk ishte me Vllazninë dhe me të në këtë ndeshje. Ai shpreson që fati i mirë ta ndjekë skuadrën dhe atë personalisht në përballjen e radhës me Laçin. Ai ka besim se do të bëjë mirë edhe me Shpresat, nëse do të ketë minuta në dispozicion.
Dodaj, jeni të kënaqur me këtë barazim kundër Elbasanit, apo prisnit më shumë?
Prisnim të merrnim më shumë, sepse goditëm edhe katër herë shtyllën. Fati nuk ishte me ne që të shënonim, por i tillë futbolli dhe nuk kemi se çfarë t’i bëjmë.
Nga katër shtyllat, dy i bëtë ju. Sa keq ju vjen, e prisnit një gol?
Normalisht që ndjej keqardhje. E prisja një gol, sepse ishte një ndeshje që donim ta fitonim, por keqardhja shtohet edhe duke parë lojën që bëmë në fushë. Por, siç e thashë edhe më lart, nuk e patëm fatin me vete për të marrë maksimumin në Elbasan.
Ndoshta fati ju shpërblen që në ndeshjen e radhës me Laçin?
Unë në çdo ndeshje hyj për të shënuar dhe për të fituar ekipi. Shpresojmë që ndaj Laçit të ndodhin të dyja.
Me këtë barazim humbët edhe vendin e parë…
Është ende herët për të folur për klasifikimin. Ne luftuam deri në fund të ndeshjes dhe dolëm me një pikë. Por do të bëjmë maksimumin në ndeshjen e radhës që të dalim me tri pikë.
Jeni grumbulluar edhe nga Kombëtarja Shpresave, si ndiheni?
Normalisht jam shumë i lumtur. Shpresoj që të marr sa më shumë minuta dhe do të bëj maksimumin tim në fushë për të shfrytëzuar çdo shans që do të më jepet.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"