Shkëmbi: Nuk patëm frikë në derbi, kishte vetëm gabime që falen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2024 | 17:48

Shkëmbi: Nuk patëm frikë në derbi, kishte vetëm gabime që falen

Partizani dhe Tirana kanë ndarë nga një pikë në derbin e parë të këtij edicioni, në një sfidë që prodhoi entuziazëm vetëm në tribuna. Mbështetja ndaj skuadrave nuk mungoi, të cilat nuk iu përgjigjën në të njëjtën mënyrë në fushën e lojës.

SHKEMBI

Trajneri Bledi Shkëmbi foli pas ndeshjes, duke analizuar 90 minutat që u luajtën kundër Partizanit. “Për momentin nuk mund të them se çfarë i mungon skuadrës, që nuk po fiton. Për derbin, dua të them vetëm gjëra pozitive, pasi 80 përqind e skuadrës e luante për herë të parë. Në fillim, ishte parashikuar që takimi të ishte i vështirë, për shkak se disa e luanin për herë të parë. Dhe rezultoi i tillë. Bëmë një ndeshje të mirë. Në derbi, ishim më dominantë në lojë, kishim më shumë raste dhe ishim më pranë fitores. Patëm 2-3 momente që mund të shënonim, të cilat mund t’i zgjidhnim pak më thjeshtë dhe më qartë. Gjithsesi, është derbi dhe gabime që mund të falen”, tha në fillim trajneri i Tiranës.

Të dy skuadrat mendonin më shumë për të mos humbur dhe kjo u pa qartë nga fakti se prodhuan pak futboll, duke luajtur me shumë forca mbrapa. Gabime të shumta, faulle të panevojshme në çdo cep të fushës dhe shumë pak futboll, bënë që ndeshja të kalonte pa shumë raste për t’u kujtuar, duke “salduar” një barazim që zgjati serinë e ndeshjeve pa fitore të të dy ekipeve në këtë kampionat. Trajneri Bledi Shkëmbi nuk është i këtij mendimi.

“Ne nuk patëm frikë, të luanim, të qarkullonim topin dhe të shkonim në portë. Donim të ishim në ekuilibër dhe sigurt që të bllokonim lojtarët kundërshtarë”, mbylli Bledi Shkëmbi. Tirana shkoi në 6 barazime në po aq ndeshje të luajtura, teksa mbetet e pamposhtur por larg kreut të renditjes.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"