Shkodranët të përgjysmuar, Spahija risia kundër Laçit. Njihuni me formacionet e mundshme
Vllaznia i ka dhënë fund përgatitjeve për ndeshjen kundër Laçit, që do të luhet sot në orën 16:00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Një duel ky që vjen me shumë dilema për formacionin e shkodranëve, të cilët kanë gjysmën e titullarëve jashtë për shkak dëmtimeve.
Por, duket se trajneri Brdariç e ka “shpikur” 11-en për të përballuar bardhezinjtë. Në portë si gjithmonë këtë sezon e nis Qarri. Në mbrojtje nga e djathta rikthehet Qato, që zëvendëson në këtë rol Gurishtën, që u dëmtua në ndeshjen kundër Bylisit dhe nuk do jetë gati për ekipin. Në qendër të mbrojtjes po ashtu vijon mungesa e Stojanoviçit dhe Juriçit.
Qëndrën e prapavijës do e bëjnë Krymi dhe Bajrami, me të parin që prej disa ndeshjesh nuk luan në mesfushë. Risi në të majtë është Flori Spahija, i cili ka bindur trajnerin me paraqitjen dhe do ta nisë për herë të parë si titullar. Edhe në mesfushë ka ndryshime për shkak të spostimeve të roleve për disa futbollistë.
Deliu, Sala dhe Mala është treshja e përzgjedhur në repartin e mesfushës. Ndërsa në sulm do të jenë lojtarët që u aktivizuan edhe me Elbasanin, pikërisht Çoba nga e djathta, Dodaj nga e majta dhe Balaj në majë të ofensivës.
Moriero lëviz vetëm në mesfushë Laçi po kalon një moment të mirë në kampionat, teksa ka krijuar një stabilitet në lojë dhe rezultate, edhe pse më shumë është fiksuar te shenja “X” e barazimeve. Megjithatë, besimi në kampin kurbinas është i madh për një fitore sot në Shkodër. Në prag të kësaj ndeshjeje, trajneri Françesko Moriero ka lënë të kuptohet se mund të bëjë lëvizje vetëm në repartin e mesfushës. Me formacionin e konsoliduar tashmë, Morieros i rikthehet një element i rëndësishëm si Lleshi në qendër të mesfushës, ndërsa për shkak kartonësh do të mungojë Papa. Dilema e vetme është nëse do të vijojë të luajë si shkatërrues Opeh apo italiani do t’i japë besim në këtë takim të riut Stiven Bibo.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"