Shkurtaj ngre “flamurin” në Tropojë, Flamurtari i dyti. Gega: Sërish pa fat. Ribaj: Besuam deri në fund, fitorja më e vështirë
Gol i Vasil Shkurtajt në minutën e 94-t ka bërë diferencën e pikëve mes Valbonës dhe Flamurtarit. Takimi u karakterizua nga një luftë e fortë sportive, me një dialog mes mbrojtjes tropojanë dhe sulmit vlonjat. Hyrja e Shkurtajt në lojë në minutën e 87-të rezultoi e goditur, pasi i dha Flamurtarit tri pikë, që e fusin sërish në vallen e pretendimeve.
Padyshim kjo ka qenë java e vlonjatëve, pasi u ngjitën në vend të dytë dhe janë vetëm 2 pikë larg Vorës kryesuese. Me këtë transfertë trajneri Agostineli shleu pezullimin e dhënë nga Disiplina.
NDESHJA- 35 minutat e para flasin vetëm për Flamurtarin, që kërkon me ngulm golin duke e përqendruar lojën në zonën e Valbonës, që luan me 5 mbrojtës dhe 3 mesfushorë që i ndihmojnë. Ememe, Oshafi, Murtaj dhe Selimi mundohen të rrezikojnë, por mungon shënjestra e duhur. Pas 33 minutash erdhi aksioni i parë i tropojanëve , por në fund është portieri Kaloshi ai që ndal gjuajtjen e Vidricës. Pjesa e parë mbyllet në shifrat 0-0. Trajneri Agostineli nga tribuna, komunikon me telefon me trajnerin Andi Ribaj dhe vjen zëvendësimi i parë, Kobian në vendin e Selimit.
Vlonjatët i ka zënë “paniku” dhe nuk janë të qetë para portës tropojanë. Kalimi i minutave e shton nervozizmin te lojtarët vlonjatë. Në të 54-ën, Oshafi gjen rrugën e rrjetës, por goli anulohet për pozicion të parregullt. Kundërpërgjigjet Valbona me Kamilo, por topi kalon ngjitur me traun e portës. Loja është e balancuar me sulme e kundërsulme nga të dyja skuadrat. Në të 87-ën, pas shumë tentativash Oshafi rregullon shënjestrën, por portieri Marku tregohet një hero i vërtetë. Kur kishte dhe tre minuta nga koha e rregullt, Agostineli largon Trashin dhe fut në lojë Shkurtajn.
Një ndërrim i kontestuar nga Trashi, por rezultoi i goditu, sepse në minutën e 4-t të shtesës sulmuesi bëhet “heroi” i Vlorës. Krosim në zonë nga krahu i djathtë nga Kobian Ruiz drejt pikës së penalltisë, aty ku Shkurtaj kërcen mjaft bukur dhe me kokë e përcjell topin në rrjetë. Festë e çmendur e vlonjatëve për këtë gol që u dha atyre tri pikë. Valbona sërish nuk arrin të marrë pikë në stadiumin e saj edhe mbetet në venin e parafundit dhe rrezikuar mbijetesën në Kategorinë e Parë.
VALBONA – FLAMURTARI 0-1
GOLI: Shkurtaj 90+4’
VALBONA: Marku, Lala, Mashi, Lamçe, Farruku, Aluku, Kamilo (Alinani 77’), Balla, Ëesley (Udo 90+1’), Vidrica (Doçi 77’), Llanaj;(Në dispozicion: Hoxhaj, Rosaj). Trajner: Emiliano Gega
Flamurtari: Kaloshi, Kacbufi, Bollano, Allmuça, Beqaj (Bangaly Diavara 61’), D. Pjeshka, Murataj (Hoxha 78’), Trashi (Shkurtaj 87’), Selimi (Cobian Ruiz 46’), Ememe, Oshafi; (Në dispozicion: Frashëri, Hasa, P. Pjeshka, Marku, Adem Ali, Atanda). Trajner: Andi Ribaj
Kartonë të verdhë: Balla 68’, Doçi 90+5’, Marku 90+6’ / Ememe 90+6’
Gjyqtarë: O. Yzeiraj, F. Kolleshi, Xh. Roshi, E. Spahiu (Tiranë)
Vëzhgues: Ervis Peza (Tiranë)
Delegat: Skënder Abdyli (Lezhë)
Gega: Sërish pa fat
Emiliano Gega, drejtori sportiv i Valbonës, pas ndeshjes tha: “E ç’mund të them më shumë për atë lojë të shkëlqyer. Jo vetëm që duhej të dilnim të paktën me një pikë, por duhej të kishim fituar. Përsëri u dënuam nga fati. Një goditje standarde u dha vlonjatëve fitoren. E kishim vlerësuar në maksimum këtë takim për t’i bërë një mbyllje sa më dinjitoze vitit në Tropojë. Ky është futbolli dhe ne po na dënon”.
Vlonjatët
Ribaj: Besuam deri në fund, fitorja më e vështirë
Andi Ribaj e drejtoi Flamurtarin në pankinë në Tropojë, për shkak të pezullimit të Agostinelit. Pas fitores, për “Panorama Sport” zv.trajneri u shpreh: “Ishte një ndeshje e vështirë, që e kishim vlerësuar në maksimum. Valbona u mbrojt mjaft mirë. Të gjitha ndeshjet tona kanë qenë të vështira, por kjo ka qenë nga më të vështirat, pasi nuk e kemi pasur kaq ‘pisk’ për të marrë tri pikë. Rastet kanë qenë pa fund, zotërim total, duke filluar që në minutat e para, për ta mbyllur sa më shpejt ndeshjen. Kjo zgjati aq shumë sa na u desh edhe shtesa që shënonim golin e fitores. E kjo vjen nga përvoja, sepse duhet besuar deri në fund. Kjo ishte një fitore me vlera të mëdha.
Kemi dy konkurrentë të fortë, si Vora kryesuese dhe Besa, duke bërë që të jemi shumë pranë njëra-tjetrës. Flamurtari që në fillim është ndërtuar për të qenë në Superiore, dhe për t’ua shpërblyer drejtuesve duhet të mos gabojmë. Pas përfundimit të pjesës së parë të kampionatit do të nisë merkato. Kjo na detyron të ulemi në bisedime mes stafi dhe presidencës, ku mund të ketë ndërhyrje të vogla. Ndërhyrjet nuk do të jenë të shumta, pasi ekipi nuk ka shumë nevojë. Jemi të gatshëm për të vazhduar edhe gjysmën tjetër të kampionatit”.
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"![](https://www.panorama.com.al/sport/wp-content/static/klikoperkepanoramaonline.jpg)