Shpëtimtari i Besës ndaj Lushnjës, Mehidri: Fitore karakteri dhe e merituar, në rrugën e duhur për elitën
Ndaj Lushnjës, është hera tertë në këtë sezon që Besa arrin të fitojë në limite. Kishte ndodhur më herët me Korabin dhe Apoloninë dhe të martën me një penallti të shënuar nga Kanu në minutën e 93-të mposhtën lushnjarët. Besa rrezikoi që të përsëriste hapin fals me Pogradecin, teksa ka fituar në kohën shtesë ndaj Lushnjës.
Dallimi qëndronte në lojën që verdhezinjtë zhvilluan. Ndryshe nga ai barazim me Pogradecin, ata luftuan fort dhe bënë gjithçka për ta fituar sfidën. Mjaftojnë 2 shtyllat pingule dhe 2 traversat për të dëshmuar epërsinë e kavajasve, pa llogaritur edhe penalltinë e humbur nga Mazrekaj. I pari për të, pasi në 4 sfidat e tjera, kapiteni pati shënuar. Lushnja në fakt, rrezikoi vetëm 2 herë seriozisht dhe ishte pranë golit, kur Kaçanolli vetëm 2 metra përballë Mehidrit goditi shpejt me kokë, por portieri kavajas bëri mrekullinë duke evituar një gol të sigurt dhe në fund me Xhabrahimin. Në lidhje me pritjen shpëtimtare te rasti i Kaçanollit, portier Jurgen Mehidri u shpreh:
“Nuk luan vetëm Besa futboll, por edhe të tjerët. Ne dominuam ndeshjen, por nganjëherë luaj sa të duash, kundërshtari me një rast mund të të dënojë. Kështu ishte ajo goditje e Kaçanollit përballë fytyrës time dhe e quaj veten me fat që evitova atë gol, që Besa nuk e meritonte ta pësonte. Kishim humbur edhe penallti dhe do ishte vërtet goditje e rëndë psikologjike. Por mos harroni, fati ndihmon më të fortin”. Më tej, Mehidri ndalet te sfida duke u shprehur se Besa e meritoi plotësisht fitoren. “Në futboll, penalltia është thuajse 90% gol e rrallë gabohet. Nëse do shënonte Mazrekaj, nuk është çudi të shënonim më shumë se 2 gola, pa nënvlerësuar aspak Lushnjën. Më shumë se gjithçka, te Besa vlerësoj pjekurinë dhe qetësinë e lojtarëve. Të humbësh penallti e përsëri të godasësh shtyllat, tregon se po luan po me të njëjtën dëshirë për ta fituar ndeshjen. Bëmë gjithçka për të fituar, por fati ishte me miqtë.
Gol i Kanu na gëzoi pa masë, pasi meritonim të fitonim dhe më kryesorja nuk lejuam Vorën të shkëputej. Me këtë rast, dua të citoj një fakt. Të gjitha ekipet kur luajnë kundër Besës, japin maksimumin e tyre. Kjo ka anën tjetër të medaljes, pasi ne i kundërvihemi me shpirt, lojë teknike dhe sulmuese dhe dolëm fitues. Kështu ndodhi edhe në Krujë ku fituam me sakrificë. Jemi në rrugën e duhur dhe tani vëmendja është te Apolonia, që barazoi me Flamurtarin duke treguar se do jetë “kockë” e fortë edhe për ne”, u shpreh Mehidri për “Panorama Sport”.
FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"![](https://www.panorama.com.al/sport/wp-content/static/klikoperkepanoramaonline.jpg)