Shqipëri-Kili, sot 20:45/ Provat e Europianit nisin me bazën, ja formacioni i mundshëm i kuqezinjve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 22, 2024 | 8:32

Shqipëri-Kili, sot 20:45/ Provat e Europianit nisin me bazën, ja formacioni i mundshëm i kuqezinjve

Testet kuqezi para Europianit të Gjermanisë fillojnë sot nga Parma e Italisë, një nga kundërshtarët në grup të Shqipërisë.

kombetarja

Luhet miqësorja e parë nga katër të tilla në total para “Euro 2024” dhe trajneri Silvinjo, me aq sa është parë në stërvitje, ka menduar që së pari të testojë skuadrën që siguroi kualifikimin në Europian pak muaj më parë. Braziliani duket se kërkon të shohë më qartë se në çfarë forme janë titullarët aktualisht, më pak sesa 3 muaj para nisjes së kompeticionit madhor në Gjermani. Ndoshta i kërkon së pari që të sigurohet për bazën, pastaj mund t’i japë skuadrës ndonjë “lustër të fundit”, nëse në stol sheh “material” më të mirë.

Një veprim logjik, sepse forma e lojtarëve mund të ndryshojë shumë pas një kohe kaq të gjatë. Dikush ka luajtur, dikush tjetër mund të ketë qëndruar në stol për shumë javë. Në “Euro 2024” luajmë me skuadra të mëdha në grup, siç janë Spanja, Italia kampione Europe në fuqi dhe Kroacia, prandaj dhe llogaritë duhen bërë mirë për t’u paraqitur me një formacion sa më solid. Silvinjo ka grumbulluar për herë të parë Arbër Hoxhën, një sulmues anësor, ndërkohë që do të mungojnë sot për shkak dëmtimi mbrojtësit Ardian Ismajli dhe Arlind Ajeti, portieri Etrit Berisha dhe sulmuesi Myrto Uzuni.

FORMACIONI – Trajneri Silvinjo do ta nisë miqësoren e sotme me Kilin me Tomas Strakoshën në portë. Përpara tij do të vendosen Elseid Hysaj në të djathtë, Mario Mitaj në të majtë dhe kapiteni Berat Gjimshiti dhe Enea Mihaj në qendër. Për të vazhduar në mesfushë me dyshen e qendrës të përbërë nga Kristjan Asllani dhe Ylber Ramadani. Për majën e sulmit ka një balotazh mes Sokol Cikalleshit dhe Armando Brojës. Pas njërit prej tyre do të pozicionohen Jasir Asani djathtas, Taulant Seferi majtas dhe Nedim Bajrami në qendër. Në krahasim me ekipin që siguroi pjesëmarrjen në Europian, ka dy ndryshime të detyruara për shkak të dëmtimeve. I pari është Strakosha në vend të Berishës dhe Mihaj në vend të Ismajlit. Nëse luan Broja titullar dhe jo Cikalleshi, ndryshimet bëhen 3. Pas testimit të paktën për 45 minuta të shumicës së titullarëve, Silvinjo pritet që hedhë në fushë gjatë pjesës së dytë lojtarët e stolit. Vëmendja e tifozëve dhe opinionit futbolldashës është më së shumti te lojtarët e rikthyer dhe bëhet fjalë për emra me peshë, si Rei Manaj dhe Armando Broja në sulm, si dhe Marash Kumbulla në mbrojtje. Arbër Hoxha mund të ketë shansin e debutimit me fanellën kuqezi që në mbrëmjen e sotme.

9

Nga i dërguari ynë në Parma, KRISTI SEJATLLARI/ PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"