“Shqipëria pa shtangë në Olimpiadë, FSHP është e kalbur”, akuza e rëndë e Kovaçit: Garojnë vajza qejfleshka, apo nga “CrossFit”-i për ekipe fantazmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2023 | 17:38

“Shqipëria pa shtangë në Olimpiadë, FSHP është e kalbur”, akuza e rëndë e Kovaçit: Garojnë vajza qejfleshka, apo nga “CrossFit”-i për ekipe fantazmë

Peshëngritja ka qenë gjithnjë sporti më i suksesshëm i Shqipërisë për sa u përket rezultateve në arenën ndërkombëtare, por shtanga kuqezi aktualisht nuk është në ditët e saj më të mira. Zef Kovaçi, ish-trajneri i madh i peshëngritjes, ka analizuar me detaje situatën që ky sport po kalon në vend tonë.

zef kovaci

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Kovaçi e gjuan gjendjen alarmante, ndërsa me kritika të forta për FSHP-në dhe Elez Gjozën, thotë se federata është tërësisht e kalbur.

Kovaçi, si do ta komentoni paraqitjen e Shqipërisë në Kampionatin Botëror që u mbyll disa ditë më parë në Arabinë Saudite?
Nëse e marrim si renditje botërore, rezultatet janë të mira. Unë gjithmonë kam qenë i mendimit se çdo sportist yni që futet në “top-10”-shen botërore apo europiane për mua është medalist, duke marrë parasysh kushtet e stërvitjes në Shqipëri etj. Por duhet thënë se gara ku morën pjesë dy sportistët tanë ishte një peshë që dihej se nuk është për në Olimpiadë. Pra, bëhej fjalë për një kategori peshe joolimpike, pasi, siç dihet, në Paris do të ketë 5 pesha meshkujsh. Fakti që në këtë kategori në Botëror nuk ishin asnjë prej 3 vendeve të para nga shtete si Kina, Koreja, Kili, Gjermania apo Polonia etj., tregon se këta sportistë nuk kishin interes për peshën 81 kg. Ndërsa rezultatet e dy sportistëve tanë, ishin më të dobëtat si personale që kanë bërë në 20 vite, por si radhitje të jesh brenda dhjetëshes botërore është sukses.

Jemi para Olimpiadës, ndërsa Shqipëria aktualisht nuk ka asnjë peshëngritës brenda normës për “Paris 2024”. Si e komentoni këtë fakt?
Me keqardhje e them, por ka kohë që ne rrinim me shpresën e Briken Caljes në peshën 73 kg. Por fakti që ai ndryshoi kategori tregon që edhe ai është dorëzuar në këtë aspekt dhe e them me siguri që ne nuk çojmë dot asnjë peshëngritës në Olimpiadë. Madje unë habitem, pa pasur asgjë personale me presidentin e federatës, me deklaratat e tij, duke nisur nga Botërori i vjetshëm që shkon me një sportist dhe thotë do të arrijmë 3 norma olimpiade. Shkon me një sportist që nuk bëri as garë në Kubë dhe u kthye pa asnjë normë. Shkoi edhe tani në Botërorin e Arabisë Saudite me dy sportistë në një kategori që nuk është për Olimpiadë dhe deklaron se Shqipëria do të arrijë 2 norma olimpike. Të them të drejtën e “admiroj” optimizmin dhe këtë formë të shprehuri politike të këtij njeriu, por fatkeqësisht për herë të parë në histori peshëngritja shqiptare nuk çon dot asnjë sportist në Lojërat Olimpike.

Pra, ju thoni se Calja apo Qerimaj nuk mund ta arrijnë dot normën olimpike në garat e mbetura?
Kanë mbetur edhe tri gara kualifikuese për Olimpiadën, një në dhjetor, Europiani në shkurt dhe e fundit në prill kur mbaron edhe kualifikimi. Unë mendoj që nuk mund të kualifikohen, sepse në radhë të parë duhet të bien nga pesha, të zbresin në 73 kg. Fakti që këta sportistë kanë bërë rezultate më të dobëta në peshën 81 kg sesa në 73 kg flet qartë për mundësitë. Por të themi të drejtën këta janë sportistë që prej 20 vitesh kanë sjellë dhjetëra medalje, më shumë sesa t’i shtrydhim, duhet të kishim menduar për perspektivën, si do t’i zëvendësonim.

Si e gjykoni aktualitetin e peshëngritjes?
Fatkeqësisht, gjendjen e peshëngritjes sot e shikoj të zezë. Përjashto një vajzë të Elbasanit dhe një djalë të Shtërmenit, për të cilët duhen përgëzuar edhe trajnerët e tyre për punën që kanë bërë, pjesa tjetër është inekzistente. Mjafton të shikojmë garat, të cilat bëhen nëpër palestra, kampionate kombëtare, me fëmijë dhe me njerëz që me rezultate mediokre dalin në vend të katërt apo të pestë dhe mbledhin pikë për ekipet ku garojnë. Po të shikosh ecurinë e shumë prej këtyre sportistëve që disa përmenden edhe si perspektiva më e madhe e peshëngritjes tonë, mjafton të shikosh rezultatet e tyre gjatë 4 viteve të fundit. Me një tabelë të thjeshtë, të shohësh garë për garë dhe kupton se çfarë ecurie kanë. Në moshën e re, nëse nuk ke progres me 20 deri në 30 kg në vit, nuk ke perspektivë. Në moshën e re, siç janë këta dy sportistë që kanë marrë medalje, nuk mund të pretendosh që do të bëhen për medalje edhe më të rriturit. Prandaj them që e shikoj të vështirë. Gjithashtu prej vitesh kanë hequr normat në garat kombëtare. Korça nuk ka asnjë sportist, Vlora nuk nxjerr asnjë sportist, Berati gjithashtu, pra ka shumë vende që kanë qenë baza e shtangës dikur dhe tashmë e kanë zhdukur peshëngritjen.

Si mund rregullohet kjo situatë?
Kjo bëhet duke filluar me klasat sportive dhe të mendohet tani për të pasur rezultate pas 5-6 vitesh, këtu flas për të rinjtë. Më vjen keq sepse në bisedat e dikurshme me presidentin, ai është shumë koshient për situatën. Por tani ai sillet si politikan dhe jo si teknik, edhe pse e njeh shumë mirë situatën që duhet të ndryshohet. Duhet ndryshuar me ekipet zinxhirë, me normat, me përhapjen gjeografike, me trajnerët që marrin paga qesharake nga 10 apo 15 mijë lekë në muaj. Duhet të fusim mësuesit e fizkulturës, të ngremë nivelin arsimor. Ne sot kemi trajnerë të Kombëtares që nuk kanë shkollë të lartë. Ne kemi trajnerë të Kombëtares që janë shumë dobët nga ana profesionale dhe kanë mbetur me metodat e para 30 viteve.

zef kovaci

Ndërkohë në radhët e femrave nuk kemi asnjë sportiste në nivel ndërkombëtar për të rritura…
Ne akoma mbajmë njerëz për të plotësuar numrin. Në ekipet e femrave treçerekun e vajzave që garojnë në kampionate unë nuk i kam parë ndonjëherë në palestër. Vijnë e garojnë vajza qejfleshka, apo nga Universiteti i Sporteve, disa të tjera vijnë nga “CrossFit”-i. Paraqiten ditën e garës, ngrenë dy hekura dhe marrin pikët me ekipe që dalin kampione. Rezultate që klubet i paraqesin si suksese të mëdha. Më vjen keq për këtë gjendje sepse kam 39 vite në peshëngritje, ndërsa disa më quajnë edhe “pseudotrajner” dhe kanë të drejtën e tyre. Unë nuk po ofendoj askënd, vetëm po kritikoj punën dhe po jap disa mendime për të dalë nga kjo situatë, të cilat ata fatmirësisht i dinë, por nuk kanë çfarë të bëjnë. Disave u intereson që të kenë këto ekipet fantazmë dhe kur të bëhet dita e votimit të marrin votat. Të gjithë jemi dëshmitarë se ne kemi që prej vitit 2008 që zgjedhjet në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes kanë pasur gjithmonë probleme, janë anuluar për dhunë, ka pasur incidente të vazhdueshme.

Pse mendoni se prodhon kaq përplasje peshëngritja?
Kemi parë trajnerë që tërhiqen xhaketash, përplasen në tokë, del roja dhe nuk i lejon të futen brenda. Ose bëhet votimi dhe pas një jave të njëjtët njerëz prodhojnë rezultat të kundërt. Fatmirësisht nuk kam shkuar kurrë në votim, sepse e di se çfarë estrade bëhet. Por për t’u dhënë fund këtyre problemeve duhet të ndërhyjë ministria dhe Komiteti Olimpik. Të vendosin kritere. Po ju jap vetëm një fakt, në 10 vitet e fundit janë ndërruar 8-9 sekretarë federate. Nga këta persona, përjashto dy të fillimit, pjesa tjetër nuk e kanë idenë se çfarë është peshëngritja. Kryesitë janë thuajse inekzistente, sepse kur zgjidhen njerëz që nuk janë të kësaj fushe, ata që dalin kundër përjashtohen. Fakt janë edhe ngjarjet që ndodhën vetëm disa muaj më parë, për të cilat jemi të gjithë dëshmitarë. Njerëz që fillimisht u bënë heronj, ndërsa vetëm pak muaj më vonë u quajtën tradhtarë dhe me të gjitha të këqijat, siç ishte rasti i Kamzës. Apo rasti me drejtorin e Klubit Teuta. Në aparencë presidenti aktual di si ta menaxhojë, por në brendësi Federata Shqiptare e Peshëngritjes është tërësisht e kalbur.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"