Shqipëria priti 3 evente botërore, Sahit Prizreni: Organizime historike
Viti 2024 ka qenë pa diskutim historik për mundjen shqiptare, jo vetëm për sa u përket rezultateve, por gjithashtu edhe për organizimet madhore ndërkombëtare që janë bërë në vendin tonë. Kështu, pas medaljeve të para olimpike në historinë e Shqipërisë, dy të bronzta që u fituan në Paris, vendi ynë ka pritur me sukses tri evente shumë të rëndësishme, siç janë Botërori U-23, Kongresi Botëror i Mundjes dhe Botëror për të rritur në peshat jo olimpike.
Për 11 ditë me radhë salla “Feti Borova” u shndërrua në arenë për mbi 2300 pjesëmarrës nga 80 shtete, ndërsa 117 federata morën pjesë në Kongresin Botëror që u mbajt në Shijak. Një punë vërtetë kolosale për këto organizime, të cilat shkuan në perfeksion. Duke kaluar te rezultatet, Botërori U-23 u fitua në rang ekipor nga Irani në stilin e lirë dhe në atë greko-roman, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës triumfuan për vajza. Për sa i përket Botërorit në peshat jo olimpike, Gjeorgjia dhe Japonia ndanë vendin e parë për ekipe në stilin e lirë, Azerbajxhani u shpall kampion në stilin greko-roman, ndërsa për vajza vendin e parë e zuri Japonia.
KREU I MUNDJES – Ish-kampioni i madh u mundjes shqiptare, tashmë prej disa vitesh në rolin e presidentit të federatës, ka folur për këto organizime të jashtëzakonshme ndërkombëtare të Shqipërisë: “Si asnjë herë më parë Shqipëria ka organizuar aktivitetet më të rëndësishme të Federatës Botërore të Mundjes. Një përgjegjësi dhe një emocion i jashtëzakonshëm, me vendin tonë që ka bërë një punë fantastike, ku të gjithë bashkë, kemi realizuar një punë të shkëlqyer, duke pritur mbi 2300 pjesëmarrës, mbi 80 shtete, 117 federata.
Më mirë se kaq nuk mund të bëhej një event i tillë dhe jemi krenar për gjithçka kemi bërë. U jam mirënjohës të gjithë atyre që na besuan për të organizuar evente të tilla”, shprehet fillimisht Prizreni. I vetmi peng për presidentin e FSHM-së, duke se është mungesa e një medaljeje të Shqipërisë në këto aktivitete. Megjithatë sipas Prizrenit kjo eksperiencë do t’i vlejë shumë të gjithë komunitetit të mundjes në vendin tonë: “E vetmja keqardhje është rezultati, sepse prisja një medalje, por ajo që ne kemi marrë këtë radhë është fantastike.
U kemi treguar të rinjve dhe të rejave tona se kampionët më të mëdhenj të mundjes dhe njerëzit më të rëndësishëm e federatës botërore janë në arenën tonë dhe të gjithë kanë arritur t’i prekin dhe t’i shikojnë nga afër. Një mënyrë më e mirë sesa kaq për t’i motivuar dhe për t’u dhënë shpresë njerëzve tanë, që nesër të jenë e ardhmja dhe modeli.
Unë dua t’i falënderoj të gjithë për mbështetjen, falënderoj kryebashkiakun, Erion Veliaj, për të gjithë mbështetjen që na ka dhënë për mbarëvajtjen e këtij evenimenti. Pra, këto janë momente historike për federatën tonë, për këtë arenë, për Tiranën dhe për Shqipërinë”, përfundon Prizreni.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"