SHTANGË/ Akuza nga drejtori i Klubit Shumësportësh Teuta: Asamble jashtë ligjit! Ministria të mos njohë Gjozën, ndryshe është për SPAK
Drejtori i Klubit Shumësportësh Teuta, Kreshnik Leka, ka lëshuar akuza të fortë për asamblenë zgjedhore të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, e mbajtur të dielën në Shkodër, në të cilën u konfirmua president Elez Gjoza.Në një intervistë për “Panorama Sport”, Leka deklaron se gjithçka është e jashtëligjshme, ndërsa denoncon shkeljet në FSHP-së. Për lejimin e kësaj situatë, ai konsideron bashkëpunëtore edhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Shefi klubit durrsak, tregon hapat që do të ndjekë, teksa thotë se nëse ministria do ta njohë Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, ai atëherë do të jetë i detyruar që të bëjë kallëzim në SPAK ndaj ministrisë.
Leka, FSHP mbajti asamblenë zgjedhore vetëm disa më parë, në të cilën Elez Gjoza u konfirmua president me rreth 95% të votave. Cili është komenti juaj për këtë asamble?
Elez Gjoza mbylli një mandat të plotë 4-vjeçar së bashku me të gjithë bordin drejtues të federatës duke qenë të pa ligjshëm. Pas zgjedhjeve të para 4 viteve ai ka çuar dokumentacionin në gjykatë që të njihej si president, por gjykata nuk e ka pranuar dhe ia ka kthyer mbrapsht për parregullsi. Ndërkohë në gjithë këtë situatë, Gjoza mbaron mandatin 4-vjeçar, duke bashkëpunuar edhe me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Pra MAS bashkëpunon me një federatë të paligjshme për vite me radhë duke i dhënë edhe buxhet, ndërsa tani vjen momenti i zgjedhjeve dhe sërish Gjoza organizon asamble zgjedhore, duke qenë vetë i paligjshëm. Një asamble e mbajtur me anëtarë të cilët i vendos vetë Elezi sipas qejfit, anëtarë të cilët nuk i njeh gjykata dhe nga ana tjetër përjashtojnë kandidaturat. Unë dërgova kandidaturën time për president, por më përjashtoi duke më dërguar një “email”, ku më bën të ditur se më ka përjashtuar. Një përjashtim që është i jashtëligjshëm dhe pa arsye.
Në këtë asamble nuk morën pjesë dy nga klubet më me peshë si Tirana dhe Teuta…
Tirana dhe Teuta janë kampionia dhe nën-kampionia e vendit, ekipe që kanë më shumë se gjysmën e peshëngritësve të të gjithë Shqipërisë. Nuk ishin gjithashtu as Skënderbeu, as Flamurtari, pse? Sepse federata na ka thënë që ne nuk mund të votojmë dhe të marrim pjesë në asamble, sepse nuk keni bërë ende regjistrimin në gjykatë. Ky është një paradoks, pasi vetë federata nuk është e regjistruar në gjykatë, e cila nuk e njeh Gjozën si president të FSHP-së. Unë kam marrë të gjithë dokumentacionin e FSHP-së që nga themelimi në vitin 2007 dhe nga anëtarët të pranishëm në asamble, të njohur nga gjykata, mund të ishin dy apo tre nga ata që votuan në Shkodër. Ndërkohë që mungonin klube me 100 vite histori, si Tirana, Teuta etj.
Gjoza është president edhe në Federatën Ballkanike, gjithashtu edhe në bordin drejtues në federatën ndërkombëtare…
Federata Europiane dhe Botërore e merr të mirëqenë Gjozën, përderisa vazhdon dhe drejton këtu, edhe pse ai e bën në paligjshmëri. Meqë Federata Ballkanike ka mbi 30 vjet që nuk funksionon dhe nuk e merr në dorë njeri, e merr Gjoza që dëshiron të duket dhe thotë ‘hajt se po e bëj unë’.
Ju jeni të përjashtuar prej një viti. Cilat hapat që mendoni të ndiqni në këtë situatë?
Unë kam bërë padi në Gjykatën e Tiranës, pasi KASi nuk është hapur akoma. Në bazë të ligjit Ministria e Arsimit dhe Sportit është institucioni që duhet të kujdeset që të zbatohet ligji dhe që të mos ndodhin këto gjëra. Ministria e ka me ligj që nuk duhet të bashkëpunojë me një institucion të pa regjistruar në gjykatë, përderisa këtë gjë na e kërkon ne klubeve, duke na e bërë taksative. Pra klubet nuk i lejon që të votojnë nëse nuk janë të regjistruara në gjykatë, ndërsa në të njëjtën kohë MAS nuk i kërkon federatave, në këtë rast Federatës së Peshëngritjes, që të paraqesë vendimin e gjykatës. FSHP është e paligjshme dhe vazhdon të marrë buxhet nga ministria.
E konsideroni Ministrinë e Arsimit bashkëpunëtore, që po e lejon e këtë situatë?
Pa diskutim që ministria është bashkëpunëtore. Unë kam çuar dy herë shkresa në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për të gjitha këto parregullsi dhe ende nuk kam marrë përgjigje prej tyre. Shkresa e fundit është para rreth një muaji e gjysmë. Në qoftë se ministria vazhdon të bashkëpunojë me federatën në të njëjtën mënyrë, pa u njohur nga gjykata, unë do të jem i detyruar të shkoj në SPAK dhe të denoncoj ministrinë, pasi ajo i jep buxhet një institucioni të paligjshëm. Në asamblenë e të dielës në FSHP nuk ishte askush i pranishëm nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe ndoshta mund të jetë një reflektim i tyre, duke i ditur të gjithë këto probleme, për të cilat unë dhe shoqata të tjera kemi dërguar shkresa për parregullsitë e Elez Gjozës. Por puna është kush e pengon Gjozën, i cili mbledh disa klube ose shoqata dhe vetëzgjidhet president. Këtë gjë mund ta bëj edhe unë, pasi në këtë mënyrë që po e lënë të livadhisë Elez Gjozën, i bie që çdo kush të bëj çfarë të dojë, pasi kjo do të thotë që nuk ka shtet dhe ligj.
Ndërkohë problematika ekzistojnë edhe me statutin…
FSHP në bazë të dokumentacionit që është në gjykatë punon me statutin e vitit 2001, të miratuar nga ministria dhe të njohur nga gjykata. Por ndërkohë, Gjoza, e ka ndryshuar statutin sa herë i ka dashur qejfi me “urdhrin e peshkut”, pra me urdhrin e tij. Për këtë po ju jap disa shembuj, kur i intereson që të votojë shoqata e gjyqtarëve i lejon, kur nuk i intereson nuk i lejon. E njëjta gjë me këshillin e trajnerëve, po ashtu edhe me sportistët elitarë, kur do Gjoza lejon që të votojnë Briken Calja, Erkand Qerimaj, Kristi Ramadani, ndërsa këtë herë u tha jo, nuk lejohet, pasi nuk do ta votonin. Pra Gjoza bën çfarë të dojë, është vetë zot dhe vetë shkop, si dhe ka bashkuar të gjithë servilat në federatë. Gjithashtu alarmant është edhe rënia e masivitetit në peshëngritje, pasi sipas procesverbalit në aktivitetin më të rëndësishëm, siç është kampionati kombëtar për të rritur, morën pjesë vetëm 42 sportistë. Një turp i vërtetë, me 42 sportistë që garojnë, ndërsa në asamble kanë votuar 15 shoqata për të zgjedhur Elezin.
E bukura është se nga këta 42 sportistë, 10 janë të Tiranës dhe 10 janë të Teutës, pra gjysmë e të gjithë sportistëve bëjnë pjesë në dy klube që nuk kanë votuar. Në asamble kanë votuar shoqata fantazmë, të cilat i ka bërë Gjoza me shokët e tij, duke i futur dhe duke u dhënë të drejtë vote. Është hera e parë pas 32 vitesh Shqipëria nuk shkoi në Olimpiadë. Nuk shkuam sepse Erkand Qerimaj dhe Briken Calja janë mbi 30 vjeç dhe kemi një shkëputje të zinxhirit të sportistëve. Kjo përkon pikërisht me periudhën e viteve që është president Gjoza. Pas Caljes dhe Qerimajt vjen Kristi Ramadani, i cili është 23 vjeç dhe Ertjan Kofsha 19 vjeç. Dmth ka një shkëputje 12-vjeçare që përkon fiks me periudhën e drejtimit të Gjozës në FSHP. Ky është një tregues i qartë që Gjoza nuk punon për të shtuar ekipet efektive me sportistë, por shton shoqata për vota.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"