Shtanget Juvja, Dushan Vlahoviç rrezikon derbin me Torinon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 8, 2025 | 17:46

Shtanget Juvja, Dushan Vlahoviç rrezikon derbin me Torinon

Ka frymëmarrje të lehtë në kampin bardhezi, por ka edhe lajme të këqija. Juventusi ju rikthye dje stërvitjes pas kthimit nga Arabia dhe i pari që u paraqit në qendrën stërvitore ende pa arritur shokët e tjerë të skuadrës ishte Dushan Vlahoviç.

Dusan-Vlahovic-Juventus-fed-up

Ky i fundit, pas shumë kritikash jep një mesazh të qartë se do të vazhdojë të punojë fuqishëm për të treguar se vlen te Juventusi dhe se mund ta marrë për dore këtë skuadër. Megjithatë, gjatë stërvitjes, ai ndjeu një dhimbje të lehtë muskulore, çka ka alarmuar kampin bardhezi. Edhe pse mjekët e kanë raportuar si diçka jo shqetësuese, Dushan Vlahoviç mund të mos jetë në gjendje që të zbresë në fushë në derbin ndaj Torinos.

Sulmuesi serb vazhdoi stërvitjen i veçuar nga pjesa tjetër e grupit duke bërë një program të personalizuar. Prezenca e tij ndaj Torinos mbetet në dyshim dhe emergjenca në sulm rikthehet sërish të trokasë në derën e Motës.

KONSEISAO- Megjithatë, ka një lajm pozitiv për Tiago Motën që sheh Fransisko Konseisaon më pranë se kurrë. Talenti portugez kreu sërish disa vizita mjekësore në “J Medical” dhe tashmë është përjashtuar çdo gjë në lidhje me ndonjë dëmtim serioz. Ai tashmë duhet të punojë vetëm për të arritur formën e tij më të mirë, por gjithsesi edhe prezenca e tij në derbin kundër Torinos mbetet e paqartë.

Jo sepse ai nuk është në gjendje për të luajtur, por mjekët nuk dëshirojnë që të rrezikojnë me të duke bërë që portugezi të pësojë ndonjë dëmtim serioz. Sakaq, pjesa tjetër e ekipit është shfaqur në gjendje të mirë, me përjashtim të lojtarëve që janë të dëmtuar prej kohësh. “Zonja e Vjetër” vazhdon ende të mos ketë në dispozicion Bremerin, Kabal dhe Arkadiuzh Milik.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"