Shtëpia si makth, Apolonia pret fitoren e parë të hënën
Apolonia i ka bërë një nisje shumë të dobët kampionatit, pasi mban vendin e dhjetë, por me barazim pikësh me Valbonën e parafundit, pas shtatë javësh.
Fierakët nuk janë të kënaqur me pikët e pakta dhe pozicionin aspak komod në klasifikim, mirëpo duhet thënë se më e vështira vjen rrugës, pasi nuk është e lehtë të dalësh nga zona e ftohtë. Pas dy humbjeve radhazi në “Loni Papuçiu”, fierakët shpresojnë rikthimin e menjëhershëm te fitorja.
“Problemi” i vetëm është se të hënën luajnë pikërisht në “Loni Papuçiu”, aty ku nuk i kanë mirë punët dhe duhet të thyejnë një tabu të këtij kampionati. Në pozitën aktuale të Apolonisë padyshim kanë ndikuar edhe pikët që kanë lënë në shtëpi. Në tri ndeshjet e luajtura deri tani në “Loni Papuçiu”, skuadra nuk ia ka dalë të marrë asnjë fitore në kampionat.
Madje nuk e bëri një gjë të tillë edhe ndaj Kastriotit, që ishte ndër ekipet që nuk zhvilloi fare fazë përgatitore dhe lojtarët krutanë u mblodhën shumë vonë. Në dy përballjet e tjera në shtëpi, Apolonia ka marrë dy humbje me një gol diferencë, 0-1 me Lushnjën dhe 1-2 me Besën.
Të hënën fierakët kanë një test të vërtetë në këtë aspekt, pasi do të presin Burrelin në “Loni Papuçiu”, aty ku vendësit faktorin fushë e kanë një ndër pikat e tyre më të dobëta.
Të besuarit e Sedat Pajazitit duan që të dalin përkohësisht nga zona e ftohtë në renditje, por nga ana tjetër duhet të thyejnë një tabu, sepse as barazimi apo më keq humbja ndaj Burrelit që pretendon “play off”-in nuk i shkon shumë përshtat. Për këtë takim të paktën dy mungesa janë të sigurta, Hebeja që u dëmtua dje dhe Injehu.
HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"