Shtohen hallet e Skënderbeut, Ramos mungon me Dinamon
Pas vetëm 2 pikësh të marra në 4 ndeshjet e fundit, Skënderbeu e ka detyrim fitoren kundër Dinamos, nëse synon të jetë në elitë edhe sezonin e ardhshëm. Trajneri Ivan Gvozdenoviç shpreson që koha ta ndihmojë për të rikuperuar për lojtarët me probleme fizike për sfidën me blutë.
Ai nuk do të ketë në dispozicion për ndeshjen e javës së 14-të mbrojtësin Markos Ramos, i cili është i skualifikuar. Kartoni i verdhë i marrë në ndeshjen me Teutën, ku korçarët barazuan 1-1, ishte i katërti për këtë futbollist, që sfidën e ardhshme është detyruar ta ndjekë nga tribuna.
Kapiteni Prençi dhe Vaskez pritet që të jenë dyshja e qendrës së mbrojtjes së Skënderbeut, ndërkohë që problem mbetet krahu i djathtë. Doka dhe Vangjeli kanë qenë të dëmtuar dhe kanë bërë me dhimbje koke trajnerin Gvozdenoviç.
Por, duke pasur 10 ditë kohë në dispozicion deri në përballjen me kryeqytetasit, pritet që të paktën njëri prej tyre të jetë gati. Të tjerë lojtarë me shqetësime fizike në radhët e korçarëve janë Balaj, Juri dhe Dumfur, për të cilët ka shpresa rikuperimi.
Skënderbeu mban vendin e parafundit në renditje dhe kundër Dinamos vetëm fitorja do t’i bënte punë. Presioni i pikëve në këtë situatë sigurisht që është rritur në radhët e skuadrës juglindore, edhe pse pika e marrë në Durrës ishte një lloj “ngushëllimi”.
LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"