Shtutgart-PSG, ndeshja ku barazimi i kualifikon të dy ekipet. Luis Enrike: Eksperienca më thotë se…
Ndeshja e Ligës së Kampioneve mes Shtutgartit dhe PSG-së të mërkurën në darkë, do të jetë shumë e veçantë. Për shkak të situatës në renditje, të dy skuadrat mund të kualifikohen nëse sfida mbyllet në barazim dhe kjo ka bërë të shfaqen si zakonisht spekulime nga më të ndryshmet rreth qasjes që do të kenë ekipet në këtë duel.
Trajneri Luis Enrike, ka theksuar se ekipi i tij do të bëjë maksimumin për të fituar ndeshjen, pasi PSG ka ambicie në këtë turne, edhe pse çuditërisht deri tani kishte qenë në rrezik të vazhdueshëm për t’u eliminuar pa kaluar në fazën me eliminim direkt.
“Mendoj se jemi gati, Liga e Kampioneve është motivuese për të gjithë skuadrën. Sipas meje, duhet të mendojmë të luajmë në të njëjtën mënyrë dhe të jemi gati që të luajmë me të njëjtin mentalitet si nga minutat e parë. E kemi bërë këtë sezon dhe duhet të vazhdojmë ta bëjmë.
Jam i qetë si para çdo ndeshje të Ligës së Kampioneve. që do të thotë që niveli im i qetësisë është gati pranë zeros. Jam i gatshëm për këtë kompeticion, për këtë format të ri që rezervon shumë surpriza dhe jam gati të luaj ndaj një kundërshtari i cili luan shumë mirë futboll.
Të luajmë për barazimin? Eksperienca më thotë se kur rezultati varet nga diçka e jashtme nga ajo që ndodh në fushë, ambicia dhe përkushtimi në fushë nuk janë të njëjtët. Ndaj jam këtu për këtë. Nuk dua të spekuloj, por do të mundohem të fitoj këtë ndeshje. Dhe do të mundohemi të përmirësojmë numrin e pikëve që kemi, në mënyrë që të përmirësojmë pozicionin tonë në kualifikim”, tha Luis Enrike para gazetarëve.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"