Shumë të huaj në përbërje, Dinamo me “filtra” në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 30, 2024 | 10:25

Shumë të huaj në përbërje, Dinamo me “filtra” në merkato

Para goditjeve të fundit të merkatos drejtuesit e Dinamo po tregojnë shumë kujdes.4

Jo vetëm se nuk duhet të gabojnë teknikisht për të marrë ata lojtarë që u shërbejnë për të kompletuar ekipin, por edhe për faktin se alternativat në këtë moment vijnë kryesisht nga tregu i huaj dhe këtu numri është i limituar. Blutë kanë aktualisht në organikë disa të huaj, si Muzek dhe Lorran në mbrojtje, Gudiabi dhe Karamba në mesfushë, si dhe Mandela dhe Xhordi në sulm. Këta lojtarë janë zyrtarisht pjesë e Dinamos, ndërkohë që në fushë, sipas rregullores së FSHF-së, nuk mund të jenë më shumë se 5 të huaj. Në provë me ekipin në Itali janë edhe dy lojtarë të tjerë, portugezi Nani dhe një mbrojtës francez.

Numri i të huajve do të shkonte në 8, nëse këta lojtarë qëndrojnë, ndërkohë që priten edhe disa përforcime të fundit dhe kandidatët po ashtu janë të huaj. Në këtë situatë, drejtuesit e klubit blu nuk duan të nxitohen. Përkundrazi, ata po shohin me shumë kujdes çdo mundësi që afron si tregu shqiptar, që për hir të së vërtetës është shumë i varfër, si dhe tregun e huaj. Për të huajt stafi teknik dhe klubi duhet të binden plotësisht para se të investojnë. Çdo lojtar i ri që do t’i bashkohet “Nëndetëses” në vazhdim duhet të kalojë në filtra shumë të imët, pasi kjo fazë e merkatos është vërtet delikate. Dinamo dha sinjale pozitive në ndeshjen e fundit me Rexhianën, edhe pse ishte vetëm një miqësore. Megjithatë, skuadra ka nevojë edhe për 2-3 lojtarë dhe klubi është në kontakte të vazhdueshme për të mbyllur edhe goditjet e fundit. Një mbrojtës qendre, një mesfushor fantazist dhe një sulmues janë pistat ku është fokusuar puna dhe që pritet të konkretizohen ditët në vazhdim.

TË RINJTË – Në vëmendje të merkatos së Dinamos kanë qenë këtë verë edhe të rinjtë. Lojtarë me moshë të re që mund të ingranohen me ekipin e parë, apo edhe me U-21-shin dhe U-19-ën, që i shërbejnë klubit për të tashmen dhe të ardhmen. Sulmuesi Mandela, një nga blerjet e para të bluve, është 21-vjeç. Mesfushori Adrian Doçi, i rritur te Volfsburgu, është 19 vjeç dhe ka firmosur tashmë me kryeqytetasit. Të njëjtën gjë ka bërë edhe lojtari nga Gaboni, Xhordi, edhe ky 19 vjeç. Në provë është sulmuesi Françesko Dibra, 17 vjeç, i rritur në Itali. Gjatë fazës përgatitore që Dinamo po zhvillon në Itali, pjesë e ekipit të parë janë edhe disa lojtarë të të rinjve, që janë në plane për t’u angazhuar me ekipin e parë. Vlen të theksohet fakti se blutë kanë edhe të tjerë lojtarë të rinj në moshë nga sezoni i kaluar, si Klevi Qefalija 20 vjeç, Bakari Gudiabi 22 vjeç dhe Karamba Gasama 19 vjeç. Janë të gjithë lojtarë që premtojnë të jenë protagonistë me fanellën blu dhe në të ardhmen t’i sjellin të ardhura klubit me një kalim të mundshëm në kampionate të huaja.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"