Silvinjo ka ende dilema! Berisha u lodh duke ndenjur, ja pse nuk më pëlqeu pjesa e dytë
Nga NEPTUN BAJKO
Ndeshjet miqësore kanë disa arsye pse zhvillohen dhe qëllime të caktuara që trajneri i ka vendosur për t’i studiuar dhe nxjerrë përfundime për çdo lojtar.
Nga pikëpamja logjike, duke luajtur me një kundërshtar të dobët në të gjitha nivelet, siç ishte Lihtenshtejni, mund të themi se është diçka pozitive, sepse i lejon trajnerit dhe ekipit të vendosë në jetë ato mendime dhe atë mënyrë loje për të përballuar më pas Europianin. Për nga lëvizshmëria që kishte skuadra, qarkullimi i topit dhe dëshira e lojtarëve për të mos gabuar, ia vlejti edhe kjo ndeshja, që mund ta përkufizoj se ishte pak më tepër se një stërvitje e programuar.
Ishte një miqësore përfituese vetëm në disa elemente. Së pari, elementi kyç i skuadrës sonë, që është Broja. Kjo ndeshje i shërbeu, pasi tregoi edhe një herë cilësitë e tij, duke filluar me shpërthimet, si vëmendjen në lojë, që ishte 100 për qind. Tregoi se ishte shumë i përgatitur për ta nxjerrë mirë këtë ndeshje, për të parë edhe veten e tij. Më pëlqeu që e mbante shumë pak topin dhe pasonte shpejt, për ta kërkuar atë në thellësi.
Kjo është pozitive për këtë lojtar. Së dyti, unë mendoj që ende trajneri ka mëdyshje për formacionin bazë që do të hedhë në fushë kundër Italisë. Ndoshta ndeshja e dytë miqësore me Azerbajxhanin do të tregojë në masën 80-90 % idenë e trajnerit dhe formacionin bazë për Europianin. Mendimi im është që kjo ishte një stërvitje e mirë, edhe pse përfitimet nga kjo ndeshje mund të shikohen vetëm në atë të radhës kundër Azerbajxhanit, që do të jetë një miqësore më serioze dhe më e fortë para Italisë.
REPARTET DHE PROBLEMI
Edhe pse përballë kishim një kundërshtar jo të denjë, sërish ndeshja kishte gjëra pozitive, sepse ekipi u fut në aromën e Europianit. Kërkonte vlerësim nga lojtarët dhe ata e treguan në fushë, pavarësisht nivelin për të dëshiruar të Lihtenshtejnit. Më ra në sy loja e kujdesshme në mbrojtje, sepse s’kishte veprime të tepruara.
Reparti i mesfushës në veçanti ishte e zhdërvjelltë dhe me lëvizshmëri. Pastaj, roli i portierit është shumë i rëndësishëm, por Berisha dje më shumë u lodh duke ndenjur, sepse nuk u vendos asnjëherë në provë për të parë gjendjen e tij.
Gjithsesi, në pjesën e dytë nuk më pëlqyen shumë gjëra, për më tepër që serioziteti u ul ndjeshëm, duke qenë se Lihtenshtejni futi lojtarë shumë të rinj në fushë. Problemi që pashë në pjesën e dytë ishte se edhe pse u tentua të bëheshin veprime të shpejta para zonës së rreptësisë, nuk kishte aksione të menduara. Nuk kishte krosime të gjata, por ky mund të jetë veprim i kushtëzuar nga trajneri, duke qenë se ne lojën në ajër nuk e kemi në nivelin që duhej.
SULMI DHE FORMACIONI
Në ndeshjen e parë të Europianit me Italinë, mendoj se nuk do të ketë ndonjë ndryshim të madh nga formacioni që jemi mësuar të shohim. Mund të jenë një ose dy lojtarë. Besoj se do ta nisi me Brojën që në fillim, ndërsa rikthimi i Gjimshitit rregullon mbrojtjen. Asllani, Bajramin, Laçin, Ramadani dhe Gjasula në mesfushë formojnë një repart të kompletuar.
Sa i përket sulmit, më duhet të them se përvoja është një vlerë shumë e madhe dhe nëse do të zgjedhësh mes dy të rinjve, unë mendoj se është më mirë që t’i besohet Muçit ose Manajt. Hoxha dhe Berisha që u provuan, janë elementë të perspektivës, me një teknikë të mirë. Mirëpo, me Italinë është shumë e vështirë që të bëhet diçka e tillë. Ashtu si e shoh unë, do dëshiroja Muçin bashkë me Brojën dhe Asanin, pasi më duken një treshe e mirë për sulmin.
Mirëpo, dy anësorët e sulmit duhet të sakrifikojnë shumë në aspektin mbrojtës. Nga alternativat që kemi, Seferi është në rendimentin më të lartë në aspektin mbrojtës të ekipit. Gjithsesi, nuk mund të hyjmë te mendja e trajnerit dhe koncepti i tij për ndërtimin e formacionit apo njohjen e lojtarëve. Përgjegjësia është e Silvinjos dhe stafit të tij, që shohin çdo ditë në stërvitje lojtarët, kështu që për të mos krijuar polemika të kota, i takon atij të bëjë zgjedhjen përfundimtare.
Nëse i referohemi miqësores me Lihteshtejnin, ajo që mua më bëri përshtypje, ishte fakti që Silvinjo nuk e zëvendësoi portierin. Pse nuk u aktivizua edhe Strakosha në 20 minutat e fundit, sepse sido që të jetë aktivitet është dhe çdo gjë mund të ndodhë. Dy portierët e parë duhet të jenë në gatishmëri dhe në lartësinë e njëri-tjetrit të barabartë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"