Siti me pesë humbje radhazi, Guardiola besnik i filozofisë së tij: Nuk bëj ndryshime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2024 | 15:46

Siti me pesë humbje radhazi, Guardiola besnik i filozofisë së tij: Nuk bëj ndryshime

Pep Guardiola është zotuar se nuk do të ndryshojë qasjen e tij pasi ai përpiqet të ndalojë rënien alarmante të formës së Mançester Sitit. Trajneri i Sitit pranon gjithashtu se skuadra e tij kishte gjithmonë gjasa të pësonte një krizë në një moment, por është i bindur se ata do të japin një përgjigje të fortë.

guardiola

Kampionët kanë humbur pesë ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet, që është forma e tyre më e dobët që nga viti 2006 dhe një rekord i paprecedentë në karrierën e shkëlqyer të menaxherit Guardiola. Humbja e së shtunës, një disfatë 4-0 nga Totenhem në “Etihad Stadium”, e cila i dha fund 52 ndeshjeve pa humbje në shtëpi, ishte veçanërisht e hidhur, por trajneri i Sitit nuk do të ndryshojë filozofinë e tij taktike. Guardiola tha në konferencën për shtyp përpara ndeshjes së Champions-it me Fejnordin:

“Çfarë duhet të ndryshoj? Nëse do të ndryshoja në sezonin e parë, ndoshta nuk do të fitonim shtatë Premier Liga në tetë vite, e pamundur. Unë nuk do të ndryshoj. Në suksesin që kemi pasur, ne jemi besimtarë të mëdhenj në proces dhe në bazat që duhet të bëjmë. Ajo që duhet të besojmë është që lojtarët të cilët janë të dëmtuar të kthehen në formën e tyre më të mirë. Lojtarët që kanë luajtur shumë minuta për shkak të dëmtimeve të pushojnë pak dhe ne të marrim një rezultat të mirë që mund të ndryshojë mendjen tonë. Kjo do të kalojë. Asgjë nuk është e përjetshme”.

Katalanasi, i cili nënshkroi një zgjatje të kontratës deri në verën e vitit 2027 javën e kaluar, mendon se tani është koha për të ritheksuar qasjen e tij. Siti ka fituar 18 trofe që kur katalanasi mori drejtimin në vitin 2016, duke përfshirë gjashtë tituj të Premier Ligës, Ligën e Kampioneve dhe dy Kupa FA.

“Për shkak se ky ekip fitoi shumë gjatë shumë e shumë viteve, kur kjo ndodh, ne mendojmë: ‘çfarë po ndodh?’ Por në këtë situatë ne duhet të shkojmë më direkt te parimet tona, mos të ndryshojmë shumë, të ndryshojmë më pak se kurrë. Duhet të jeni të sigurt që do të jetë e drejtë, sepse në fund ne bëmë 26 goditje kundër Totenhemit, kishim më shumë pritshmëri golash se ata, krijuam shumë raste. Ajo që duhet të bëjmë është të këmbëngulim, të krijojmë më shumë dhe të përpiqemi të pësojmë më pak. Një ditë do të fitojmë një ndeshje dhe mendja jonë do të jetë e pastër. Shpresoj që do të jetë të martën, nëse jo, të dielën. Nëse jo, tjetra. Por dëshira është atje për ta ndryshuar dhe ne do të përpiqemi”.

ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"