Situata e vështirë, portieri Beqaj: Bylisi ka nevojë edhe për pak fat
Bylisi e ka përqendruar në dy fronte periudhën përgatitore, me skuadrën e trajnerit Dede që mendon për kampionatin, por edhe për kupën e Shqipërisë, që luhet mesjavën e ardhshme. Takimi me Albanët e Kategorisë së Dytë, që zhvillohet në “Adush Muçaj”, do të jetë edhe një test para sfidës me Skënderbeun në kampionat.
Kthesa e Bylisit filloi ndoshta që në sfidën me Partizanin, ku mallakastriotët bënë një lojë mjaft të mirë dhe krijuan edhe raste, por nuk patën fat për të gjetur golin dhe dolën pa pikë. Laert Papa dhe Gabriel Recife, të cilët u dëmtuan në sfidën me të kuqtë, janë në fazë riaftësimi dhe stafi mjekësor po bën gjithçka që ata të jenë gati pas 10 ditësh kundër Skënderbeut.
Pritet që edhe sulmuesi Mario Gjata apo ndonjë lojtar tjetër që ka pasur probleme, të jenë në formën e tyre optimale. Bylisi mban vendin e parafundit, me 5 pikë në 8 ndeshje, por loja që ka zhvilluar se ky pozicion do të ndryshojë.
BEQAJ – Portieri Renato Beqaj, i cili bëri një paraqitje mjaft të mirë ndaj Partizanit, për “Panorama Sport” thekson se skuadra ka nevojë edhe për pak fat që ta kalojë këtë moment të vështirë. “Luajtëm mirë dhe në këndvështrimin tim kemi merituar barazimin në sfidën me Partizanin. E kishim të qartë se do të përballeshim me një kundërshtar mjaft të fortë, me kualitet, por luajtëm mirë dhe goditëm portën. Iu përgjigjëm mirë Partizanit dhe në disa momente patëm edhe epërsi.
E rëndësishme është që ekipi prodhon lojë dhe ka rritje, ndaj dhe kam besim se do të bëjmë kthesën. Shpresoj që të kemi pak fat. Kampionati është i gjatë, ka shumë ndeshje dhe pikë në lojë. Na duhet të shtrëngojmë dhëmbët dhe të mobilizohemi për të marrë pikët që në duhen shumë në këtë moment. Personalisht, do të luftoj me ‘mish e me shpirt’ në çdo ndeshje për të ruajtur portën”, tha Renato Beqaj, portieri 20-vjeçar i Bylisit.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"