Situata pas humbjes në derbi, Apolonia e destinuar të ndryshojë të dielën në Vlorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2024 | 11:00

Situata pas humbjes në derbi, Apolonia e destinuar të ndryshojë të dielën në Vlorë

Apolonia po u jep dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e së dielës kundër Flamurtarin, që do të zhvillohet në Vlorë. Fierakëve u bën punë vetëm fitorja për të ndryshuar rrënjësisht situatën dhe njëkohësisht për të kapur ritmin e kryesuesve.

apolonia lushnja

Për më tepër, e kanë të ndaluar të bëjnë një tjetër hap fals në kampionat pas humbjes kundër Lushnjës. Për këtë arsye, tek Apolonia i kanë dhënë rëndësinë dhe vlerësimin e duhur kësaj sfide, pasi përballë kanë një skuadër shumë të fortë.. Duket se Apolonia i ka të gjitha “kartat” në rregull për këtë takim në transfertë. Përjashtim bënë mesfushorit Abjel Bejzade, i cili ka një problem me muskujt e barkut dhe këto ditë ka bërë vetëm terapi. Gjasat janë që ai të lihet pushim kundër Flamurtarit, për të qenë i gatshëm për ndeshjen kundër Besës. Nga ana tjetër, duket se situata me rikuperimet po shkon shumë mirë, teksa të gjithë lojtarët që kanë pasur probleme fizike janë bashkuar me grupin.

Mesfushori Mikael Rakipaj dhe sulmuesi Erald Maksuti kanë kryer stërvitje me intensitet të plotë dhe priten të jenë nga minuta e parë me vlonjatët. Me ekipin janë përshtatur shumë shpejt edhe dy afrimet e fundit, mbrojtësi Omer Repaj dhe mesfushori Altin Kananaj, të cilët duket se po “shkrihen” me pjesën tjetër të grupit. Nëse nuk do të jenë titullarë në Vlorë, pritet që trajneri Artan Mërgjyshi t’i ketë ata si alternativa në stol. Nga sa është parë këto ditë në stërvitje, trajneri Mërgjyshi do t’i rikthehet idesë së tij në lidhje me rreshtimin 4-3-3, me të cilin ka luajtur në të gjitha ndeshjet në sezonin e kaluar. Formacioni pritet të ketë disa ndryshime, por duhet parë deri në momentin e fundit gjendja e lojtarëve që vijnë nga dëmtimet, nëse ata mund ta nisin nga minuta e parë, apo nga stoli.

Sa i përket portës, Aldo Bushi është i sigurt, ndërsa mbrojtja nuk do të ndryshojë sërish, me katërshen Asllanaj, Ndubuisi, Repaj dhe Kofi. Në mesin e fushës pritet Rubin Hebeja, i cili do të rikthehet të luajë në rolin e tij natyral dhe në këtë zonë do të ketë shok reparti Mikael Rakipajn dhe Enea Topin. Për sulmin, Trifoni, Maksuti dhe Umejiego duken më të avantazhuarit për ta nisur nga minuta e parë me Flamurtarin, ku pritet kthesa.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"