SITUATA/ Sulmi në alarm për ndeshjet e nëntorit, ku do të përplaset Silvinjo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2024 | 9:32

SITUATA/ Sulmi në alarm për ndeshjet e nëntorit, ku do të përplaset Silvinjo

Zgjedhjet e Silvinjos gjithmonë kanë shkaktuar polemika, ndërsa të premten trajneri do të marrë vendimet e fundit për ndeshjet e grupit në Ligën e Kombeve, edhe pse ekzistojnë shanset që Kombëtarja të luajë një “play off” ose “play out” në muajin mars.

silvinjo kombetarja shqiperi

Para fundjavës, braziliani do t’i komunikojë publikut listën me lojtarët që do të grumbullojë për dy përballjet e këtij muaji, me Çekinë në 16 nëntor dhe Ukrainën në 19 nëntor, të dyja në “Air Albania”.

Në ndeshjen e parë, Silvinjo do të ketë përballë një ekip fizik dhe shumë të fortë në luftën në ajër si Çekia, çka do të thotë se në majën e sulmit duhet një “pykë” që duhet të përballojë shkelmat dhe bërrylat e kundërshtarit. Aktualisht ky pozicion bën disi me dhimbje koke Silvinjon pasi Rei Manaj është i dëmtuar dhe rikthimi i tij bëhet çdo ditë edhe më i vështirë.

Në takimin e parë Mirlind Daku është i pezulluar dhe “operacioni” me Seferin dhe Uzunin në majë të sulmit nuk rezultoi i suksesshëm. Kështu, braziliani i kushtëzuar do të duhet t’i besojë Indrit Tucit i cili dje është rikthyer të stërvitet me klubin e tij Sparta Pragë. Sulmuesi ka qenë jashtë skuadrës në dy ndeshjet e fundit dhe ditën e djeshme është stërvitur individualisht.

Megjithatë, ai do të jetë gati për ndeshjen e parë me Çekinë, vetëm nëse Silvinjo ka rezervuar ndonjë surprizë. Nga ana tjetër, Kristian Shpendit i janë rritur shumë kuotat ditët e fundit për një grumbullim në ekipin e parë të Kombëtares shqiptare.

21-vjeçari është në formë të shkëlqyer dhe po udhëheq listën e golashënuesve në Serinë B duke gjetur 7 rrjeta me Çezenën, por nuk dihet nëse është i përshtatshëm për Silvinjon në këto dy ndeshje dhe a është sulmuesi që braziliani kërkon. Sa i përket Armando Brojës, grumbullimi i tij është i pamundur për këto ndeshje dhe rikthimi i tij me fanellën kuqezi pritet në vitin 2025.

KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"