Situata te Flamurtari, drejtori Ferko: Zbatojmë çdo kontratë, gjyqtarët të na respektojnë
Flamurtari llogarit vetëm fitoren përballë Luzit 2008. Edhe pse kanë mungesa, në Vlorë nuk tremben. Këtë e thekson edhe Alfred Ferko, gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”. Drejtori ndalet edhe një herë te historia e gjykimit, të cilëve u kërkon që të jenë të kujdesshëm. Nuk dëshiron që të komentojë pezullimet e tre lojtarëve dhe as mungesën e Elvi Berishës në stërvitje, por qartëson se klubi do të respektojë kontratën me çdo lojtar.
Si është situata në ekip në prag të nisjes së fazës së dytë?
Jashtëzakonisht e mirë. Vazhdojmë përgatitjet dhe grupi është më i bashkuar se kurrë. Ne vijmë mbas dy rezultateve pozitive dhe tani na duhet që të vazhdojmë rrugën tonë. I gjithë stafi është i fokusuar te ndeshja me Luzit, që do ta luajmë të mërkurën në shtëpinë tonë.
Çfarë prisni nga kjo ndeshje?
Të jem i sinqertë nuk presim asgjë më pak dhe asgjë më shumë se fitorja. Të gjithë duam të vijojmë serinë pozitive të rezultateve. Janë të gjitha mundësitë reale për këtë gjë, ndaj fokusimi ynë është në nivelin maksimal.
Do të keni disa mungesa, ju shqetësojnë?
Po, do të ketë disa mungesa, por unë do ta cilësoja grupin të plotë. Lojtarët që do të hyjnë në këtë takim janë të të njëjtit nivel me ata që mungojnë. Ne kemi një grup të fortë. Është e natyrshme që gjatë kampionatit do të ketë dëmtime, do të ketë dhe kartonë. Por grupi ynë i lojtarëve është shumë i mirë dhe ne kemi besim te të gjithë ata që futen në fushën e lojës.
Cilët shikoni si kundërshtarë?
Kundërshtarët janë ata që kanë qenë. Por ne mbetemi në rrugën tonë, e cila do të jetë e gjatë. Ne sigurisht që do të bëjmë maksimumin.
Gjykimin e keni kontestuar jo pak, i druheni për vazhdimësinë?
Jo nuk i druhemi. Secili ka mendimet e veta. Ne si Flamurtar kemi qenë korrektë në të gjitha gjërat dhe për organizimin e ndeshjeve. Kemi treguar që në Vlorë ndeshjet kanë qenë të qeta dhe jemi munduar për të siguruar kushte optimale që nga arbitrat dhe deri te skuadrat. Jo, nuk kemi frikë. Ne bëjmë punën dhe nuk duam të merrem më me ata. Por një gjë ua them që të jenë të kujdesshëm. Njeriu duhet të ketë pak respekt për historinë e këtij klubi dhe për shpenzimet financiare që bëhen këtu. Klubi vendosi të pezullonte tre lojtarë dhe më pas i fali, ndonëse Berisha ka munguar në stërvitje.
Mund të na shpjegoni diçka më shumë nga kjo situatë?
Jemi të fokusuar te ndeshja e radhës. Por mund të them vetëm se klubi do të respektojë kontratën me çdo lojtar.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"