S’ka titullarë të paprekshëm në ekipin kampion, Inzagi vë diktatin te Interi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2024 | 8:50

S’ka titullarë të paprekshëm në ekipin kampion, Inzagi vë diktatin te Interi

Simone Inzagi ka vendosur të ndryshojë. Interi i këtij sezoni nuk do të ketë titullarë fiks dhe askush nuk e ka vendin e sigurt në formacionin bazë. Vitin e kaluar në fakt disa prej lojtarëve ndiheshin të privilegjuar dhe luanin thuajse gjithmonë nga fillimi i ndeshjes. Por tani është një tjetër histori.

inzagi

Sepse Interi nuk është i fokusuar vetëm tek një kompeticion. Derbi i humbur me Milanin diçka ka ndryshuar dhe ndonjë pikëpyetje e ka sjellë. Dhe tani mesazhi për skuadrën ka qenë i qartë: Hierarkitë në skuadër nuk ekzistojnë, të gjithë duhet ta ndiejnë veten në diskutim. Trajneri ka mbetur shumë i zhgënjyer nga qasja që ka pasur skuadra në dy pjesët në derbi. Lodhja nuk është një alibi e vlefshme, duke parë që nga Mançesteri te Milani ishin 5 zëvendësime nga 10 lojtarë pa llogaritur portierin. Është normale që trajneri të marrë një vendim të menjëhershëm. Madje, edhe me koston që të marrë vendime të forta.

MIKS- Nuk mund të gabojnë kaq shumë dhe ky është një koncept shumë i qartë në mendjet e lojtarëve. Këtë ka dashur që t’ua përçojë trajneri pas humbjes me Milanin. Inzagi në fakt kishte folur edhe publikisht për këtë temë. “Kemi marrë shumë pak pikë. Duhet të ndryshojmë marsh”, tha të dielën në mbrëmje. Për ta bërë këtë, duhet që të rikuperojë psikologjikisht disa nga lojtarët. Lautaron mbi të gjithë, ose Mkitarianin dhe Pavarin.

Ishin tre kolona të yllit të dytë. Interi kishte një avantazh në krahasim me ekipet e tjera, që do ta niste garën si një skuadër e vërtetë dhe pa shumë ndryshime. Në fakt, kjo gjë u shndërrua në një “bumerang”. Dhe nga ky moment deri në fundin e muajit, pra deri në duelin direkt me Juventusin, Interi duhet të ndryshojë. Nuk duhet të humbasë terren me rivalët. Udineze, Cervena Zvezda dhe Torino do të tregojnë diçka. Interi duhet të jetë i zoti që të “driblojë”.

RREZIK- Gjithçka do të kuptohet ditën e sotme. Por ka një fakt që nuk mund të mos merret parasysh. Të gjitha skuadrat që kanë nisur një cikël fitues, kanë ndryshuar diçka nga njëri sezon në tjetrin. Vështirë që të qëndrojnë të njëjtët gjithmonë. Interi duhet të shkojë përtej këtij aspekti. Duhet që të rinovojë veten pa u çnatyralizuar.

Kështu aktivizimi i Taremit dhe Zielinskit është shumë i rëndësishëm. Ndeshja në Udine është e rrezikshme, kjo është e vërteta. Skuadra e Inzagit ende nuk ka fituar në transfertë. Deri tani ka marrë vetëm barazime. Duhet patjetër kujdes dhe përqendrim maksimal për të mos pësuar gola të lehtë. Tashmë po shndërrohet në një “zakon” të rrezikshëm. Interi nuk di të përmbysë më ndeshjet dhe nuk duhet që të pësojë i pari.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"