Skandal me tifozët në Lushnjë, tension edhe në tribunën VIP! Njihuni me pikantet e Tirana-Vllaznia (E PLOTË)
Klasikja e djeshme në Lushnjë pati mo mente të jashtëzakonshme. Veç dëmtimit të lojtarëve të Vllaznisë, në “Roza Haxhiu”, u shënuan disa të veçanta, të cilat ua sjell “Panorama Sport”.
-Një skandal është prodhuar sërish në futbollin shqiptar. Klasikja mes Tiranës dhe Vllaznisë ka parë tre lojtarë të kuqebluve në tokë, pas një lënde plasëse nga tifozët e Tiranës. Kuqeblutë po festonin golin e shënuar nga Gruda, për rezultatin 1- 4. Ishte minuta e 66-të e takimit, teksa festimi vazhdonte, tre lojtarë të Vllaznisë u dëmtuan. Pas lëndës plasëse dhe dëmtimit të lojtarëve, ndeshja u ndërpre për 13 minuta për t’u ardhur në ndihmë lojtarëve. Qato dhe Mala ishin dy më të turbulluarit. Menjëherë Mala u ndërrua nga stafi i Vllaznisë dhe u shoqërua me ambulancë në spital.
-Mala, mësohet se ka pësuar djegie në dy vende të trupit pas shoqërimit me ambulancë në spitalin e Lushnjës. Gjithçka erdhi pas golit të katërt të kuqebluve, që fituan në fund 3-4. Ishte minuta e 66-të e takimit, kur shkodranët po festonin golin e Grudës. Tifozët e Tiranës lëshuan lëndë plasëse, ndërsa më pas tre lojtarë të Vllaznisë u shtrinë në tokë dhe kishin nevojë për ndihmë mjekësore. Kahrimanoviç dhe Qato po ashtu kishin shqetësime. Esat Mala u rikthye sërish në stadium pasi kishte marrë ndihmë të specializuar, teksa ndeshja kishte përfunduar.
-Pasi Vllaznia përfundoi procesin e nxehjes një tifoz shkodran me altoparlant thërret: “Hajde djema me fitore-hajde Balaj me fitore”. I solli fat Vllaznisë teksa Balaj shënoi një dygolësh, në 18 minutat e para.
-Skuadrat pritën disa minuta në fushë dhe përfituan për të qarkulluar topin. Derisa Jorgji vendosi për startin e ndeshjes, që nisi pak minuta pas orës 14:00.
-Në minutën e 26-të, kryesori Jorgji ndërpreu lojën, pasi kishte dy topa në fushë. Teksa luhej, një top tjetër një top tjetër qëndronte i ndalur pranë këndit, në të djathtë të sulmit shkodran.
-Në tribunë qendrore ndodheshin edhe futbollistët e Lushnjës. Pasi përfunduan seancën stërvitore, të zhvilluar në mesditë erdhën nga Plugu, në stadium për të ndjekur sfidën.
-Gjatë gjithë pjesës së parë nuk munguan ofendimet e ndërsjellta midis tifozëve të Tiranës dhe atyre të Vllaznisë. Një fjalor shumë i ulët që çuditi të pranishmit.
-Tension i madh edhe në tribunën qendrore pas golit të katërt të Vllaznisë. Kapsollat e hedhura në drejtim të lojtarëve kuqeblu shkaktuan irritim te shkodranët. Gjithçka u qetësua me ndërhyrjen e forcave të Policisë së DVP-së Fier.
-Presidenti Xhaferri u largua pak para përfundimit të takimit. Ai u përshëndet përzemërsisht me kolegun Halili dhe la stadiumin “Roza Haxhiu”.
-Pas përfundimit të takimit delegati Besnik Çela ndoqi nga monitori incidentet, që shoqëruan takimin pas golit të katërt të Vllaznisë, duke riparë edhe një herë gjithçka që ndodhi.
– Erdenis Gurishta priste të bëhej baba(shkodrani u bë babai i një vajze në fund të takimit) dhe për këtë, dje nuk ishte në dispozicion të Vllaznisë. Kështu mbrojtësi i djathtë u thirr me urgjencë nga familja dhe nuk ishte nën urdhërat e Brdariç. Ky i fundit e ka Gurishtën titullar në formacionin e tij, megjithatë dje i bëri llogaritë pa të. Klasikja kundër Tiranës shihet si një ndër ndeshjet më të rëndësishme të Superiores dhe mungesa e tij ra në sy
ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"