Skënderbeu, akord me dy portugezë për mesfushën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2025 | 20:59

Skënderbeu, akord me dy portugezë për mesfushën

Skënderbeu ka gati afrimet e para në këtë hapësirë merkatoje. Edhe pse asnjë zyrtarizim nuk ka ardhur deri në këto momente nga ana e klubit, korçarët janë në bisedime të avancuara me dy lojtarë. Bëhet fjalë për dy portugezë, të cilët janë kontaktuar prej kohësh nga klubi juglindor dhe duket se në parim ka një akord me drejtuesit bardhekuq.

Skenderbeu

Ata janë të dy mesfushorë dhe kanë luajtur në ligat inferiore të Portugalisë, ndërsa për emrat klubi është hermetik për momentin, pasi ende nuk ka firmosur me ta. Tani pritet që këta lojtarë të vihen në dispozicion të trajnerit Ernest Gjoka.

Të kontaktuar nga “Panorama Sport”, drejtuesit e Skënderbeut kanë konfirmuar faktin se janë pranë akordit me këta lojtarë, por nuk pranojnë të japin më shumë detaje për profilet e tyre, duke iu drejtuar ndoshta konkurrencës. Përveç dy portugezëve, klubi korçar pritet të bëjë përforcime edhe për mbrojtjen e sulmin, që trajneri Gjoka të ketë të kompletuar skuadrën për gjysmën e dytë të sezonit.

LARGIMET – Aktualisht janë tre lojtarët e larguar zyrtarisht nga Skënderbeu, por edhe disa të tjerë janë me valixhe në duar. Bëhet fjalë për mesfushorin Henrik Nerguti dhe mbrojtësin Klevis Shaqe. Nerguti duket se ka dalë jashtë planeve të trajnerit Gjoka dhe do ta mbyllë këtu me Skënderbeun, ndërsa Shaqe mund të huazohet deri në fund të sezonit.

Për momentin këto lëvizje janë pezull, sepse korçarët kërkojnë fillimisht të mbyllin gjithçka me afrimet e më pas të vijojnë me largimet, për të mos u gjendur me një ekip të boshatisur, nëse nuk ia dalin të marrin lojtarët e dëshiruar.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"