Skënderbeu “binjakëzim” me klubin e Kategorisë së Parë, ja çfarë pritet të ndodhë
Pasi kanë kompletuar skuadrën dhe po vijojnë me fazën përgatitore, drejtuesit e Skënderbeut duken të angazhuar edhe në pjesën e bashkëpunimeve me klubet e tjera të qarkut, që kanë sezonin e parë në nivele të larta dhe detyrimisht kanë nevojë për mbështetje.
Rasti unik vjen pikërisht nga bardhekuqtë. Sikundër nuk ka ndodhur asnjëherë më parë mes ekipeve të Juglindjes, që gjithmonë kanë treguar rivalitet të theksuar me njëra-tjetrën, jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj, këtë herë duket diçka ndryshe.
Burime të sigurta në klubin korçar bëjnë me dije për “Panorama Sport”, se së fundmi ka pasur disa takime mes presidentit Ardjan Takaj dhe drejtuesve të Maliqit, që këtë sezon do të luajë për herë të parë në Kategorinë e Parë. Mësohet se në këto takime janë diskutuar shumë tema, duke filluar që nga mënyra e organizimit si një klub serioz, e deri te mbështetja me futbollistë, nëse do të jetë e nevojshme dhe e mundshme për ekipet. Me pak fjalë, duket si një binjakëzim mes dy ekipeve fqinje të Juglindjes që pritet të kenë një bashkëpunim të ngushtë me njëri-tjetrin, pasi në sezonin 2021-2022, Maliqi do t’i luajë edhe ndeshjet në stadiumin e Korçës.
LOJTARËT
Çështja tjetër që është ende në bisedim e sipër, është ajo e huazimit të disa lojtarëve nga Skënderbeu te Maliqi, për t’u dhënë mundësinë këtyre të fundit që të krijojnë një grup shumë herë më kompakt dhe të fortë. Dihet që Skënderbeu e ka mbyllur merkaton në hyrje tashmë dhe kjo është konfirmuar për gazetën nga vetë Takaj.
Klubi do të mbajë 25 lojtarë, aq sa edhe lejohen për federim, por aktualisht ka disa të tjerë që po stërviten dhe e kanë të pamundur të regjistrohen në sezonin e ri si pjesë e bardhekuqve. Prandaj, pritet që një pjesë e tyre të kalojnë te Maliqi vetëm në formën e huazimit.
Në takimin e fundit është diskutuar për emra konkretë, por ende nuk është mbyllur diçka në parim. Të paktën për momentin emrat më të diskutuar janë ata të mbrojtësit Abei dhe dy-tre lojtarë të tjerë që pritet të mbyllen së shpejti, sapo edhe Memelli të bëjë zgjedhjet përfundimtare në ekip.
LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"