Skënderbeu, dilema për Gvozdenoviç para Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2024 | 16:45

Skënderbeu, dilema për Gvozdenoviç para Teutës

Skënderbeu ka nisur dje përgatitjet për ndeshjen e radhës në shtëpi me Teutën, e vlefshme për javën e 4-t të kampionatit. Trajneri Ivan Gvozdenoviç është qetësuar nga rikuperimi në kohë i sulmuesit kryesor, Bismark, i cili do të jetë gati për skuadrën në ndeshjen e 11 shtatorit në Korçë.

skenderbeu

Krahas tij, lajme të mira vijnë edhe nga Kosta Vangjeli dhe Albi Doka. Korçari ka pasur shqetësime në kavilje dhe për disa ditë ka punuar veçmas grupit, por dje është bashkuar plotësisht me ekipin. Nga ana tjetër, kryeqytetas që sapo është afruar te Skënderbeu, ka treguar një formë të mirë fizike dhe mendohet që në ndeshjen ndaj Teutës të ketë minuta. Ende nuk është vendosur, nëse Doka do ta nisë menjëherë si titullar, apo do të hyjë në lojë e sipër. Seancat e ardhshme stërvitore do të tregojnë më shumë për këtë fakt.

DILEMAT – Shqetësimi më i madh për trajnerin e Skënderbeut aktualisht është gjendja e Dejvid Janaqit. Një prej lojtarëve më të mirë të korçarëve në mesfushë ka lënë grumbullimin e Kombëtares U-21 për shkak dëmtimi dhe gjendja e tij do të shihet ditët në vijim. Nëse ai mungon, do të ketë ndryshime në mënyrën e lojës për korçarët. Trajneri Gvozdenoviç po i paraprin situatës për të pasur një alternativë gati, në rast të mungesës së mesfushorit Janaqi.

MUNGESAT – Ditën e parë të përgatitjeve për ndeshjen e radhës me Teutën, korçarët kanë pasur dy mungesa në grupin e lojtarëve. Bëhet fjalë për Ermir Rashicën dhe Ardit Nikajn, të cilët janë të angazhuar me Kombëtaren U-21. Pritet që kur këta dy lojtarë të rikthehen nga grumbullimi, trajneri Gvozdenoviç të krijojë një ide më të qartë rreth formacionit që do të hedhë në fushë kundër Teutës.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"