Skuadra e Dedes gjen fitoren në Kupë, Bylisi kolaudon sulmin para sfidës me Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2024 | 11:58

Skuadra e Dedes gjen fitoren në Kupë, Bylisi kolaudon sulmin para sfidës me Skënderbeun

Bylisi ka rigjetur fitoren, jo në kampionat, por në Kupën e Shqipërisë, ku ka fituar 5-1 ndaj Adriatikut në turin e parë. Këto dy skuadra ndesheshin për herë të parë në histori mes tyre. Mallakastriotët, siç tregon edhe rezultati, kanë dominuar në lojë dhe mund të kishin shënuar më shumë se 5 gola.

BYLIS

Ndeshja u luajt në kompleksin “Bylis”, pa tifozë për shkak të dënimit nga Disiplina, duke qenë se fusha e stadiumit u ruajt për në fundjavë, kur në Ballsh do të vijë Skënderbeu për sfidën e javës së 9-të të kampionatit. Trajneri Nevil Dede aktivizoi një pjesë të madhe të titullarëve, por u dha hapësirë edhe elementëve të rinj, si Markut në mbrojtje dhe brazilianit 18-vjeçar Laercio. Në pjesën e parë u shënuan 4 gola, 2 të tjerët në të dytën, teksa miqve u mjaftoi goli i nderit nga sulmuesi Hasani.

PJESA E PARË – Trajneri Dede pa në kushte loje gjendjen e disa titullarëve, por edhe lojtarë që kërkojnë hapësira dhe që janë pjesë e projektit të klubit. Marku dhe Çelaj janë risia e formacionit të Bylisit. Edhe miqtë luajnë me një formacion miks, ndërkohë që për ta është një ndeshje prestigji. Bylisi e nis në sulm dhe pas 8 minutash Patrik Treni shënon golin e parë. Sulmuesi gradualisht po kap formën e tij më të mirë. Pas tij është Endri Çelaj, që pas një aksioni model me kombinime me Trenin e Igor, gjen rrugën e rrjetës, duke finalizuar në mënyrë perfekte. Bylisi nuk ndalet, ndërsa Adriatiku e ka të vështirë të reagojë. Në fundin e pjesës së parë do të vijnë edhe dy gola të tjerë për ballshiotët. Fillimisht Bruno realizon golin e tretë dhe një minutë më pas sulmuesi Mario Gjata shënon golin e parë me fanellën e Bylisit.

PJESA E DYTË – Këtë fraksion Bylisi e nis me dy lëvizje, Mahmuti i lë vendin brazilianit Gabriel në mbrojtje, kurse Përgjoni është në vend të Sulovarit. Pak minuta më vonë hyn në fushë dhe braziliani Laercio. Adriatiku shkurton diferencën e golave me sulmuesin Hasani, pas një asisti të Locit në minutën e 60-ë. Deri në fund, edhe pse krijon shumë raste, do të ketë edhe një gol, ose më mirë një eurogol, që mban firmën e Laercios, i cili “vulos” fitoren 5-1. Në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë ballshiotët do të ndeshen me Luzin dhe kanë shanse të mëdha për të vazhduar më tej. Ndeshja e djeshme ishte njëkohësisht edhe një test i mirë para Skënderbeut, kundërshtarit të radhës për Bylisin në kampionat. Është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe në kampin mallakastriot llogariten vetëm 3 pikët, pasi javët e fundit nuk kanë mundur të marrin pikë dhe aktualisht mbajnë vendin e parafundit në renditje.

Bylis-Adriatiku 5-1

Golat: Treni 8′, Çelaj 36′, Bruno 44′, Gjata 45′, Laercio 88′ / Hasani 60′

Bylis: Hasanbelli, Bruno, Mahmuti (Gabriel Recife 46′), Marku, Peralta, Igor (Laercio 58′), Sulovari (Përgjoni 46′), Kasaj, Çelaj, Treni (Maçolli 78′), Gjata (Berko 70′). Trajner: N.Dede

Adriatiku: Pëllumbi, Tragaj (Alla 72′), Mustaka, Dhimitri, Farid (Kodra 72′), Velaj, Mema (Mala 57′), Elezi (Fuçia 57′), Hasani (Torra 74′), Loci, Dermani. Trajner: D.Mehmeti

Gjyqtarë: E.Bylykbashi, R.Jahja, R.Zogu (Elbasan)

Kartonë të verdhë: Përgjoni 75′ / Tragaj 51′, Mala 75′

Delegat: Maksim Tegu (Fier)

Vëzhgues: Ndriçim Havaraj (Vlorë)

Erjon Saliu-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"