Slot mbron sërish Arnoldin te Liverpuli: Të gjithë bëjnë një ndeshje të keqe
Arne Slot është i përgatitur të lejojë që merkato e janarit të kalojë pa bërë ndonjë transferim për Liverpulin, pasi ai i beson skuadrës së tij aktuale për të fituar kudo ajo lufton këtë sezon.
Liverpuli ka bërë vetëm dy blerje të rëndësishme që kur Slot u bë trajneri i tyre i ri verën e kaluar, duke nënshkruar me Federiko Kiezën për 10 milionë paund dhe duke siguruar një marrëveshje prej 33 milionë paundësh për portierin e Gjeorgjisë, Giorgi Mamardashvili, që të mbërrijë në fund të këtij sezoni.
Tifozët kërkojnë nga pronarët e “Fenway Sports Group”, që të mbështesin financiarisht Slotin për t’i dhënë skuadrës një shtysë ndërsa ata i drejtohen momentit përcaktues të sezonit, me objektivin kryesor që është fitimi i Premier Ligës. Por Slot, i cili po përgatitet për ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës Karabao me Totenhemin, nuk po kërkon gjak të ri në skuadër dhe më e rëndësishmja, mendon se lista aktuale e skuadrës ka thellësinë dhe talentin e mjaftueshëm për të ndihmuar në përmbushjen e objektivave të tyre.
“Do të ishte pak e çuditshme, pas asaj që ju thashë në verë, nëse do të thosha se jemi shumë të lumtur me ekipin dhe tani do t’ju them diçka ndryshe”, tha Slot, i cili shpreson se mesfushori kryesor Dominik Soboszlai do të shërohet për të qenë i gatshëm në ndeshjen e sotme.
“Por ky klub ka bërë gjithmonë merkato. E bëmë këtë me portierin që nuk e kemi tani (Mamardashvilin), por skuadra është në një pozicion të mirë. Fatkeqësisht, Xho Gomez është i dëmtuar, kështu që ne kemi nga katër qendërmbrojtës tre, por unë jam shumë i lumtur me ekipin”.
Holandezi ka të ngjarë të luajë me një ekip të fortë në Totenhem, pasi Liverpuli vazhdon përpjekjet e tyre për të mbrojtur trofeun që ka fituar 10 herë (rekord). Por nëse do të aktivizohet Konor Bredli apo Trent Aleksander-Arnold në krahun e djathtë të mbrojtjes, kjo mbetet për t’u parë. Performanca e Arnoldit në barazimin 2-2 të së dielës me Junajtid është kritikuar shumë, shtuar kjo edhe prej interesit të Realit për lojtarin në skadencë kontrate. Slot u pyet përsëri për të ardhmen e mbrojtësit të tij dhe u tregua diplomatik:
“Mendoj se të gjithë ishim të zhgënjyer, jo vetëm Trent, nga mënyra se si luajtëm. Para së gjithash nga rezultat. Por nuk ishte vetëm Trent që nuk luajti shumë mirë. Këta lojtarë e dinë se nëse luani 50-60 ndeshje në një sezon, herë pas here nuk bëni performancën tuaj më të mirë”.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"