Slot me rezervat e Liverpulit në Eindhoven, stërvit 8 lojtarë të akademisë
Arne Slot thërriti tetë lojtarë të akademisë në stërvitjen e ekipit të përpara ndeshjes kundër PSV Eindhovenit. Ashtu si paraardhësi i tij, Jyrgen Klop, trajneri holandez ka treguar se nuk ka frikë të përdorë produktet e klubit këtë sezon.
Dhe sot ai paralajmëroi se pritet të hedhë një skuadër me shumë ndryshime, duke parë se “Reds”-at e kanë siguruar kualifikimin, madje janë e vetmja skuadër këtë sezon në Ligën e Kampioneve, që kanë fituar çdo ndeshje të kësaj faze deri tani (7). Ndër fytyrat e reja që u panë dje në stërvitje ishin Xhejdën Dens, i cili u pa të sillte nuancat e sezonit 2023-24 në “Anfield” ndaj Akringtonit, duke përfituar nga mundësia që ju dha nga stoli për të shënuar golin e tretë në fitoren 4-0 të Liverpulit.
Xhejms MekKonell gjithashtu ka shijuar minuta nga stoli në kompeticionet e ndryshme të kupave, ndërsa Trei Nioni luajti 80 minuta kundër Sauthemptonit në Kupën e Ligës, por ka qenë në stol për disa ndeshje në Premier Ligë, duke përfshirë Mançester Sitin në shtëpi. “Objektivin e kemi arritur dhe tani mendojmë t’u japim një mundësi lojtarëve për të ulur ngarkesën në këtë moment të ngjeshur të sezonit dhe të rinjve që të tregojnë veten e tyre. Ky është një test shumë i mirë për këtë”, tha Slot.
STATISTIKAT – Liverpuli ka fituar secilën nga pesë takimet e fundit ndaj PSV-së në Ligën e Kampioneve dhe më shpesh ka mposhtur vetëm Porton (gjashtë ndeshje) në këtë kompeticion. Në ndeshjen e fundit “Reds”- at fituan 3-1 në Eindhoven në dhjetor 2008 në fazën e grupeve të Champions-it, duke triumfuar me përmbysje. Në tërësi, Liverpuli është i pamposhtur në 17 ndeshjet e fundit kundër kundërshtarëve holandezë, me 12 fitore dhe pesë barazime.
Anglezët kanë fituar 12 nga 15 ndeshjet e fundit jashtë në Ligën e Kampioneve, duke u krenuar me përqindjen më të lartë të fitoreve jashtë fushe në këtë kompeticion që nga sezoni 2021-22 (85 për qind). Slot po kërkon të bëhet trajneri i katërt që fiton katër ndeshjet e tij të para jashtë me një klub në kompeticion, pas Klaudio Ranierit me Çelsin në 2003-04, Pep Guardiolës me Bajernin e Mynihut në 2013-14 dhe Hansi Flikut me Bajernin e Mynihut në 2019- 20 deri në 2020-21.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"