“Sms” Egnatias, Nasr: Për fitore edhe në Rrogozhinë, s’kam parë eufori pas rezultateve të fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2024 | 0:05

“Sms” Egnatias, Nasr: Për fitore edhe në Rrogozhinë, s’kam parë eufori pas rezultateve të fundit

Rikthimi i kampionatit e impenjon Teutën në një transfertë shumë të vështirë, siç është ajo me Egnatian kampione në fuqi. Edhe pse vitet e fundit durrsakët kanë pasur një ecuri goxha të mirë ndaj këtij kundërshtari, ndeshja e nesërme ka një koeficient të lartë vështirësie.

Al Nasr

Sulmuesi Saleh Nasr beson se Teuta do të vazhdojë ecurinë e mirë edhe në Rrogozhinë. Ai e vlerëson Egnatian, por thekson se asgjë nuk është e pamundur. Në një intervistë për “Panorama Sport”, futbollisti egjiptian shprehet se fitorja në Rrogozhinë nuk është e pamundur.

Nasr, si ka ndryshuar atmosfera në skuadër pas fitores me Tiranën, duke parë situatën ku ishit?

Jemi të kënaqur me paraqitjen që kemi bërë si skuadër në ndeshjen ndaj Tiranës. Kemi marrë pikët e plota dhe kemi bërë ndeshje mjaft të mirë. Lojën e kishim nën kontroll dhe në fund arritëm të fitonim. Ai rezultat na ka dhënë shpresë për të vijuar me një ecuri akoma më të mirë.

Çfarë sfide prisni me Egnatian këtë fundjavë?

Është një moment i sezonit, kur të gjitha ekipet kanë motivimin e veta. Do të jetë një ndeshje mjaft e vështirë, patjetër, sepse luajmë me një skuadër mjaft të përgatitur dhe kampione në fuqi. Gjithsesi, jemi përgatitur mjaft mirë dhe do të synojmë maksimumin e pikëve, si në çdo takim tjetër.

Në aspektin personal si ndiheni pas golit të dytë në kampionat?

Jam shumë i lumtur që shënova, po mundohem gjithmonë të tregoj forcën time reale dhe të ndihmoj skuadrën. Kemi besim të gjithë, pasi mendoj se kemi një ekip të kompletuar. I kemi të gjitha mundësitë par t’i bërë ballë çdo kundërshtari. Fizikisht dhe mendërisht jemi shumë mirë para sfidës me Egnatian. Tani po shënojmë më shumë dhe mbi të gjitha po tregohemi më solidë.

Presioni për fitore është më i madh te kundërshtari. Sa mund të ndikojë ky fakt në favorin tuaj?

Presioni është edhe te ne, edhe te Egnatia, për vetë pozicionet që kemi në klasifikim. Jemi në vend të 5-të dhe natyrshëm na duhen pikë. Ndeshja do të jetë e luftuar, sepse të dy ekipet do të luajnë për të fituar. Por ne kemi pasur një ecuri të mirë dhe ndoshta kjo gjë na jep besim ta kurorëzojmë me sukses ndeshjen dhe të ngjitemi më lart në renditje. Mundësitë janë.

A i duheni faktit se mund të ketë eufori pas fitores së fundit me Tiranën?

Jo, nuk mendoj se ka eufori. Të gjithë djemtë janë me “këmbë në tokë”, për këtë gjë kemi folur gjatë gjithë kohës. E dimë mirë që kampionati ka ende shume ndeshje, nuk kemi bërë asgjë deri tani. Në fund të kampionatit do të bëhen llogaritë, duke i marrë ndeshjet një e nga një. E rëndësishme është që të jemi gati për të 100%- shin tonë në çdo moment.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"