Solidaritet në mbrojtje dhe shpeshherë fat, Interi është “bunkeri” i Europës
Pas javës së katërt të fazës së kampionatit të Ligës së Kampioneve, është një qytet në festë të plotë: Milano.Nëse Milani i Fonsekës rikthehej në qytet me një sukses në Madridi, ai që me një moskokëçarje vazhdon të nxjerrë pikë në një atmosferë normaliteti të plotë është Interi i Simone Inzagit. Plot dhjetë për të qenë të saktë, në katër ndeshje, më pak vetëm se Liverpuli. Kundër Arsenalit, trajneri i lejoi vetes luksin të mendonte pak edhe për Napolin, siç bëri ndër të tjera në Mançester kundër Sitit, duke lënë jashtë Turamin, Barelën, Bastonin dhe Dimarko sa për të përmendur disa, por pa humbur karakteristikën që e ka dalluar gjithmonë: kompaktësinë.
FAKTORË KYÇ – Me mish e shpirt, por edhe me zemër. Mund të shprehemi si të duam, por tre pikët ndaj Arsenalit erdhën në fund të gati 100 minutave vuajtje, në të cilat megjithatë Interi i Simone Inzaghit mundi të lagte barutin e “Topçinjve” në çdo mënyrë duke ruajtur portën e paprekur për të katërtën herë radhazi (si Atalanta), siç nuk kishte ndodhur që nga viti 2004/05 kur Juventus e bënte diçka të tillë në katër ndeshjet e para të Champions-it. Duke lënë mënjanë lëvdatat për një ndeshje, e cila pavarësisht nga mënyra vlen tre pikë themelore, ka dy gjëra për t’u analizuar: roli i mbrojtësve më pak të përdorur dhe faktori “rastësi”. I pari na sjell parasysh Bisekun dhe De Vrajn, me holandezin titullar në periudhën e fundit për shkak të dëmtimit të Açerbit. Kundër Arsenalit ata nuk gabuan asnjë top, asnjë duel ajror apo një zgjedhje dhe mbi të gjitha gjermani ishte vendimtar me disa mbyllje fantastike. Meritë e madhe për drejtimin e grupit nga ana e Simone Inzagit, i aftë në këtë sezon më shumë se kurrë për të përfshirë të gjithë lojtarët edhe në ndeshjet e mëdha, çka përbën një evolucion krahasuar me 3-5-2-shin e sezoneve të kaluara.
EDHE PA MERITË – Aspekti i dytë është rastësia. Të njëjtat centimetra që nxorën në pah performancat e, ndër të tjera, Bisek dhe De Vrij janë ato që mund të kishin shkruar një histori tjetër, si dhe veprimi që çoi në penalltinë e shndërruar më pas nga Çalhanoglu. E veçanta është se nëse nga njëra anë mund të flasim për një Inter të padepërtueshëm siç tregohet nga zero golat e pësuar në këtë Champions, nga ana tjetër nuk mund të pretendojmë se ndaj Mançester Sitit (normale), Jang Bojsave dhe Arsenalit, ekipi zikaltër sivjet në Europë ka marrë pikë edhe përtej meritave.
E thonë “golat e pritur”, ajo e dhënë statistikore e bazuar në rrezikshmërinë e aksioneve. E thënë kështu, ndaj Interi duhet të kishte pësuar 6.5 gola në këto katër ndeshje, por ja që në vend të kësaj Zomer e gjeti veten gjithmonë me portën e paprekur. Centimetra, devijime të rastësishme, mrekulli… grintë, si hera e fundit që Interi fitoi tre ndeshje radhazi në Champions pa pësuar gol: Mars-Prill 2010, me Murinjon si trajner. E dimë të gjithë edhe se si përfundoi.
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"