Sondazhe për një mesfushor me eksperiencë, Dinamo është gati ti bëjë dhuratë trajnerit Daja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2025 | 10:16

Sondazhe për një mesfushor me eksperiencë, Dinamo është gati ti bëjë dhuratë trajnerit Daja

E premtja e 10 janarit e gjen Dinamon në fushë për ndeshjen e javës së 20-të ndaj Bylisit në transfertë.

dinamooo

Kampionët e dimrit nisin kështu misionin për të ruajtur pozicionin që kanë në tabelë për të shkuar si favoritë kryesorë në “Final 4”. Blutë do të kenë të gatshëm edhe Dejvi Bregun për këtë ndeshje, pasi vlonjati është rikuperuar plotësisht dhe mbetet për t’u parë, nëse trajneri Ilir Daja do ta hedhë në fushë nga minuta e parë, apo nga stoli, pasi sulmuesi ka më shumë se një muaj që nuk luan për shkak dëmtimi.

MERKATO – Në këtë periudhë merr vëmendje të veçantë merkatoja, ku edhe Dinamo pritet të bëjë lëvizjet e saj, por që do të jenë të pakta. Kryeqytetasit në fakt kanë një grup të mirë dhe presidenti Adrian Bardhi ka vendosur që të qëndrojnë të gjithë të paktën deri në fund të sezonit, pavarësisht interesimit për ndonjë nga titullarët e spikatur deri tani, si Mandela e Zabërgja e ndonjë tjetër. Klubi për momentin është fokusuar tek afrimi i 2-3 lojtarëve që do të ishin alternativa dhe do t’i shërbenin skuadrës në çdo moment, kur mund të ketë mungesa për shkak dëmtimesh apo kartonësh. Përparësi në merkaton e Dinamos kanë lojtarë që e njohin futbollin shqiptar, edhe pse alternativat janë shumë të limituara, nëse flasim për elementë me kualitet.

MISTER “X” PËR MESFUSHËN – Sipas informacioneve pranë klubit blu, stafi teknik kërkon të përforcojë mesfushën me një lojtar me eksperiencë. Bëhet fjalë për një lojtar me karakteristikat e numrit 6, që të mbajë peshë në këtë repart, ku titullarë janë aktivizuar rregullisht Toli dhe Gudiabi. Kanë luajtur po ashtu Qefalija dhe Karamba dhe mesfushori i vetëm që mbetet në stol është Doçi, një lojtar i ri në moshë. Për këtë arsye trajneri Daja kërkon t’i shtojë organikës edhe një përforcim në këtë sektor. Sondazhet e klubit për këtë lojtarë vazhdojnë. U përmend fillimisht Ardit Hila, por kjo pistë ra poshtë më pas.

Pati zëra edhe për një mesfushor lituanez, që është pjesë e kombëtares së vendit të tij, por edhe për këtë pista shanset janë të pakta, pasi lojtari duket se joshet nga kampionate të tjera. Drejtuesit e Dinamos po shohin të gjitha mundësitë që ofron tregu aktualisht, në kampionatin kosovar dhe atë maqedonas, por nuk përjashtohet ndonjë surprizë nga Superiorja. Gjithçka mbetet e hapur, ajo që nuk i bën blutë të nxitojnë ka të bëjë me faktin se ata e kanë skuadrën. Për sa u përket largimeve nga grupi aktual, nuk pritet që të ketë lëvizje përveç asaj të mbrojtësit Mateo Muzek, i cili e kishte mbyllur sezonin për shkak dëmtimi dhe tashmë ka ndërprerë edhe kontratën me kryeqytetasit. Ndoshta mund të ketë ndonjë huazim të ndonjë lojtari të ri, që nuk jen hapësira te kjo Dinamo.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"