SOT, 14:00/ Besa kërkon fitoren për vendin e dytë! Krasniqi sfidon vendlindjen: Valbona do pikë
Besa do të rikthehet sot në stadiumin e Rrogozhinës, ku në orën 14:00 do të presë Valbonën. Në fazën e parë kanë qenë kavajasit ata që triumfuan në Tropojë në shifrat 2-0.Gjithsesi, në kampin kavajas e kanë të qartë se kësaj radhe përballë do të kenë një Valbonë ndryshe, e aq më shumë që me ardhjen e trajnerit të ri Vladimir Gjoni kanë bërë një progres të dukshëm në dy javët e fundit. Besa duhet të ketë kujdes, pasi tropojanët kanë treguar se dinë të luajnë më mirë dhe lirshëm jashtë fushe sesa në shtëpi. Tregues ky, i cili u vërtetua në javën e fundit ku Valbona fitoi 2-0 ndaj Lushnjës në “Roza Haxhiu”.
Për të arritur objektivin madhor kërkohet që skuadra e drejtuar nga trajneri Mirel Josa të ketë një marsh më shumë në fazën e dytë, pasi katër barazimet i kushtuan diferencën me tri pikë me kreun e renditjes. Për këtë arsye Besës nuk i lejohet të gabojnë në fazën e dytë dhe nga Valbona dhe deri në fund të nisë një seri fitoresh. Për këtë takim trajneri Josa do ta ketë grupin e plotë, madje edhe Goxha që sakrifikoi ndaj Flamurtarit gëzon gjendje optimale. Humbja e Vorës në Fier është një arsye më shumë që Besa të fitojë ndaj Valbonës, pasi mund të ngjiten në vend të dytë, pasi kanë golavarazh më të mirë se vorakët. Besa nuk njeh humbje, por duhet të minimizojë edhe barazimet.
Valbona kërkon të ruaj ecurinë pozitive në startin e fazës së dytë, ndonëse i pret një transfertë e vështirë me Besën.
Tropojanët kërkojnë ta sulmojnë Besën me një djalë të shtëpisë, Jeton Krasniqi, i cili ka shkëlqyer me ekipet e moshave të Kavajës. Në prag të kësaj sfide me skuadrën e vendlindjes, për “Panorama Sport” sulmuesi Jeton Krasniqi u shpreh: “Për Valbonën është shumë e rëndësishme që ta fillojë mbarë fazën e dytë, pasi ekipi ka nevojë për pikë. Me ardhjen e trajnerit Gjoni kemi kapur një ritëm pozitiv. E rëndësishme për ne është që tani të mbajmë ritmin dhe të rrisin dozën e agresivitetit. Te Valbona ndihem mirë, pasi po tregoj veten, se kush jam dhe sa vlej. Dua ta ndihmoj sa më shumë ekipin dhe të ecim në rrugën e duhur. Kampionati është i gjatë dhe në fund duhet të realizojmë objektivin, që është mbijetesa. Kundër vendlindjes? Përballja me Besën është një sfidë e veçantë dhe emocionuese për mua, pasi Kavaja është vendlindja ime. Unë jam rritur atje si futbollist, por tani jemi profesionistë dhe duhet të jap më të mirën te klubi ku luaj, Valbona. Siç e përmenda, si ekip na duhen shumë pikët dhe do të bëjmë maksimumin ndaj Besës që të arrijmë qëllimin. Kemi një grup të mirët dhe kjo na bën të barabartë gjatë përballjes në fushë, pavarësisht renditjes që kemi”.
FERIZ FERIZAJ/ A. DUSHKU-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"