Sot 16:00/ Starton Kategoria e Dytë, ja ndeshjet që do të luhen në të dyja grupet
Kategoria e Dytë për sezonin 2024-2025 starton sot në 16:00 me ndeshjet e grupit A, ndërsa nesër në po të njëjtën orë luhet një duel tradicional i futbollit shqiptar, pikërisht Luftëtari-Tomori, i vlefshëm për grupin B.
Sfida që spikat sot është ajo mes Naftëtarit dhe Gramshit që do të luhet në stadiumin “Bashkim Sulejmani”, në një ndeshje që pritet me shumë interes nga tifozët kuçovarë. Klubi ka bërë një merkato të fuqishme në verë, duke konfirmuar pretendimet që ka për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë. Është ruajtur pothuajse i gjithë grupi i futbollistëve vendës, ndërsa janë afruar emra të afirmuar si portieri Kadri Birja, lojtarët beratas Ervis Çaço dhe Ariel Dobra, sulmuesit Vilfor Hysa e Amarildo Karaj, si dhe Raul Rrahimi e Joard Këndella. Kuçovarët duken të kompletuar me grupin aktual dhe do të rivalizojnë fort për ngjitjen.
VELEÇIKU- Drejtori i klubit koplikas, Nuri Rexha, në bisedën për “Panorama Sport”, u shfaq optimist para sfidës me Murlanin
“Edhe pse e kemi filluar me vonesë fazën përgatitore dhe nuk kemi arritur të realizojmë një merkato që kishim projektuar në fillim, unë kam besim te grupi i sezonit të kaluar. Bërthama e ekipit është ruajtur dhe përvoja e lojtarëve na garanton një fillim të mbarë. Jam i bindur se sot do të marrim pikët e plota kundër Murlanit në fushën tonë”, deklaroi Rexha, i cili bashkë me trajnerin Duli, po mundohet të mbajë gjallë skuadrën koplikase në këtë situatë delikate.
NDESHJET E SOTME
NAFTËTARI-GRAMSHI ORA 16:00
ADRIATIKU-BASANIA ORA 16:00
TËRBUNI-ILIRIA ORA 16:00
VELEÇIKU-MURLANI ORA 16:00
BESËLIDHJA-ALBANËT ORA 16:00
SOPOTI-LUZI 2008 ORA 16:00
ARBEN ÇEPANI dhe BASHKIM RAMEKAJ/ PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"