SOT, ORA 11:00/ Dita e listës kuqezi, ja zgjedhjet e Silvinjos për ndeshjet e nëntorit
Misioni fillon sot. Silvinjo do të publikojë këtë mëngjes listën e fundit të lojtarëve për këtë vit, duke qenë se këto janë edhe dy ndeshjet e fundit për Kombëtaren shqiptare në grup.
Shqipëria do të luajë kundër Çekisë më 16 nëntor dhe tri ditë më vonë do të presë po në shtëpi Ukrainën. Duke filluar me mungesat, Adrion Pajaziti dhe Marash Kumbulla janë të konfirmuar dhe përfshirja e tyre është e pothuajse e pamundur. Mesfushori që u grumbullua në tetor për herë të parë, pësoi një dëmtim me klubin e tij, ndërsa mbrojtësi Kumbulla la fushën e lojës në derbin Barcelona-Espanjol.
Por jo vetëm kaq, pasi në dyshim janë disa lojtarë dhe grumbullimi i tyre është në pikëpyetje. Rei Manaj nuk do të jetë i gatshëm për Sivasporin në ndeshjen e fundjavës kundër Fenerbahçes dhe me shumë mundësi nuk do të jetë as në dispozicion të ekipit kombëtar. Sulmuesi vijon të ketë një dëmtim muskulor dhe mesa duket nuk është rikuperuar ende. Diçka e tillë ka lënë në pritje deri në momentet e fundit trajnerin Silvinjo. Por, një lajm i mirë vjen nga Çekia, pasi Indrit Tuci ka lënë pas shqetësimet dhe të mërkurën u aktivizua në minutën e 78- të për Spartën e Pragës në Ligën e Kampioneve. Diçka e tillë do të thotë se është gati për Kombëtaren dhe me pezullimin e Mirlind Dakut në ndeshjen e parë për shkak kartonësh, Tuci është alternativa e vetme për majën e sulmit.
Po ashtu në ekip rihyn kapiteni Berat Gjimshiti, i cili pritet të luajë ndeshjet e para në Ligën e Kombeve, duke qenë se në tetor dhe shtator mbrojtësi nuk ishte i disponueshëm për shkak lëndimi. Emrat e mundshëm – Duke qenë se Myrto Uzuni, Mirlind Daku, Indrit Tuci, Taulant Seferi janë të gatshëm, shanset për një grumbullim të Kristian Shpendit janë të pakta. Megjithatë, Silvinjo na ka mësuar që di të bëjë edhe surpriza në listë dhe asgjë nuk përjashtohet. Në ekip pritet të rikthehet edhe Medon Berisha, i cili muajin e kaluar ishte jashtë për shkak dëmtimi. Në mesfushë po ashtu pritet të thirren edhe Asllani, Ramadani, Laçi dhe ndoshta Abrashi.
Sa u përket krahëve, Asani, Bajrami, Hoxha, Seferi dhe Muçi. Në mbrojtje, Silvinjo me shumë mundësi nuk do të ketë Marash Kumbullën, por në qendër fatmirësisht Kombëtarja nuk vuan, pasi janë gati: Gjimshiti, Ismajli, Ajeti dhe Mihaj si zgjedhje e tretë dhe e katërt. Në krahun e djathtë Balliu dhe Hysaj, ndërsa në të majtë, Mario Mitaj, dhe një mes Andi Hadrojt dhe Naser Alijit. Sot në orën 11:00 është edhe konferenca për shtyp e Silvinjos.
KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"