SOT, ORA 14:00/ Agostineli: Flamurtari, drejt Burrelit pa frikë dhe për vazhdimësi. Farruku: Vlonjatëve ua kam marrë dorën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2024 | 10:45

SOT, ORA 14:00/ Agostineli: Flamurtari, drejt Burrelit pa frikë dhe për vazhdimësi. Farruku: Vlonjatëve ua kam marrë dorën

Andrea Agostineli kërkon revanshin. Trajneri italian i Flamurtarit nuk e sheh aspak të lehtë sot me Burrelin, por thotë se nuk ka vend për frikë. Për “Panorama Sport”, Agostineli pohon, se kundërshtari luan mirë dhe pritet të ritakojë Ditmar Bicajn, të cilin e ka pasur futbollist te Partizani.burreli-flamurtari“Të gjitha ndeshjet janë të vështira. E tillë do të jetë edhe sfida e radhës që do ta luajmë me Burrelin. Fazën e dytë e nisim në transfertë. Ne e dimë që nuk do të jetë aspak e vështirë, por shkojmë atje pa frikë, me moral të lartë, si dhe të përgjegjshëm dhe me përulësi. Kemi respekt për të gjithë kundërshtarët. Burreli na shënoi humbjen e parë dhe të vetme në nisje të kampionatit, por tashmë e kemi harruar, i përket të shkuarës. Më vjen mirë që Burreli stërvitet nga një ish-futbollist i imi, nga Ditmar Bicaj. E kam pasur futbollist kur unë kam qenë trajner i Partizanit. E vlerësoj Bicajn, pasi po e drejton mirë skuadrën. Ne shkojmë për të bërë lojën tonë dhe për të marrë maksimumin nga kjo ndeshje”, u shprehet fillimisht trajneri Agostineli.

ECURIA – Trajneri Andrea Agostineli është i kënaqur me ecurinë e Flamurtarit në pjesën e parë të sezonit. Sipas tij, skuadra po prodhon në fushën e lojës. “Jam i kënaqur nga skuadra, pasi po luan mirë dhe mbi të gjitha po fiton dhe po prodhon lojë. Me Besën morëm një pikë që vlen shumë, pasi u ndeshën dy ekipet më të mira të kampionatit. Mbajtëm distancën me tri pikë nga Besa. Pas atij barazimi, ne u rikthyem në vend të parë, pasi në ndeshjet direkt me Vorën dhe Besën nuk kemi pësuar gol. Nëse i rikthehem kronologjisë së asaj ndeshje, dua të theksoj se ata patën vetëm një top të rrezikshëm në pjesën e dytë. Kam numëruar 3-4 raste të rrezikshme që ka pasur skuadra ime. Kështu që, jam i kënaqur me djemtë. Shkojmë në Burrel për vazhdimësinë dhe për të marrë maksimumin”, përfundoi trajneri italian i Flamurtarit, që gjatë fazës së parë grumbulloi 28 pikë.

SITUATA – Për sfidën e së dielës, Flamurtari do të këtë mungesa titullarësh. Gjithsesi, kjo përbën shqetësim për trajnerin Andrea Agostineli, pasi stoli ofron futbollistë cilësorë. Lorenc Trashi nuk do të udhëtojë me skuadrën drejt Burrelit për shkak të kartonit të kuq që mori në ndeshjen e fundit me Besën. Në dyshim është edhe Idriz Batha, pasi ka pasur kontraktim në pulpë. Batha nuk është aktivizuar në dy ndeshjet e fundit. I gatshëm nuk është ende as Fabian Beqja, i cili këtë javë iu bashkua grupit pasi është stërvitur i diferencuar nga dëmtimi i muskulit të kuadriceps. Prej javësh skuadrës i ka munguar edhe portieri Stivi Frashëri, i cili nuk ka qenë i gatshëm që nga transferta e Kukësit, ku edhe u dëmtua.

Burreli pret sot në orën 14:00 Flamurtarin, ndeshje e vlefshme për javën e parë të fazës së dytë. Matjanët janë skuadra e vetme që i kanë shkaktuar humbje vlonjatëve në fazën e parë dhe shpresojnë që të njëjtën gjë të bëjnë edhe sot.

Për këtë takim trajneri Bicaj nuk do ta ketë të plotë grupin, pasi mungojnë mesfushori Xhoel dhe mbrojtësi Xhaka. Në lidhje me këtë takim, kapiteni i Burrelit, Floren Farruku, për “Panorama Sport” u shpreh: “Ndaj Flamurtarit do të jetë një takim i fortë dhe i luftuar. Pritet me shumë interes për vetë rëndësinë që ka, për faktin se luan kryesuesja e kampionatit, që të vetmen humbje ia ka shkaktuar Burreli në javën e parë në Vlorë. E respektojmë ekipin vlonjat, pasi ka lojtarë cilësor dhe të spikatur dhe që synojnë Superioren. Edhe ne do të luajmë lojën tonë dhe kemi vlerat që duhet t’i shpalosim në fushë. Kemi një ekip kompakt dhe i fortë me të fortët, me grintë të lartë sportive. Nëse nuk do të kemi problem me gjykimin, siç ka ndodhur në disa ndeshje, sidomos në dy ndeshjet e fundit me Vorën dhe Kukësin, Burreli ka forca për të mundur çdo ekip. Ne do të luajmë për rezultat pozitiv. Gjërat mund të përsëriten, pse jo të shënoj, pasi ua kam marrë dorën vlonjatëve. Uroj të luhet futboll i pastër”.

ERMAL SIKA/ MARTIN DEDAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"