SOT, ORA 14:00/ Bellai, i prerë: Vora për Superiore, detyrën edhe në Fier! Hebeja: Apolonia s’kënaqet me barazim
Vora udhëton sot drejt Fierit, ku kundër Apolonisë vendëse do të kërkojë suksesin e radhës për të mos e lëshuar kreun. Objektivi është vetëm fitorja në këtë transfertë aspak të lehtë. Për “Panorama Sport” ka folur trajneri Arian Bellai, i cili ka theksuar se Vora qëndron me “këmbë në tokë” dhe se misioni i saj mbetet ngjitja në Superiore.Bellai, si do ta vlerësonit ecurinë e Vorës gjatë fazës së parë?
Është fakt që Vora e mbylli fazën e parë e para në tabelën e klasifikimit. Kjo gjë sigurisht që na bën mjaft optimistë, pasi rruga mbetet tashmë e hapur dhe e kalueshme për Superioren.
Çfarë prisni më shumë nga skuadra juaj?
Dëshiroj që lojtarët të gëzojnë këtë formë të shkëlqyer deri në fund të sezonit, të mos kemi dëmtime dhe penalizime. Kjo e bën formacionin më të lehtë për t’u përballur me çdo kundërshtar të radhës.
A ka ndonjë element ku dyshoni se çalon kjo skuadër?
Skuadra është “Ok” në të gjitha drejtimet, por duhet që në çdo ndeshje të qëndrojmë me “këmbë në tokë”, duke mos nënvlerësuar asnjë kundërshtar. Të gjithë janë të fortë, dikush përballet me ne për mbijetesë e dikush si rival. Aspekti psikologjik duhet të jetë një element, ku nuk duhet të çalojë Vora.
Pasi e keni mbyllur një fazë, ku mendoni se duhet të ketë ndërhyrje gjatë merkatos së dimrit?
Mendoj se skuadra nuk ka vende të lira dhe të gjithë janë nën kontratë. Askush nuk mund të largohet, pasi gjithë secili ka vlerën e tij të çmuar për ekipin. Të gjitha rolet janë të dubluara dhe çdo dublim ka cilësi. Presim edhe rikuperimin e Idris Nuraden dhe formacioni do të jetë më i plotë. Ka qenë një mungesë e rëndësishme për Vorën, është organizator që elektrizonte skuadrën në vijën sulmuese. Por e theksova dhe më lart, mungesat nuk janë alarmante, pasi edhe dubluesi i atij roli ka po ato cilësi si Idris.
Si e prisni ndeshjen me Apoloninë në Fier, ku kundërshtari kërkon pikë?
E kemi të qartë misionin tonë, i konsiderojmë kundërshtarët tanë të fortë, dinjitozë dhe konkurrues, që lojtarët të mos kenë probleme në aspektin psikologjik. Për ndeshjen do të thosha se do të vijojmë të bëjmë detyrat tona, qe edhe në këtë rast është fitorja.
A ju bën krenar kjo skuadër, që nuk ka shumë histori në futbollin shqiptar?
Krenar mund të jesh në aspektin e ecurisë së skuadrës. Jo më kot po përballemi me skuadra të mëdha në arenën e futbollit shqiptar, si Flamurtari apo Besa, dhe kemi arritur rezultatet më të mira. Mënyra si reagon kjo skuadër në fushë të bën dyfish krenar, pavarësisht se nuk ka shumë histori si klub në futbollin shqiptar.
Në çfarë gjendjeje është skuadra para Apolonisë, do të keni mungesa?
Jemi përgatitur skuadrën në mënyrën më të mirë për të marrë fitoren e radhës. Kem formacion të plotë dhe jemi gati ta përballojmë presionin emocional para ndeshjes. Do të mundohemi të ruajmë qetësinë gjatë gjithë ndeshjes. Mungesa të rëndësishme nuk kemi, do të shikojmë lojtarët më në formë për momentin.
Apolonia u ka dhënë fund përgatitjeve për sfidën më të rëndësishme deri tani. Fierakët do të presin sot Vorën, në orën 14:00, në stadiumin “Loni Papuçiu”.
Në një interviste për “Panorama Sport”, mesfushori Rubin Hebeja parashikon një takim të vështirë, por e quan thjesht një sfidë të radhës. Nuk do t’i pëlqente aspak barazimi, pasi, sipas tij, Apolonia nuk ka alternativë tjetër veç fitores. Fierakët vijnë pas humbjes me Pogradecit dhe duan të reagojnë menjëherë, duke treguar vlerta e tyre përballë një skuadre me pretendime të mëdha, siç është Vora.
Rubin, u duk se fundi i fazës së parë ishte më i mirë sesa fillimi, por Pogradeci ju shkaktoi humbjen e 5-të. Çfarë ndodhi në atë ndeshje?
Me Pogradecin ishte një humbje nga ato që ndodhin shpesh në futboll, ku një ndeshje zgjidhet nga një episod. Ndonjëherë të vjen në favor, ndonjëherë në disfavor. Vuajtëm shumë dhe mendoj se ishte një ditë jo e mirë. Nuk arritëm ta qarkullimin shpejt topin dhe të ndërronim krahun e lojës. Për kundërshtarin u bë më e lehtë të na sulmonte dhe të na mbyllte në 16 metrat e fundit.
Mungoi goli me Pogradecin, ndërkohë që shënuat 3 herë me Korabin dhe 5 herë me Erzenin…?
Edhe në ndeshjen e fundit patëm disa raste të mira, para golit të tyre dhe në fund, por nuk ishim efikasë në zonën e kundërshtarit. Duhet të jemi më të duruar, më të përqendruar dhe më cinikë përpara portës.
Faza e dytë nis menjëherë dhe Apolonia pret Vorën pretendente në “Loni Papuçiu”. Si e shikoni këtë takim?
Luajmë një ndeshje shumë të vështirë në shtëpi, përballë një kundërshtari të fortë, të investuar dhe pretendent për t’u ngjitur në elitë. I kemi dhënë vlerësimin e duhur, është nga ato takime ku duhet të tregojmë se kemi cilësi. Gjatë këtyre ditëve kemi punuar fort për ta përballuar si duhet këtë ndeshje.
Do të ishit i kënaqur edhe me një barazim me një rival të tillë?
Objektivi i vetëm në Fier në çdo ndeshje janë tri pikët. Nuk ka alternativë tjetër veç fitores, në shtëpi fitorja është detyrim, por edhe argëtim për tifozët. Apolonia hyn gjithmonë në fushë për të fituar. Ne kërkojmë gjithnjë të bëjmë më të mirën dhe ta fitojmë ndeshjen, por nuk është e lehtë.
Shumë ndeshje në shtëpi, që nuk i keni shfrytëzuar në maksimum. Pse ndodh kjo?
Ndonjëherë nuk kemi fituar për çështje fati, prej episodeve. Sidoqoftë, jemi në vend të 7-të, shumë afër 6- shes së parë, ose “play off”- it, si mundësia e dytë për t’u ngjitur në elitë. Ajo që ka rëndësi tani është të përmirësohemi ditë pas dite.
Jeni rikthyer në fushë pas atij dëmtimi. Si ndiheni tani?
Jam rikthyer më i fortë dhe kam fituar gjendjen optimale. Gati për të dhënë maksimumin në këtë ndeshje të rëndësishme.
ABDULLA DUSHKU/ HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"