Sot sfidon Besën kryesuese, Pajaziti: Apolonia e kalon krizën, nuk lëshojmë më pikë
Dy humbje radhazi kanë zhytur Apoloninë në një krizë rezultatesh, kështu që në ndeshjen kundër Besës të gjithë kërkojnë reagimin. Ekipi shpreson të dalë me fitore nga përballja e sotme në orën 16:00 në stadiumin “Loni Papuçiu”, me kavajasit, që janë njëherazi edhe kryesuesit e kampionatit.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i ri, Sedat Pajaziti, ka deklaruar se ndaj kavajasve ekipi do të futet në fushë vetëm për tri pikët. Vlerëson klubin rival, por ka besim te djemtë që drejton. Sipas tij, morali i ekipit është shumë i lartë për të mundur kavajasit. Jeni zyrtarisht trajneri i ri i Apolonisë.
Çfarë ju bindi për të marrë drejtimin e ekipit të parë?
Kam marrë besimin nga presidenti Kokëdhima, me bindjen se ekipi ynë do të kthehet në formën e tij më të mirë dhe rrjedhimisht me rezultate të mira, që përkthehen në pikë. Nga ana tjetër, vullneti i hekurt i djemve më bëri që të mos e mendoja dy herë për të marrë drejtimin.
Megjithatë, e merrni ekipin në një moment të vështirë. Besoni që do ta kaloni këtë “krizë” rezultatesh?
Duke ditur dhe njohur shumë mirë këtë kategori, por edhe ekipet pjesëmarrëse, asgjë nuk është e lehtë. Por, unë jam i bindur se këtë “krizë” që ju përmendni, do ta kalojmë duke nisur nga kjo javë. Jemi stërvitur maksimalisht, kemi një atmosferë të mirë në ekip dhe puna po ecën me ritmin e duhur.
Pozicioni juaj ka qenë drejtor teknik, sa e njihni ekipin?
Po sigurisht, ka më shumë se dy muaj që kam qenë me ekipin si drejtor teknik dhe prej kësaj jave si kryetrajner në pankinë. E njoh mjaft mirë klubin, ambientin dhe organikën. Kemi djem të shkëlqyer, lojtarë cilësorë dhe me një moral të lartë për të mos lëshuar më pikë, qoftë në fushën tonë, qoftë në transfertë.
Prej së martës keni qenë në fushë. Si kanë shkuar këto seanca të para stërvitore dhe çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje?
Mbi të gjitha, dëshira e madhe dhe besimi i lartë i djemve për rezultate pozitive, që nga kjo ndeshje, ndonëse kemi përballë Besën kryesuese të kampionatit. Por, edhe puna e madhe që bëhet çdo ditë në Fier na jep siguri dhe besim për të ardhmen.
Çfarë presim nga Apolonia nën drejtimin tuaj?
Një ekip që e di mirë çfarë kërkon nga ndeshjet dhe se si të rreshtohet në fushën e lojës për t’i rrëmbyer pikët kundërshtarëve. Kundër Besës do të jetë një ndeshje ku reagimi dhe kthimi te rezultatet pozitive është më se i nevojshëm. Kjo është e sigurt dhe gjatë gjithë kësaj jave, ne kemi punuar për të krijuar grupin e duhur për të marrë më të mirën.
Prisni Besën në stadiumin “Loni Papuçiu”. Si e keni vlerësuar këtë takim?
Besa është një nga skuadrat më të forta të kampionatit, luan shumë mirë futboll, ndaj do të jetë një stimul më shumë për lojtarët tanë. Nga ana tjetër, ne duam të bëjmë figurë të mirë dhe të marrim tri pikët. Në çdo ndeshje Apolonisë i bën punë fitorja. Dhe ky takim radhe nuk bën përjashtim. Do të hyjmë në fushë me qëllimin që të marrim maksimumin e mundshëm në këtë ndeshje dhe të kthejmë rezultatet pozitive.
Sa e vështirë do të jetë, duke ditur që Besa kryeson kampionatin?
Çdo ndeshje është e vështirë dhe e ndryshme nga tjetra, por duhet të bëjmë më mirë në të gjitha dhe të tregohemi më të përqendruar në çdo moment të lojës. Ne kemi punuar mjaftueshëm si në aspektin taktik, edhe atë teknik, por edhe morali i ekipit është shumë i lartë për të mundur kavajasit në fushën tonë.
HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"