Historia e 17 Nëntori-Skënderbeu 3-2, kur dënimet ishin përjetë. Incidenti i vitit 1972, grushtet në fushë sollën sherr edhe mes tifozëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2024 | 19:34

Historia e 17 Nëntori-Skënderbeu 3-2, kur dënimet ishin përjetë. Incidenti i vitit 1972, grushtet në fushë sollën sherr edhe mes tifozëve

Nga UVIL ZAJMI
Një ngjarje që edhe në fan tazitë më spektakolare nuk mund të imagjinohet dhe jo më të përjetohet. Aq më shumë për një lojtar të njohur, popullor dhe të një klubi të elitës së futbollit shqiptar. Bëhet fjalë për Arben Çelën, i cili me 17 Nëntorin e famshëm, sot KF Tirana, ishte në kulmin e sukseseve në kampionatet kombëtare para dhe pas viteve 70- të.

Formacioni i 17 Nëntorit gjatë ndeshjes me Skënderbeun në vitin 1972. Nga e djathta në të majtë: Dhales, Nallbani, Bekteshi, Frashëri, Gëzdari, Baçi, Çela, Rizvanolli, Naçi, Llambi dhe Dibra.

Formacioni i 17 Nëntorit gjatë ndeshjes me Skënderbeun në vitin 1972. Nga e djathta në të majtë: Dhales, Nallbani, Bekteshi, Frashëri, Gëzdari, Baçi, Çela, Rizvanolli, Naçi, Llambi dhe Dibra.

Çela i rikthehet asaj ngjarjeje të ndodhur gati gjysmë shekulli më parë, ku përfundoi në qelinë e burgut si një nga provokatorët e sherrit në ndeshjen 17 Nëntori-Skënderbeu më 21 maj të vitit 1972, që edhe sot, ka lënë gjurmë në memorien e tij. Nuk është e lehtë ta harrojë atë që ndodhi mesfushori i klubit bardheblu. “Goditja që mora në fytyrë dhe nata e gjatë te burgu 313 nuk mund të harrohen”, tregon ndër të tjera Çela për “Panorama Sport”. Historia vijon me finalen e Kupës, Besa-Vllaznia, ku Beni bëhet dëshmitar në gjyqin publik në Kavajë vetëm për një fjalë. Këto, por jo vetëm, tregohen në një rrëfim unik.

Skënderbeu para një ndeshjeje në vitet ’70. Veteran Topçiu, i treti nga e djathta në këmbë

Skënderbeu para një ndeshjeje në vitet ’70. Veteran Topçiu, i treti nga e djathta në këmbë

KOMENTI QË U BË NË GAZETË DHE VENDIMET
Jemi në kampionatit 1971-1972 dhe pikërisht në javën e 25-të, që ishte e parafundit. Në stadiumin “Dinamo” në kryeqytet përballen 17 Nëntori dhe Skënderbeu. Një penallti e dhënë në minutën e fundit për bardheblutë, shoqërohet me një grindje të lojtarëve dhe tension të krijuar në tribunën “B” të stadiumit që sot mban emrin “Selman Stërmasi”.

Kjo ngjarje prodhoi një zhurmë të madhe dhe solli reagimin e FSHF-së. Por si ishte komenti që bëhej në gazetën “Sporti Popullor” të kohës: “Pas dhënies së penalltisë, disa futbollistë u sollën keq në fushë, duke demonstruar gjeste të theksuara antisportive. Këtë qëndrim të tyre të padenjë për figurën morale të njeriut tonë të ri, e mori në shqyrtim komisioni tekniko-arbitral dhe kryesia e Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila doli me një vendim zyrtar”.

Dhe vendimi zyrtar ishte ky: “Duke analizuar shfaqjet e theksuara antisportive që manifestuan disa futbollistë në takimin 17 Nëntori-Skënderbeu në stadiumin “Dinamo”, u vendos që Veteran Topçiu i Skënderbeut të përjashtohet përgjithmonë nga aktiviteti futbollistik; Perikli Dhales i 17 Nëntorit të përjashtohet me afat të pacaktuar, por jo më pak se një vit futbollistik (1972-1973); Futbollisti Gjergji Shule i Skënderbeut të përjashtohet për 6 ndeshjet e para të sezonit 1972-1973; Trajnerit të ekipit të Skënderbeut, Petro Mile, i tërhiqet vëmendje me paralajmërim”.

Ish-mesfushori bardheblu, Arben Çela: Përfundova në qeli, hetuesi ishte tifoz i Partizanit. U shënova të kuqve kur morëm titullin dhe më mbajtën inat

Ish-futbollisti i 17 Nëntorit, Arben Çela, tregon me detaje atë që ndodhi më 21 maj të vitit 1972. “Atë ndeshje, atë mesditë, ato orë dhe natën e së shtunës, nuk mundem ta harroj asnjëherë. Nga stadiumi në polici, pastaj në qeli. Ishte një ferr i vërtetë! E mendova fundin e karrierës, m’u kujtua Edmond Dantes i Konti i Monte Kristos”, kujton Çela për “Panorama Sport”, duke rrëfyer të gjithë historinë e bujshme.

Arben Çela duke folur për “Panorama Sport”

Arben Çela duke folur për “Panorama Sport”

Zoti Çela, 17 Nëntori ishte në një tjetër etapë të tij. Si e mbani mend sezonin 1971-1972?
Jemi një vit pas ndeshjes së famshme, 17 Nëntori-Ajaks 2-2, ndërsa në kampionat, duke konkurruar deri në javën e fundit me Vllazninë. Ai kampionat regjistron edhe një detaj të rëndësishëm për mua, që bashkë me disa lojtarë, ndër të cilët Bizi, Kasmi, Ballgjini, Çiraku, Gurma, Berisha, Xhambazi etj., jemi futbollistët që do të luajmë në të gjitha ndeshjet.

Të kalojmë direkt në temë, te ndeshja 17 Nëntori-Skënderbeu 3-2, që prodhoi aq shumë zhurmë për kohën…
Po, ishte java e parafundit e kampionatit. Në Tiranë do të zhvillohej një kongres rinie dhe në tribunën e stadiumit “Dinamo” ishin të pranishëm edhe delegacione nga vendet socialiste, siç vinin asokohe për të tilla veprimtari. Ishte një takim i tensionuar nga minuta e parë deri në fund. Fillimisht shënon Gëzim Kasmi, ndërsa më pas barazon Xhambazi. Skënder Hyka do të realizojë golin e dytë për ne, por sërish Xhambazi do të barazojë ndeshjen në 2-2. Një minutë para përfundimit, arbitri akordon 11- metërsh për 17 Nëntorin. Gjuan Ali Mema dhe gol, fituam 3-2.

Një penallti që provokoi protesta pa fund. Si ndodhi?
Dhënia e penalltisë krijoi reagim nga korçarët, që protestuan shumë. Pasi u dha 11-metërshi, duke qenë se me Dembon kisha miqësi prej kohës që ishim bashkë te Shpresat, i them që të mblidhte skuadrën, sepse penalltia ishte dhënë dhe nuk mund të kthehej më. Në këtë moment, papritur një grusht nga mbrapa më godet dhe unë bie në tokë! Nuk e pashë, por më thanë që ishte Veteran Topçiu. Loja u ndal për disa minuta, teksa vijnë më mjekojnë. Gjak me dilte, por as fanellën nuk ma hoqën. U gjuajt penalltia dhe kur u bë gol, Perikli Dhales, goditi në formë inati edhe një herë rrjetën, që i acaroi korçarët. Pas këtij momenti pati një tjetër zënkë.

Grindje në fushë dhe më pas në shkallët e stadiumit. Një ndeshje ku shqetësohet vetë shteti, çfarë kujtoni më shumë?
Ndeshja u mbyll 3-2 dhe kur skuadrat i drejtohen dhomave të zhveshjes, unë kërkoja Veteran Topçiun për t’u hakmarrë. Më ishin veshur sytë. Edhe në shkallët e stadiumit ishin grindur tifozët e Tiranës me ata të Partizanit, që bënin tifo për korçarët. Nisur nga të huajt e pranishëm në stadium, situata e tensionuar, grindjet në fushë që kaluan dhe në shkallë, ngjarja u konsiderua si skandal. Për këtë u njoftua edhe Kadri Hazbiu. Me një urdhër kërkohen shkaktarët, që janë Perikli Dhales, Veteran Topçiu dhe unë.

Ju vijnë te dera e shtëpisë një polic dhe ndërkohë një makinë ju pret jashtë. Si e mbani mend këtë moment?
Kthehem në shtëpi dhe pasi më shikojnë prindërit, shqetësohen shumë. Ishte mbrëmje, kishin kaluar disa orë, por errësohej vonë. Papritur troket dera. E hap dhe shoh një polic. “Hajde se do të shkojmë në drejtorinë e policisë më thotë”. “Për çfarë?”, iu ktheva unë. “Do të pyesin për atë që ndodhi”, më sqaroi polici. Ndërsa ai zbriti poshtë, mora në telefon një shok të ngushtë, djalin e Lym Ketës, që të vinte edhe ai, pasi banonte afër meje. Me automjetin e policisë, një gaz 69 rus, shkuam te rajoni, ku është sot, ai pranë urës së Lanës. Pak isha i shokuar nga ngjarja, goditja ende me plagë dhe ajo më duhej! Pa e ditur çfarë do të bëhej, madje në shtëpi i thashë që do të kthehem shpejt, që të mos merakoseshin. Edhe për ta ishte hera e parë që më shihinin në atë gjëndje dhe që na trokiste policia në derë.

Një formacion i 17 Nëntorit të viteve ’70. Në këmbë nga e majta: Naçi, Dhales, G.Tafaj, Hyseni, Baçi, Llambi. Ulur nga e majta: Icka, Bekteshi, Zengla, Dibra, A.Çela

Një formacion i 17 Nëntorit të viteve ’70. Në këmbë nga e majta: Naçi, Dhales, G.Tafaj, Hyseni, Baçi, Llambi. Ulur nga e majta: Icka, Bekteshi, Zengla, Dibra, A.Çela

Për herë të parë në një mjedis ndryshe, jo sportiv…
Futem në korridorin e rajonit, pastaj në një zyrë. Asnjëherë nuk kisha qenë në të tilla mjedise. Aty shoh shoqëruesin që kishte qenë me ne në një turne miqësor të gjatë, një vit më parë në Rumani. Pra, më njihte, por nuk më dha asnjë arsye. Në ditët e fundit të turneut rumun, një futbollist i 17 Nëntorit, i dashuruar me një vajzë rumune, u largua me të dhe kur u morr vesh, ai bërtiste. Na kërkonte neve llogari, duke kujtuar se ai ishte arratisur. Kur të nesërmen në mëngjes, ai u kthye, situata u qetësua dhe aty e mbyll. Nga ajo kohë nuk e kisha parë dhe takohesha me të aty në një tjetër situatë, krejt ndryshe dhe aspak normale. Sigurisht që ai mbante inatin e Rumanisë.

Përballë kishte një hetues, një njohje e vjetër për ju…
Hetues ishte Flor Kolaneci, i njohur në qarqet e kryeqytetit edhe për lidhjet e tij me pushtetarët e lartë, me të cilin kisha debatuar disa herë kur luanim kundër Partizanit. Sa herë dilnim për të filluar lojën, te portativja ku ndiqte ndeshjen më thoshte: “Do t’ju shtypim kokën”. Unë i përgjigjesha, duke reaguar edhe me gjeste. Pra, ky person do më merrte në pyetje. Ishte 3, 4 orë pas ndeshjes, ai vjen dhe sapo më sheh, urdhëron dy policë që me gazin e rajonit të më dërgonin urgjent për mjekim në spital. Mjek roje ishte një komshija ime. “Beni, çfarë ke, ç’të ka ngjarë?”, më pyeti e habitur. Aty bëra pesë qepje. Ishte natë vonë dhe më pas kthehem në hetuesi te drejtoria e policisë.

Ka një akuzë ndaj teje, si ndodhi?
Perikli Dhalesin nuk e kishin gjetur, ndërsa Veteran Topçiu ishte aty, kishte bërë deklaratën dhe e priste autobusi për në Korçë. Më informuan çfarë kishte deponuar ai. “Hë Arben, na thuaj si ndodhi”, më pyeti Kolaneci. Ja shpjegova. Ai reagoi: “Ka një dëshmi ku ai lojtari, pra Veterni thotë se ti e ke kafshuar”. “Fol me kapitenin Dembo dhe shif dhëmbët e mia, që ishin mpirë nga grushti. Buzët i kam të çara, si e paskam kafshuar unë?”, iu përgjigja. Një person aty pranë shtypte në makinë dhe unë pa asnjë lloj eksperience, në fund firmosa, pa e ditur se unë flisja, ai shkruante tjetër gjë, që më vonë do të më thonin se vetë ke deklaruar kështu. Pasi firmosa, hetuesi më tha të qëndroja në një cep të zyrës. Në ato momente erdhi edhe Perikliu.

Papritur jepet një urdhër që ju befason…
Krejt befas, dëgjoj që të jepet një urdhër: “Te 313-ta, ky te njishi, tjetri te dyshi dhe tjetri te treshi. Dhe vendosini prangat”. Unë shtanga, por reagova: “Mua jo prangat”. Më pas hetuesi Kolaneci i tha: “Merrini dhe një polic para, një në mes dhe ne të tre”. Në një çast, ndërsa ishim në makinë dhe pa ditur se ku po shkonim, përfitoj dhe i drejtohem duke i thënë: “O Veteran pse më godite mua?”. Më dha këtë përgjigje: “Nuk e kishe fajin ti, por ai Perikliu”. Unë flisja që si shoferi edhe polici të cilët na shoqëronte të dëgjonin, si dëshmitarë, ndoshta më vonë.

Ky reagim kishte ndonjë inat të vjetër?
Mundet të ishte edhe inati i atij goli, që tifozët, lojtarët dhe drejtuesit e Partizanit, nuk e harronin. Ka qenë një ndeshje e kampionatit 1969- 1970, minuta e fundit në “Qemal Stafa”, rezultati ishte 1-0 për Partizanin me gol të shënuar nga Zilja. Një këndore për ne, Muhedini e grushtoi, topi shkoi te Xhaçka, ai ma pasoi mua, që i ndodhur në vijën e 16 metrave, godita me hark në formë parabole dhe topi shkoi në rrjetë për 1- 1. Atë vit dolëm kampionë duke i marrë titullin pikërisht Partizanit. Pra, një hakmarrje për atë gol ishte gjithmonë e pranishme për mua. Edhe Loro Boriçi nuk më grumbullonte asnjëherë në kombëtare, edhe pse isha lojtar i 17 Nëntorit kampion. Atë gol edhe ai nuk e harronte.

Çfarë ndodhi kur mbërritët në qeli?
Mbërritëm, na hoqën lidhëset e këpucëve, rripat, orët, duke na zhveshur. Atje, oficer roje ishte një që kishte parë ndeshjen, e që kishte marrë turnin e tretë. “Beni, çfarë do t’i këtu?”, më pyeti. Ishim në katin e parë, u hapën 2-3 dyer dhe u futëm ne. Pastaj një tjetër hapi dy të tjera. Ishte si në filma. Mendova si Edmond Dantes, hajde dil prej andej. Brenda në qeli gjeta një që shofer që kishte shtypur një fëmijë, një person që ishte zënë me grushta me një polic, dhe tjetri për vjedhje.

T’u duk vetja si njeri i zhdukur, pa lënë asnjë gjurmë…?
Në qeli më pyetën çfarë kisha bërë. U thashë që as vetë nuk e di pse jam këtu. “Ti dilke shpejt, nuk i bën tri ditë”, më thanë. Qëndrova tre ditë në qeli. U tmerrova, por mendova se gjithçka mori fund dhe tani do e lë edhe sportin. Ishte ora 23:00 kur u futëm dhe atë natë nuk e harroj kurrë. Nuk fleta gjumë, ndërsa familja nuk dinte asgjë ku isha. Nuk kisha asnjë komunikim. As me Perikliun nuk komunikoja dot. Shihja derën e hekurit, ishte e pabesueshme.

Ka një moment që dikush ju kërkon?
I dërmuar moralisht, fizikisht, të nesërmen, e dielë, rreth drekës, vjen një polic-gardian që hap derën dhe më drejtohet: “Kush është Beni?. Eja pas meje”. Dola dhe gjatë rrugës në korridor më thotë, se do të shkosh te drejtoria e policisë, do marrësh rrypin dhe orën. Isha vetëm, pasi Topçiun e mbajtën aty. U ktheva në shtëpi ku gjeta disa miq, shokë dhe tifozë që prisnin pasi ishte përhapur lajmi që Beni është në burg. Kur më panë, u qetësuan. “Benin e goditën, ne jemi dëshmitarë”, ishte reagimi i tyre. Një shqetësim i madh për të gjithë, veçanërisht për prindërit dhe vëllezërit.

Ishit mësues i edukimit fizik në atë kohë, ndërsa ju presin nxënësit në shkollë. Moment emocionues?
Të hënën shkoj në shkollë te gjimnazi “Qemal Stafa”, ku jepja mësim. Te dera gjej drejtorin, i cili sikur po më priste qëllimisht. Sa më pa, reagoi ashpër. Kjo më befasoi, kur m’u drejtua me fjalët: “Nuk je i denjë për gjimnaz”. “Pse, çfarë kam bërë”, i përgjigjem. “Ik, shko pyet drejtuesit e lartë”, duke më penguar të futem. I detyruar shkova te Lame Konomi, shefi i sektorit të sportit në Komitetin Ekzekutiv, dashamirës dhe që mbulonte klubin tonë. U habit kur më pas dhe pasi e informova, pas asnjë hezitim më tha: “fillo mësimin”.

Mblidhet federata, por ka vendime drastike…
Ajo ngjarje nuk u kalua pa zhurmë. Reagimi i FSHF-së ishte i menjëhershëm dhe i rëndë. Kujtoj se të martën në gazetën “Sporti popullor”, do të bëheshin publike vendimet zyrtare të kryesisë së federatës dhe Veteran Topçiu ishte përjashtuar përgjithmonë nga sporti. Perikli Dhales pezullohej nga futbollit me afat të pacaktuar, por jo më pak se 1 vit. Dënime u dhanë edhe për Gjergji Shulen, si dhe vërejtje për drejtuesit e dy klubeve.

Të dënuar të gjithë, me përjashtimin tuaj. Si e gjykoni?
Unë që isha më i akuzuari, fajtori, nuk mora asnjë ndëshkim, pasi informacioni që ata kishin, ishte i qartë se unë isha krejtësisht i pafajshëm, pavarësisht se u trajtova si shkaktar. Sigurisht që arbitrat, kishin dhënë versionin e tyre, por edhe vëzhguesi. Megjithatë, unë e pagova jo pak, jo lehtë, edhe në aspektin shëndetësor.

Komunikata e Kryesisë së FSHF-së në gazetën “Sporti Popullor” për ngjarjet në ndeshjen 17 Nëntori-Skënderbeu më 21 maj të vitit 1972

Komunikata e Kryesisë së FSHF-së në gazetën “Sporti Popullor” për ngjarjet në ndeshjen 17 Nëntori-Skënderbeu më 21 maj të vitit 1972

Ajo periudhë përkon me një kampionat ku Vllaznia triumfoi…
Atë fundjavë 17 Nëntori do të luante në Kavajë, që ishte ndeshja mbyllëse e sezonit, por pa dy forca kryesore, Dhalesin dhe unë. I çarë, i qepur, i trishtuar, në një çast mendova ta lë futbollin. Por, ishte Lym Alla, trajneri që më thoshte: “Çfarë ke or çun?”. “Nuk më bëjnë këmbët”, – i përgjigjesha. Shkova në Kavajë, Besa fitoi 4-1 dhe Vllaznia që luante me Studentin në Tiranë, fitoi 4-1, duke u shpallur kampione me 42 pikë, tre më shumë se 17 Nëntori. Vllaznia, pak muaj më parë kishte fituar edhe Kupën, në një takim me Besën, për të cilën ka një ngjarje tjetër, që lidhte me mua.

Çfarë ju ndodhi në Vllaznia-Besa?
Ishte Kupa e Shqipërisë, prill 1972, finalja e dytë, Vllaznia-Besa 2-0 (dhe 2-2 pas dy ndeshjeve), pastaj 5-3, me penalltitë e Ramazan Rragamit, shkodranët marrin kupën. Pati shumë polemika, pretendime lidhur me arbitrimin, të cilat vazhduan edhe gjatë javës. Tomson Neviri, që bashkë me Met Alikon dhe kryesor Ramiz Pregjën ishte caktuar për atë takim, i kishte thënë një shokut tim, që në Shkodër, një gol e shënon Vllaznia, një gol do jepet nga ne dhe ndeshja do shkojë me shtesë.

Dhe çfarë lidhje ka me ju?
Po atë ditë, të eliminuar ne luanim në Berat me Tomorin për vendin e 8 dhe 10, ndërsa arbitrat ishin kavajas. Duke dalë për fillimin e ndeshjes, isha pas arbitrave, e pa i dhënë rëndësi i them Xux Kazanxhiut, se në Shkodër fiton Vllaznia, një gol e bëjnë shkodranët, një tjetër do ja japin arbitrat, atë çfarë i kishte thënë shokut tim Tomsoni. Për koincidencë, Vllaznia fiton 2-0, me një gol në çdo pjesë të lojës dhe me penallti merr kupën. Arbitri kavajas që krejt rastësisht kishte dëgjuar bisedën time, i dërgon një letër Mustafa Çelkupës, që merrej me sportin në Durrës, nga ku varej edhe Besa, duke i treguar bisedën time me Kazanxhiun.

Një federatë në këmbë, teksa kërkohet e vërteta…
Bëhet problem i madh në federatë, më thërret Sami Kotherja dhe Azis Tahiri në zyrë. “Eja Arben, eja, ke folur t’i rreth kësaj çështje?”, më pyesin. “Po”, i përgjigjem. “E ke të qartë që me këtë deklaratë tënden, t’i përjashtohesh nga futbolli, e ke apo jo?”, më tha më pas. I them që është thjesht një bisedë gojë pas goje, që del 2-0, siç kishte fituar Besa në Kavajë ndeshjen e parë. “A i thua këto në një ballafaqim në Kavajë ti?”, ishte pyetja tjetër. Unë pranova, por nuk kisha garanci nëse vinte apo jo ai shoku im për ballafaqim në Kavajë.

Si vijoi historia?
Shoku im erdhi, por kur do të futeshim në qytet, u kthye. Ballafaqimin do e bënim në një sallë në qendër të Kavajës, që përdorej për mbledhje të Bashkimeve Profesionale. “Si është puna”, më pyetën? Ja tregova, duke i sqaruar se ato fjalë, ja kishte thënë Tomson Nevirit, një shokut tim. Pra, që ndeshja do të kishte penallti. Pati edhe pyetje të tjera, pastaj u largova. Mjaft qytetarë më shoqëruan deri te treni duke brohoritur, si njeriu që kisha mbrojtur Kavajën dhe federata ishte e detyruar t’i jepte një rrugëzgjidhje. Por, që nuk pati një të tillë.

Vjen takimi i fundit i kampionatit, me Besën, ku mbyllet një sezon i errët, jo thjesht për ju personalisht…?
Nuk e mendova se kavajasit do t’i bënin një rezistencë të tillë sportive 17 Nëntorit. Ndeshja e fundit e sezonit 1971-1972, ata e fituan thellë takimin, duke dominuar. Kanë shënuar Pagria dy gola, Qerolli dhe Bishtaja, ndërsa për ne Ramadan Shehu. Humbëm titullin, por jo për faj të Besës, pasi Vllaznia kishte një skuadër në kulmin e formës së lojtarëve, nga Ndoja, te Bizi, Rragami, Koçobashi, Zhega etj. Vllaznia grumbulloi 40 pikë, 17 Nëntori 36, Partizani 34 etj. Pas atij kampionati, nga 17 Nëntori do të largohet trajneri Myslym Alla dhe do të niste një tjetër cikël me trajnerin Enver Shehu dhe futbollistë të rinj.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"