Kur Partizani dominoi gjermanët, 60 vite nga dueli me Këlnin. Çfarë tha Loro Boriçi dhe pse u kritikuan Pano & CO
NGA UVIL ZAJMI
Ato kanë qenë dy ndeshje më dy skuadra të futbollit perëndimor, me dy klube me fame në Europë. Me shumë rëndësi dhe historike për ekipet shqiptare, për nga përfaqësimi, rezultati dhe befasia, ndonëse nuk ka kualifikim. Bëhet fjalë për ndeshjet kundër gjermanëve të Këlnit dhe pesë vite me vonë me belgët e Standardit të Liezhit, për të cilët do të flasim në një tjetër numër të “Panorama Sport”.
Jemi pikërisht në muajin korrik 1964, kur në Gjenevë do të hidhet shorti për Kupat e Europës dhe më konkretisht skuadrave kampione. Turi i parë rezervon duelin Partizani (Shqipëri)-1.FC Këln (Gjermania Perëndimore). Interi i e Milanos, mbajtëse e Kupës në fuqi atë vit, kualifikohet automatikisht për në turirin e dytë. Ndeshjet duhet të përfundojnë deri më 15 tetor, ndërsa kanë kaluar plot 60 vjet nga ballafaqimi Partizani-Këln 0-0 më 9 shtator 1964. Ky ishte konkurrimi i tretë radhazi i një klubi shqiptar në Kupën e Kampionëve, pas debutimit më 1962-1963 kundër suedezëve të Norkopingut (2-0 dhe 1-1) dhe pas një viti sezoni 1963-1964, Partizani-CSKA Sofje e Bullgarisë (1-0 dhe 1-3). Në të tretën pjesëmarrje të të kuqve do të jetë përballë një tjetër ekip perëndimor si Këlni. Kjo skuadër është kampione e Bundesligës së krijuar atë vit dhe vjen për herë të parë në Shqipëri.
ANTON MAZRREKU NË “SPORTI POPULLOR”
Është viti i tretë që Partizani merr pjesë në Kupën e Kampioneve të Europës. Siç dihet ndeshjet e kësaj kupe luhen me sistem eliminimi. Për sezonin 1964-1965, sipas shortit Partizani do të ndeshet dy herë me kampionen e Gjermanisë Perëndimore, FC Këln, e cila konsiderohet me të drejtë skuadra më e mirë, duke fituar titullin kampion e lënë shumë mbrapa të gjitha skuadrat e tjera, edhe vetë kampionen e vitit të kaluar Borusia të Dortmundit me 12 pikë. Në vitet e kaluara kampionati i Gjermanisë Perëndimore luhej me dy grupe, ku merrnin pjesë 74 skuadra. Ndryshe ky i sezonit 1963-1964 u luajt për here të parë me një grup me 16 skuadra.
Që në javën e parë, Këln zuri vendin e parë në klasifikim, duke e siguruar titullin kampion shumë kohë përpara përfundimit të tij. Ishte në luftë me ekipe të forta si Hamburg SV, Shalke, Borusia Dortmund dhe Shtutgart, duke u treguar skuadra më solide. Gjatë 30 ndeshjeve aktivizoi 15 lojtarë, duke shënuar 78 gola dhe pësuar 40. Humbi vetëm 2 takime, atë në transfertë 1-2 kundër Ejntrahtit dhe tjetrën në ditën e parë të fazës së dytë në fushën e saj, 1-3 me Sarbryken, skuadrën e fundit të renditjes. Me Këlnin bëjnë pjesë disa futbollistë të njohur të Gjermanisë Perëndimore, si mbrojtësi i majtë Pot, qendërmbrojtësi Vilden, mbrojtësi djathtë Shefer, gjysmësulmuesi i majtë, Overat etj. Lojtari më i vjetër është Shefer, i cila ka qenë pjesë e skuadrës kombëtare, kampione e botës më 1954 dhe si kapiten në Botërorët e vitit 1958 në Suedi dhe 1962 në Kili. Partizani-Këln përbën një nga çiftet më interesante, me gjithë konisderatën për nivelin e ekipit gjerman.
MARRËVESHJA MES KLUBEVE DHE TESTET‘
Më 15 gusht në gazetën “Sporti Popullor” do të jepet njoftimi zyrtar: “Në bazë të një marrëveshje të arritur midis dy klubeve, u vendos që ndeshja e parë të zhvillohet në Tiranë më 9 shtator dhe ajo e kthimit në Këln me 23 shtator”. Në vazhdim të përgatitjeve, Partizani zhvillon në Vlorë një miqësore, e cila u mbyll në barazim 2-2. Pastaj me Besën në Kavajë dhe Tiranë. Të dyja 3-1 për Partizanin, me gola nga Kraja, Pano, Jashari, si dhe M. Karriqi për Besën. Në testin e dytë shënuan Bespalla dy herë, Shllaku, si dhe dhe Rexha për kavajasit.
Në këto takime Partizani aktivizoi këta lojtarë: Maliqati, Janku, Deliallisi, Dingu, Frashëri, T.Vaso, O.Mema, Shllaku, Andoni, Kraja, Pano, Ndini, Jashari, Bespalla, Sinjari, T.Shehu. Për të ardhur te miqësorja derbi, Partizani-17 Nëntori 4-3. Në “Qemal Stafa”, më 29 gusht, në 45 minutat e para u shënuan 4 gola, nga dy për secilën skuadër dhe 2-2. Pas pushimit, Partizani u paraqit më i freskët realizoi edhe dy të tjerë. Vetëm në fund lojë, tiranasit shënuan golin e tretë. Për kampionët autorët e golave ishin Tomorr Shehu 2 herë, Osman Mema dhe Pano. Partizani luajti pa tre titullarë: Jasharin, Shllakun e Papadhopullin.
Në shkrimin e publikuar, ka edhe një vërejtje nga Koresp. i Sportit: “Disa funksione të lojtarëve duhet të përcaktohen më mirë. Kështu bie fjala, nuk është me vend që Pano e Bespalla të gjuajnë korne. Nga ana tjetër, duhet stabilizuar definitivisht formacioni, pasi deri tani janë vënë re shumë ndryshime”. Edhe një tjetër miqësore, pas tre ditëve në stadiumin “Dinamo”, Partizani-Flamurtari 3-1. Partizani luajti me këta lojtarë: Janku, Deliallisi, Papadhopulli (Vaso), Frashëri, Ndini, O.Mema, Kraja, Bespalla, Jashari, Pano, Sinjari. Golat u shënuan nga Pano, Seferi dhe Jashari.
PRAGSFIDA KUNDËR KËLNIT
E martë, 8 shtator, në faqen e parë gazeta “Sport Popullor” jep njoftimin me gërma të mëdha: “FUTBOLL, për KUPEN E EVROPËS midis KAMPIONEVE, PARTIZANI dhe FK KËLN. Nesër në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, ora 16:00″. Shoqëruar me informacionin në faqet 2 dhe 3, ku ndër të tjera shkruhej: “Futbollistët e Këln, me në krye udhëheqësin sportiv, Noibaher, arritën në aeroportin e Rinasit dje pasdite. Kishin dalë për t’i pritur përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të klubit Partizani. Korrespondenti ynë zhvilloi një bisedë më trajnerin e skuadrës, Georg Knopfle. Pyetjes së cilët lojtarë mendon të aktivizojë, ai iu përgjigj: Shumaker, Pot, Reg, Veber, Vilden, Shturm, Tilen, Shefer, Myler, Overat, Hornig. Por, ende nuk dimë nëse ky do të jetë formacioni, pasi trajneri nuk na përmendi emrat e dy lojtarëve aktivë, portierit Evert dhe sulmuesit të majtë, Xexe. Duke përfunduar, trajneri tha se e njeh skuadrën e Partizanit si një kundërshtar të rrezikshëm dhe se është në dijeni të rezultateve, veçanërisht të takimeve ndërkombëtare”.
KUPA E KAMPIONEVE, TURI I PARË NË SEZONIN 1964-1965
Tiranë, e mërkurë 9 shtator 1964
PARTIZANI-KËLN 0-0
PARTIZANI: Janku, Deliallisi, Vaso, Frashëri, O. Mema, Shllaku, Kraja, Bespalla, Ndini, Pano, Jashari.
Trajner: L.Boriçi
KËLN: Shumaker, Pot, Vilden, Reg, Veber. Shturm, Thilen, Shefer, Myler, Overat, Hemrrsbah.
Trajner: G.Gnofle
GJYQTARË: Varazhdineç, Strmecki, Radunovic (Jugosllavi);
SHIKUES: 20.000
Ka interesim të jashtëzakonshëm në stadium dhe mijëra të tjerë jashtë, që e ndjekin takimin nga radioja me zërin e Mazrrekut, Bellovës e Këlliçit. Partizani ka dy lojtarë të rinj debutues: mbrojtësin korçar Teodor Vaso dhe durrsakun Niko Bespalla. Te gjermanët spikatin tre lojtarë: mbrojtësi i kombëtares Veber, autori i golit të barazimit 2-2 në finalen e botërorit 66’ në “Uembli”, Angli-Gjermani 4-2; mesfushori Volfgang Overat, një tjetër kolos i futbollit gjerman, që do të vijë në Shqipëri edhe dy herë të tjera, më 1966 e 1971 me kombëtaren dhe pa dyshim Hans Shefer, kampioni i botës me Gjermaninë më 1954.
Ora 16.00, nis loja, ndërsa kronika e kohës është kjo: Kampionët tanë shpërthejnë vrullshëm që në minutat e para. Një goditje këndi, ekzekuton Bespalla, por pa rezultat. Ka presion nga vendësit, është ndërhyrja e sigurtë e Vildenit, që largon rrezikun. Minuta e 10-të, publiku duartroket një roveshatë të Jasharit, me topin që përfundon mbi shtyllën e portës së Shumakerit. Në 13’ dhe 14’, Pano është autor i dy shërbimeve, por gabimet e Jasharit dhe Ndinit nuk e dërguan Partizanin në avantazh. Gjermanët zhvillojnë një lojë të ngadaltë, deri diku të mërzitshme, për të fituar kohë e vënë në gjumë kundërshtarin. Në fundin e pjesës së pare, pas një goditjeje këndi, Ndini gjuajti, por topi fluturon sipër, duke humbur një mundësi të papërsëritshme shënimi.
Në pjesën e dytë, miqtë, të vendosur tërësisht në mbrojtje, kanë një rast me Myler për 1-0, por nxitohet dhe e nxjerr topin jashtë, që është edhe i vetmi moment për kundërshtarët. Në minutën e 77-të Pano vetëm për vetëm me qendërmbrojtësin kundërshtar, nuk luftoi që ta godiste topin me kokë për në rrjetë, duke humbur një shans të vlefshëm. Minutat e fundit kanë presion nga ushtarakët në kërkim të golit të fitores, por dy gabime të Krajës dhe Jasharit, vulosën rezultatin e bardhë. Përgjegjësinë kryesore në mosfitimin e lojës e mbajnë në radhë të parë katër sulmuesit: Kraja, Bespalla, Jashari e Pano, nga të cilët kërkohej më shumë bashkëpunim se loja individuale, pasi për vetë karakterin e lojës, mbrojtja jonë nuk pati shumë punë. Janku gjatë gjithë lojës priti vetëm dy topa. Meritojnë të përmendim Deliallisin, Frashërin dhe Shllakun, që u tregua i sigurtë dhe i qartë në veprimet e tij. Gjykimi i ndeshjes ishte i mirë. Ne kemi besim të plotë se në forcat tona, vetitë luftarake të futbollistëve të Partizanit, në përgatitjen e tyre të mirë, dhe pa nënvleftësuar kundërshtarin, i kemi të gjitha mundësitë të zhvillojmë më 23 shtator në Këln një lojë të bukur, të shoqëruar me rezultat”, shkruante Zyber Konçi në gazetën “Sporti Popullor”.
Ndërkohë, pas ndeshjes, trajneri Loro Boriçi do të deklaronte: “Partizani pati epërsi mbi kundërshtarin, dominoi plotësisht mbi të, por nuk diti të korrë fitoren, e cila po të arrihej nuk do të ishte e pamerituar. Fitorja e dëshiruar nuk u arrit sepse vija e sulmit në disa çaste decizive u duk e paqartë në veprimet e saj, vononte në pasime dhe mbante topin”. Ndërsa trajneri gjerman, do të shprehej: “Jemi të kënaqur nga rezultati. Ndryshe nga sa mendonim, Partizani u paraqit një kundërshtar serioz, një skuadër që duhet të kesh respekt. Skuadra ka lojtarë të zotë. Në fushën tonë do të tregojmë anën tjetër të medaljes”.
Aheng deri në mesnatë me këngëtarët Avni Mula dhe Mentor Xhemali / Zhurma në mediat gjermane dhe banketi mes… muzikës
Këlnin e kanë shoqëruar edhe tetë gazetarë të cilët përfaqësonin organet kryesore të shtypit dhe radiotelevizionit të Gjermanisë Perëndimore, që para takimit u shprehën se i njihnin mirë disa lojtarë, si dhe karakteristikat e tyre. Në atë kohë, “Kicker” shkruante: “Ekipi ynë kampion, Këlni, niset për Tiranë pa iluzione”. Të interesuar deri në detaje, nisur nga atmosfera që ata gjetën në kryeqytetin shqiptar, pyetja e tyre ishte: “Sa bileta janë shitur? A janë shitur të gjitha biletat”? A do të luajnë në vijën e parë Pano dhe Jashari? Publiku në Gjermani është tejet i preokupuar, nisur edhe nga forma jo e mirë e skuadrës që kishte humbur dy takimet e para në Bundesligë. Sipas tyre, frika vinte edhe nga avantazhi i fushës që favorizonte Partizanin, një skuadër energjike me disa futbollistë të shpejtë në sulm.
Pas ndeshjes, ata do të shpreheshin: “Gjatë lojës, Partizani e detyroi ekipin gjerman të luante në mbrojtje për të evituar humbjen që do të ishte shumë e rëndë. Barazimi për ne ishte një zgjidhje shumë e kënaqshme…”. Duke reflektuar gëzimin për rezultatin, madje këtë e treguan 20 minuta para përfundimit, kur nga kabinet e hotel Dajti ata u lidhën me redaksitë e tyre në Hamburg, Këln, në qytet të tjera të Gjermanisë, deri në Vjenë, ku dhanë me shpejtësi një reportazh nga takimi ende i papërfunduar. Ishin centralistët që do të pyesnin për rezultatin, duke informuar se pranë centralit prisnin shumë amatorë të futbollit, që donin të merrnin lajme nga stadiumi i Tiranës. Komenti i tyre ishte: “Loja që zhvilloi Partizani do të rrisë edhe më shumë interesimin e publikut gjerman për futbollin shqiptar. Barazimi pa gola, i favorshëm, por që kualifikimi nuk do të jetë i lehtë”.
Gazetari Klaus Bokelkamp i “Bild Caitung”, gazeta me tirazhin më të madh në Gjermani, u shpreh: “Ekipi gjerman meritonte të ndëshkohej të paktën me një gol. Ai luajti keq. Unë jam krejt i pakënaqur prej tij. Pjesërisht në skuadrën e Partizanit ka lojtarë të shkëlqyer me cilësi të larta, të përsosur në përdorimin e topit. Këln nuk do të ketë kurrë guximin të bëjë një lojë të tillë mbrojtëse dhe kaq të keqe përpara publikut të vetë. Ai do të zhvillojë lojë sulmi me mendimin e prerë që të fitojë. Dua të nënvizoj mendimin tim për publikun: I shkëlqyer. Në çdo qytet të Europës, në Paris, në Milano, në Bruksel, do të kishin vërshëllyer skuadrën gjermane me lojën e keqe që bëri. Publiku shqiptar ja kurseu këto fishkëllima që Këlni i meritonte plotësisht”.
Larl Hainc Haimna, redaktor u gazetës sportive “Kicker” tha: “Është gjynah që një skuadër si Partizani të mos jetë në gjëndje e të mos dijë të shënojë gola në një lojë të cilën e kishte në dorë. Këlni luajti shumë dobët dhe Partizani nuk mundi ta shfrytëzojë këtë gjëndje të saj jo të mirë. Te Partizani, mungesa e kontakteve më të shpeshta ndërkombëtare, do ta ndihmonte mjaft për të ngritur nivelin e futbollit të tij. Më pëlqeu Pano, një lojtar me shumë ide. Kujdes numrin 2 shqiptar, Deliallisi. Nuk duhet të jetë një mbrojtës, por një gjysmëmbrojtës ose sulmues i djathtë. Duhet ruajtur mirë!”. Ndër më të mirët ata cilësuan edhe Frashërin. Për ta Partizani duhet të kishte fituar minimalisht 1-0, por rezultati më i drejtë do të ishte 2- 0. Për të gjithë gazetarët gjermanë, Lin Shllaku, ishte lojtari më i mirë në fushë. Barazimi pa gola dukej i favorshëm për Këlnin, por që kualifikimi nuk do të jetë i lehtë dhe këtë bindje kishin gjermanët.
AHENGU -Banketi i shtruar nga Partizani do të çmendë gjermanët, që ndryshe nga herët e tjera, nuk u shtrua në Hotel “Dajti”, por në sallën e madhe të SHQU-pit, në Rrugën e Kavajës sot. Hera e parë që nuk u respektua protokolli, pasi u ftuan edhe gazetarët gjermanë. Aheng deri pas mesnate me këngëtarët e njohur Avni Mula dhe Mentor Xhemali. Futbollistë gjermanë e shqiptarë, që vallëzonin në grup me qeleshet në kokë, dhuratë e klubit të kuq. “Mikpritja juaj ishte për ne një kënaqësi shumë e madhe. Ne do të përpiqemi të organizojmë më së miri pritjen e Partizanit në Këln, por do të jetë e vështirë të sigurojmë, garantojmë lojtarët tuaj atë atmosferë temperament të ngrohtë që gjetëm tek drejtuesit dhe lojtarët e ekipit shqiptar”. Ndërkohë, pas barazimit me Këlnin në Kupën e Kampioneve, Partizani do të rikthehet në kampionat dhe në javën e parë luan në Lushnjë. Do të barazojë me Traktorin, me gola të realizuar nga Jashari dhe Gogoni me 11- metërsh. Epërsia e lushnjarëve ishte e dukshme, me raste të humbura nga Xhoxhi, por edhe një shtyllë e Gogonit.
Ndeshja e kthimit në Këln, parfumet si dhuratë nga kryebashkiaku
Partizani mbërriti në Këln pas një udhëtimi të gjatë me avion, të hënën në mesditë. Një ditë para ndeshjes, skuadrën e priti kryebashkiaku i Këlnit dhe duke i falënderuar i dhuroi nga një kuti, brenda të cilës ishte një shishe me parfum, e prodhuar pikërisht në “Shtëpinë e Kolonjës”, me qendër në Këln, e njohur dhe me famë botërore. “Murngersdorfer Stadium”, ora 20:00, ndizen të gjithë projektorët, interesim i madh me 50 mijë shikues. Trajneri Boriçi aktivizon debutuesin Foto Andoni, sulmues anësor në vend të Kolec Krajës, si dhe Tomor Shehun për Bespallën. Ndërsa Gnofle rikthen Loherin, lojtar i rrezikshëm, titullar i kombëtares, që nuk ishte në Tiranë.
Bashkë me skuadrën e kuqe, në Këln ka udhëtuar edhe gazetari Kristofor Grillo, i cili në gazetën “Sporti”, pas kthimit shkruan: “Ajo ka qenë një ndeshje dramatike, ritëm i lartë, nga fillimi deri në fund. Në minutën e 3-të, Shefer godet shtyllën e Jankut. Më pas kemi kundërzbritje të shpejtë Pano-Ndini-Jashari-Pano, me këtë të fundit që godet, por Shumaker e përcjell topin në korne; Më pas aksioni i nisur nga Frashëri te Ndini dhe Pano që ka dribluar dy kundërshtarë, pason te Tomorr Shehu, por që nuk e zotëron topin. Në të 9- ën, Janku korr duartrokitjet e para, kur ka devijuar në korne një gjuajtje të afërt nga Tilen.
Minuta e 13-të, kemi kombinim të bukur Jashari-Pano-Ndini, në kufi të 16 metrave. Ndini gjuan, por jashtë. Në vijim, Janku pret në këndin e sipërm, ku bashkohen dy shtyllat një goditje me kokë nga afër të Mulerit. Minutat 27 dhe 28 sjellin dy kombinime të sulmuesve të Partizanit, ku në të parën Shllaku gjuan gabim, ndërsa në të dytën, stadiumi do të shtangë nga talenti i Panos. Ai me një finte që dy herë në jetë nuk mund të përsëritet, driblon Veberin dhe Regun, duke pasuar nga vija fundore për Andonin, që godet me forcë, por Shumaker e largon në korne. Në minutën e 37-të, me një aksion individual Andoni çan mbrojtjen gjermane, nxjerr Jasharin në pozicion, topi i goditur lehtë prej tij u prit nga portieri.
Fillimi i pjesës së dytë, janë minutat 47, 48, 49, në tre zbritje të bukura të Partizanit, që u duartrokitën dhe vetëm gjakftohtësia e Shumakerit me pritje të shpëtimtare pas gjuajtjeve të Panos, ndërsa ajo e Jasharit, përfundoi shumë metra mbi shtyllë. Në minutën e 55-të, një zbritje e shpejtë e vendësve me Shefer-Myler-Tilen, bën që Janku të presë me vështirësi. Në minutën e 64-t, Andoni dërgon jashtë një top, që duhet të pasonte te Pano ose Ndini, që ndodheshin brenda zonës të pambuluar. Deri në gjysmën e ndeshjes, rrjetat janë të paprekura, Partizani kalon çaste nervozizmi, kur Jashari dëmtohet dhe lë fushën, pas tij edhe Frashëri e Pano. Në rast barazimi, do të luhet e treta, në një fushë asnjanëse. Por, në 76-ën, Shturm ka përfituar nga një gabim i Vasos dhe Deliallisit, duke shënuar për 1-0. Ndërsa në 73-ën, Andoni pati mundësi të barazojë, kur nga një distancë e afërt e përcolli topin jashtë. E njëjta mundësi iu dha Ndinit nga Shllaku, por sërish nuk përfituan të kuqtë. Në minutën e 88-të, pati pakujdesi të mbrojtjes dhe Overat nga afër, realizon të dytin. Partizani goditi 13 herë në portën e Shumakerit në pjesën e parë. Gjashtë u pritën prej tij, dy i grushtoi, të tjerat përfunduan jashtë.
Loja e Partizanit u duartrokit, ndërsa portieri Janku ishte më i miri në fushë. Në sulm u dallua Pano, nismëtar i çdo sulmi dhe i driblimeve mahnitëse, duke i lënë të habitur të gjithë. Andoni ishte i palodhur, bashkë me Ndinin në mesfushë. Partizani aplikoi katrorin magjik, ku ranë viktimë disa herë lojtarët gjermanë, mes tyre edhe Shefer, që vinte vërdallë nën të qeshurat e publikut, që pasohej nga Pano, te Ndini, Shllaku. Sidomos ky i fundit, në mbështetje të vijës së parë, një futbollist me përvojë dhe organizator i mirë. Një barrë të rëndë mbajti edhe mbrojtja, duke filluar nga Mikel Janku që duhet lavdëruar për guximin, shpirtin e sakrificës dhe disa pritje, thuajse të pamundura, i duartrokitur nga 50 mijë shikuesit. U dalluan gjithashtu Osman Mema, me disa ndërhyrje decizive. Po kështu Deliallisi, Vaso, Frashëri, duke evituar krijimin e korridoreve. Pas golit të dytë, fusha u pushtua nga tifozët vendës dhe arbitri u detyrua ta ndërpresë lojën, deri në largimin e publikut. Në të tilla kushte u shënua edhe goli i dytë, me një publik gati për t’u futur në fushë”, shkruan Grillo.
Këtu merr fund aventura e Partizanit në Kupën e Kampioneve, me një bilanc: 6 ndeshje, tre barazime, tre humbje, të trija në udhëtim, për t’u rikthyer në sezonin 1971- 1972. Televizioni i Gjermanisë Perëndimore do të dërgojë në vijim gazetarë në Tiranë për një telereportazh, po pa tekst shoqërues të ndeshjes Partizani-Këln 0-0. Komenti i saj do të bëhet nga Skifter Këlliçi, duke ndjekur pamjet e këtij reportazhi filmik. “Nuk e pata të vështirë, sepse së bashku me Mazrekun dhe Bellovën e kishim komentuar në Radio këtë ndeshje dhe i kisha ende të freskëta pamjet e saj”, do të kujtojë Këlliçi.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"