SPECIALE/ Luiza Gega rrëfen edicionin e pabesueshëm: 2022-shi, vit ëndrrash. Kam ndjerë emocione dhe gëzim në çdo garë (E PLOTË)
Viti 2022 ka qenë vërtet i jashtëzakonshëm për Luiza Gegën, e cila ka vijuar të shkruajë historinë e sportit dhe atletikës shqiptare me rezultate të pabesueshme, të cilat kulmuan me titullin kampion me rekord në Kampionatin Europian që u mbajt në Mynih.
Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Luiza rrëfen sezonin e sapombyllur, të cilin e quan një edicion ëndrrash, ndërsa fikson edhe objektivat e 2023-shit. Duke iu rikthyer edhe emocioneve të mëdha që i ka falur 2022-shi, kampionia kuqezi komenton edhe një herë të artën e Europianit dhe rekordin, ndërsa ndalet edhe te marrëdhënia me trajnerin Taulant Stërmasi.
Luiza, fillimisht si kanë qenë këto ditë festash për ju? Si i keni kaluar?
Të them të drejtën nuk është se e kam ndierë shumë pjesën e festave. Krishtlindja na zuri në Kenia, më pas u kthyem më datë 28 në Tiranë, por më datë 30 duhej të niseshim përsëri, pasi më 31 kisha garën në Bolzano në Itali. Kështu që duhej të niseshim për të kaluar në një farë forme Vitin e Ri atje, sepse isha e detyruar për shkak të garës. Kështu që nuk është se i kam festuar festat.
Një 2022 ëndrrash për ju. Çfarë mendoni kur e ktheni kokën pas dhe shihni rezultatet?
Në fakt fiks kështu do t’ia jepja përkufizimin edhe unë, “një vit ëndrrash”. Të them të drejtën në qoftë se do të kthej kokën në çdo garë të sezonit të verës, nuk di një garë që të them se nuk shkoi mirë për x arsye, apo se nuk jam e kënaqur nga x rezultat. Çdo garë më ka dhënë superemocione dhe madje shpeshherë e kam përmendur këtë gjë edhe me trajnerin, të cilit i kam thënë “si ka mundësi që në këtë vit në çdo garë kam përjetuar supergëzim, superrealizim dhe jam ndierë super e arrirë, qoftë në mitingje edhe pse kam bërë pak të tilla për shkak të aktiviteteve kombëtare ku duhej të përfaqësoja Shqipërinë. Ballkaniadat, Lojërat Mesdhetare, Kampionati Botëror, Kampionati Europian, nuk e di ka qenë një vit fantastik. Për këtë edhe garat e 2023-shit me zor i pres, por nga ana tjetër kam edhe pak ankth, sepse duke qenë se kam kaluar një supervit, do të doja që vërtet të shkonte çdo gjë shumë mirë edhe në 2023-shin.
Të ndalemi te titulli kampion Europe, cilat janë ndjesitë që përjetoni kur i kujtoni ato momente?
Pas viti 2016, kur unë u shpalla nënkampione e Europës, kërkova në 2018-ën që ta përsërisja atë emocion, por nuk ia dola dot, duke u renditur në vend të katërt, me një diferencës prej të qindtësh me vendin e tretë. Ne vetvete pësova një lloj mërzitje dhe zhgënjimi, sepse kisha dëshirë të isha përsëri medaliste. Kështu që kur nuk e arrita atje, e doja shumë që ta riktheja atë emocion të medaljeve. Duke parë se në këtë vit vërtet çdo garë kishte shkuar mirë dhe e besoja fort dhe mendoja gjithnjë se e meritoja që titulli kampion këtë vit të më përkiste mua. Isha sportistja me rezultatin më të mirë në Europë, plus që Kampionati Botëror më dha një besim shumë të madh, sepse atje arrita që t’i lë mbrapa të gjitha kundërshtaret nga Europa. Kështu që e dija se mund ta bëja përsëri dhe kjo gjë do të më jepte edhe titullin. Janë superemocione dhe unë sa herë i rikthehem asaj videoje përjetoj emocione të forta, duke ditur se çfarë më është dashur për të mbërritur deri aty. Sa je lodhur, sa vite, sa momente që ke menduar të dorëzohesh, por nuk e ke bërë, etj. Pra janë pikërisht këto edhe arsyet pse ka edhe shumë emocion si medalje, sepse e kam kërkuar shumë për ta arritur, jam përpjekur pa u ndalur në diell apo shi.
Përveç medaljes keni vendosur edhe rekord në Kampionatin Europian…
Pastaj rekordi i Kampionatit Europian ishte një arritje tjetër e veçantë dhe e madhe. Shumë sportistë kanë tentuar që ta thyejnë, por sigurisht që nuk ia kanë dalë dot, sepse është e vështirë që një gare në dy vjet t’i qëllosh në shenjë për rekord kampionati. Kam pasur një superformë.
Çfarë ju gëzoi më shumë e arta apo rekordi?
Sigurisht që më e rëndësishme ishte medalja, sepse rekordi është diçka që mund të vijë dikush tjetër dhe ta thyej, ndërsa medaljen nuk ta merr dot njeri. Pra në vitin 2022, kam qenë unë sportistja që kam rrëmbyer medaljen e artë dhe kjo do të mbetet në histori. Ndërsa rekordi edhe mund të thyhet një ditë në vazhdimësi nga ndonjë sportiste tjetër.
Ishte një sezon i pabesueshëm, por a ka Luiza ndonjë peng apo diçka që do të dëshironte ta ndryshonte apo ta bënte më mirë nga viti i kaluar?
Nuk është se kam ndonjë peng, thjesht mendoj që rezultatin mund ta kisha bërë më të mirë këtë vit nëse do të kisha pasur si synim ndonjë “Diamond League”, të cilat janë pikërisht edhe aktivitetet për të arritur kohë shumë të mirë, sepse në tilla evente siç dihet ka edhe “pacemaker”, pra dikë që të mbajë ritëm të shpejtë, sepse janë gara për të bërë rezultat të madh. Kështu që besoj se do të kisha shënuar kohë më të shpejtë se ajo që kam arritur nëse do të kisha marrë pjesë në “Diamond League”, por siç e thashë nuk kisha mundësi të merrja pjesë në aktivitete të tilla, pasi kisha qëllim medaljet sezonin që sapo u mbyll. Kështu që gjatë këtij viti këtë do të synoj, përmirësimin e rezultatit dhe sigurisht pse jo të renditem edhe më mirë në Botëror. Ky është synimi im kryesor.
Siç edhe dihet, më shumë se të arrish majën është më e vështirë të qëndrosh aty. Ndërsa ju prej vitesh qëndroni në top, duke pasur gjithnjë rritje në rezultate, pa u “dehur” asnjëherë nga suksesi. Cili është sekreti?
Nuk mund ta them në formë të prerë se cili është sekreti, por mund të them se sportiste e nivelit të lartë kam filluar që të bëhem vonë, pra rreth 22 vjeç kur fillova të kuptoj se çfarë do të thotë të bëhesh sportiste profesioniste. Kur isha e vogël e shikoja thjesht si argëtim dhe nuk kisha shembuj për të ndjekur, shembuj ndoshta qoftë të punës apo të shikoja dikë se mund ta arrinte. Gjithmonë dhe sidomos te garat që unë bëja në 800 metra apo 1500 metra ishin garat më të vështira dhe cilësoheshin si gara ndoshta edhe me rekorde të pathyeshme. Por kur kam filluar që të grumbullohem edhe jashtë vendit, sidomos në Kenia, aty kam parë sportistë të nivelit të lartë.
Pra keni nisur të ndiqni rrugën e më të mirëve…
Pavarësisht se më fliste trajneri dhe më tregonte gjatë të gjithë kohës se si mund të bëhesha sportiste e madhe, sërish kur nuk ke dikë që vërtet mund ta shohësh, e ke të vështirë ta perceptosh se çfarë do të thotë të jesh sportiste dhe të kërkosh diçka. Aty kam parë sportistë të nivelit të lartë dhe fillova të “vjedh” detajet e tyre, fillova t’i ndjek në rrjetet sociale.
Cilat janë detajet që shikonit kryesisht te kampionët?
Shikoja qoftë edhe çfarë hanë, apo çfarë bëjnë kampionët dhe kështu nisa që t’i ndjek dhe të mësohesha me idenë që edhe unë mund të jem e tillë. Pastaj kam pasur fatin që kam një trajner shumë të apasionuar, që kujdesej, lexonte, mësonte, qoftë edhe në bisedat e me trajnerët e niveleve më të larta nëpër grumbullime dhe kjo bëri që gjërat gradualisht, le të themi, të piqeshin. Qoftë unë si sportiste, por gjithashtu edhe informacioni nga trajneri apo stërvitja.
Kështu edhe stërvitjet i dërguat në një tjetër nivel apo jo?
Trajneri nisi të kuptojë edhe më mirë se çfarë programi më shkon mua dhe nisëm të bëjmë siç bëjnë sportistët elitarë të botës, të investojmë më shumë, qoftë në suplemente, të jemi më të kujdesshëm në gjithçka, në atë që pimë gjatë stërvitjes, që duhet të pish pas stërvitjes. Për të vijuar me testet e laktatit deri në detajet më të vogla. Pra jemi munduar që të mbledhim në çdo vit sa më shumë detaje dhe ndoshta kjo është edhe arsyeja. Pastaj sigurisht edhe vendosmëria ime për të arritur më lart ka të bëjë shumë, sepse nëse nuk ke një objektiv të qartë apo një pikë se ku synon të mbërrish, është e pamundur që të gjesh rrugën. Kështu që unë objektivat i kam të qarta dhe falë Zotit kur nuk kam asnjë dëmtim çdo gjë shkon mirë. Sigurisht si çdo sportist do të kesh edhe ulje ngritje, sepse në fund të ditës je njeri prej mishi dhe gjaku dhe jo makinë. Por ia kam dalë dhe mundohem çdo ditë që të mos lë të më ikë dhe mos të lëshoj asgjë, sepse nuk dua që të bëj asnjë hap mbrapa.
Ndonëse një kampione e madhe, ju vazhdoni të mbeteni një njeri i thjeshtë dhe kjo dallohet qartë nga marrëdhënia me fansat…
E kam pjesë karakteri dhe si njeri nuk më ndryshon dot edhe nëse nesër do të dal kampione bote. Sepse e kam provuar duke thyer rekorde, kam provuar të dal shpesh herë kampione Ballkani, më pas Mesdheu, apo Europe, por unë ndihem po e njëjta si njeri. Nuk më është rritur fare mendja dhe ajo që vlerësoj më shumë qoftë te vetja, apo edhe te njerëzit është pjesa njerëzore, pastaj arritja profesionale. Ndoshta edhe kjo pjesë, duke qenë gjithnjë një person me këmbë në tokë, nuk më ka bërë që të devijoj nga ajo që unë dua. Pra thjesht jam e qartë se çfarë dua dhe kënaqem me objektivat e mia kur i arrij edhe kaq. Pra është një punë që unë e bëj mirë, por pa prekur pjesën njerëzore.
Në anketa jeni sportistja më dashur për shqiptarët. Si ndiheni për këtë fakt?
Gjithmonë e kam bërë këtë që bëj, sepse çdo vit e më shumë pasioni është rritur. Pra si me vlerësimin e njerëzve apo edhe pa, unë këtë do të bëja gjithsesi. Por sigurisht që kur njerëzit të urojnë, të duan, të vlerësojnë, patjetër që ndihesh shumë mirë. Ndoshta kurrë nuk jam ndierë kaq mirë, sa këtë vit, sepse ka qenë një sezon i veçantë, përveç rezultateve të mëdha, medalja e Europës solli një emocion shumë të madh te njerëzit. Unë kisha dalë edhe dyta në Europë, që në fund të fundit ishte sërish një medalje e rëndësishme, por kurrë nuk është përjetuar në këtë formë. 2022-shi duket se ka marrë dhe rrëmbyer çdo gjë nga të gjitha vitet që unë kam bërë sport, si nga ana emocionale. Kështu që kënaqem dhe gëzoj respekt, sepse e shikoj formën sesi njerëzit ma shprehin. E lexoj në sytë e tyre që e kanë shumë të sinqertë dashurinë dhe respektin që më shfaqin dhe kjo shpeshherë më emocionon shumë. Madje shumë herë edhe kur jam duke vrapuar nga liqeni, apo duke stërvitur, mundohem që t’i falënderoj kur më urojnë, edhe pse mund të prish atë pulsin apo frymëmarrjen. Por ngaqë më gëzon kaq shumë kjo pjesë, dua që ta dinë që edhe unë i falënderoj jashtë mase shumë. Pra më motivojnë shumë. Në fund të ditës dihet që pjesa financiare është e rëndësishme, por sërish nuk të jep këto emocione që të falin njerëzit me urimet e tyre.
Gjithnjë e keni theksuar punën e trajnerit Taulant Stërmasi. Duket se jeni binomi perfekt sportist-trajner, duke u rritur së bashku në këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm prej shumë vitesh…
Ne kemi 16 vite bashkë dhe nuk është se gjërat gjithmonë kanë qenë të lehta, sepse të punosh për një kohë kaq të gjatë 365 ditë të vitit nga mëngjesi deri në darkë nuk është e lehtë. Të flasësh me një trajner edhe më shumë se me prindërit, sepse kërkon të dijë gjatë gjithë kohës “Si je më këmbët? Si ndihesh, si u ndjeve pas stërvitjes së fortë etj?” dhe shpeshherë mund të kem ndierë edhe ngarkesë psikologjike, sepse është e natyrshme. Por unë e kam thënë dhe do të vazhdoj ta them gjatë të gjithë kohës që ia dedikoj suksesin tim trajnerit, sepse e di se çfarë do të thotë të bëjë një trajner atë që bën trajneri im.
Sa ka ndikuar trajneri në karrierën tuaj?
Domethënë ai qoftë edhe atë pasionin e tij që ka pasur gjithmonë, ma ka ushqyer edhe mua. Ne kemi objektiva të përbashkëta dhe e dimë se çfarë duam. Punojmë të dy fort me gjithë uljet dhe ngritjet tona, sërish nuk i ndahemi objektivit që kemi. Ndihem me fat që kam rënë në duart e tij, duke qenë se jemi vend i vogël dhe nuk ka shumë mundësi trajnerësh me eksperiencë. Pa trajnerin nuk e di nëse do ta kisha vazhduar sportin, apo nëse do të isha kjo që jam.
Ndërkohë edhe vështirësitë që keni hasur kanë qenë të shumta apo jo?
Edhe pse gjithmonë flasim për falënderimet, patjetër që kemi pasur edhe ne momente të vështira, ku trajneri është ndierë shumë i pavlerësuar, sepse në fakt kështu ka qenë. Institucionet nuk e vlerësonin qoftë edhe moralisht të paktën dhe kjo më bënte shumë çudi, pasi një sportist nuk mund të bëhet kurrë pa trajner sado talent të ketë. Unë qoftë edhe një ditë kur jam pa trajnerin, nuk e bëj kurrë stërvitjen siç e bëj me atë. Pra sado sportist i madh të jesh dhe të dish se çfarë duhet të bësh, kurrë nuk e zëvendëson dot pjesën e trajnerit. Kështu që kemi kaluar edhe ne vështirësitë tona, por objektivi i madh nuk na ka lënë që të devijojmë. Ajo që më pëlqen qoftë te trajneri, apo edhe te vetja, është se i kemi gjërat e qarta dhe çdo lloj mosmarrëveshjeje që mund të kemi, asnjëherë nuk ja heqim meritat njëri-tjetrit. Nuk di çfarë të them tjetër për trajnerin, thjesht e falënderoj pafund që më ka bërë kjo sportiste dhe ky njeri që jam sot. Ka pasur një ndikim të madh në çdo gjë timen.
Çfarë pret Luiza Gega nga 2023-shi?
Ky vit do të nisë me disa gara të vogla për të parë formën e dimrit. Janë gara ku nuk shkojmë me objektiva të mëdha për këtë sezon dimëror, sepse synimet kryesore i kemi në sezonin veror, ku është edhe gara e 3000 metrave me pengesa, sepse siç dihet garat e mbyllura nuk kanë 3000 metra me pengesa, por do të bëj disa gara testuese. E para do të jetë më datë 27 janar në Karlsruhe që është edhe mitingu më kryesor i garave të dimrit, ku do të marr pjesë në 3000 metra, më pas të tjerat do t’i shikojmë. Kemi Ballkaniadën, të cilën e kam bërë në çdo dimër dhe do të mundohem të futem në dy gara në këtë event. Do të jetë një stërvitje e mirë në 1500 dhe 3000 m. Më tej nëse do ta shikoj veten në formë për Europianin e sallave të mbyllura dhe do të shkoj për të bërë garën e fundit të sezonit dimëror në mars, event që do të bëhet në Turqi.
Më pas vjen sezoni veror…
Objektivat kryesore fillimisht janë garat “Diamond League” në 3000 m/p, ku të parën mendojmë që ta bëjmë më 5 maj në Doha. Ndërsa objektivi kryesor mbetet Kampionati Botëror që do të zhvillohet në Budapest, që është edhe eventi ku unë synoj të arrij kulmin e formës. Pretendoj një pozicionim më të mirë se vendi i pestë që arrita në botërorin e Oregonit. Sigurisht që objektiv mbetet edhe thyerja e rekordit kombëtar, e atij ballkanik në 3000 metra.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"