60 vjet të Kampionatit të një kthese historike

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2024 | 21:20

60 vjet të Kampionatit të një kthese historike

Nga BESNIK DIZDARI

KAMPIONATI I NJË KTHESE HIS TORIKE. Kështu mund ta përcak tojmë Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë 1963-1964. Ndonëse sundimi i Partizan/Dinamos nuk cenohet as kësaj here, padyshim ky duhet quajtur si Kampionati i një kthese historike. Kjo edhe për disa të dhëna apo ngjarje që flasin vetë.

1176bc37-5c3a-40f9-a0e7-ded6a54e3655 PARTIZANI në çastin e shpalljes kampion 1963-1964: Lart nga e majta: Kolec KRAJA, Teodor VASO, trajneri Loro BORIÇI, Miço PAPADHOPULLI, Fatmir FRASHERI, Osman MEMA, Mikel JANKU. Ulur nga e majta: Foto ANDONI, Panajot PANO, Miço NDINI, Tomor SHEHU, Robert JASHARI. (Foto: Prokop Koreta)

Në radhë të parë, ky është Kampionati kur si asnjëherë tjetër paraqitet rritja e dukshme e skuadrave të qyteteve. Dhe ndonëse Kampionati pëson rënien e Vllaznisë së Shkodrës, po ta shohësh me gjykimin e ekspertit, edhe pse skuadra e Shkodrës – padyshim qyteti më futbollistik i Shqipërisë – pëson këtë rënie, përbërja e saj është një grup i paharrueshëm talentesh, të cilët brenda vetëm një viti të më pas ata do të shpërthejnë deri te skuadrat Kombëtare të Shqipërisë. Po ndërkaq, ajo çka është më e befasuese është paraqitja e skuadrave të qyteteve të tjera, të tilla si Besa e Kavajës, Lokomotiva e Durrësit, Flamurtari i Vlorës dhe Labinoti i Elbasanit, të cilat deri në javën e fundit mbeten pretendente për “titullin” e Nënkampionit të Shqipërisë.

E, kjo ngjet për shkak edhe të vërshimit në këto skuadra të futbollistëve të talentuar. Dhe jo vetëm kaq. Ky është Kampionati që i blaton Shqipërisë, më e pakta katër ngjarje historike të rangut të Europës. Prej këtij Kampionati shfaqet një Partizan vërtet i madh për ne, i cili i jep Shqipërisë fitoren e parë në Kupat e Europës, në këtë rast ndaj kampiones së Bullgarisë, Spartak i Plovdivit.

Dhe është ky Partizan i cili fiton medaljet e argjendta në turneun e ashtuquajtur të Ushtrive Mike të vendeve komuniste në Hanoi të Vietnamit, duke triumfuar deri në ndeshjen e fundit kundër skuadrave të fuqishme të këtyre shteteve.

Nga ana tjetër, ky është Kampionati i Shqipërisë prej të cilit lind një Kombëtare, e cila që në pjesëmarrjen e saj të parë, shënon fitoren e parë të Shqipërisë në kualifikimet euro botërore (1-0 kundër Danimarkës). Por ky është Kampionati prej të cilit lind barazimi i bujshëm 0-0 në Tiranë me skuadrën Kampione të Gjermanisë që ishte 1. FC Köln e Këlnit, siç e shkruajmë ne në shqip.

Të përmbledhura të gjitha këto, çka do t’i tregojmë në hollësi në këtë kapitull të librit e përcaktojnë pa mëdyshje Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë 1963-1964 si një kampionat i një kthese të dukshme në rritjen cilësore të tij dhe të futbollit kombëtar.

e2df7155-a8ab-4970-b657-5e5aa5c76ffa

Dinamo-Besa 1-1. Pret portieri Shevqet Topi, ndër më të mirët në ndeshje. (Foto: Enver Shabani)

Dhe paradoksi i paradokseve, që na thotë se kjo rritje është një sfidë për një Shqipëri të diktaturës më të ashpër të Europës, por një Shqipëri e cila mbas prishjes me Bashkimin Sovjetik, me veprimtaritë e shumta sportive dhe me vendimin për të marrë pjesë në veprimtaritë më të mëdha ndërkombëtare të futbollit, të dukej se kërkonte të përmendej sado pak jashtë kufijve të saj.

ISHTE SHQIPËRIA POLITIKE E SPORTIVE 1963-1964

Në këtë stinë 1963-1964 jeta shqiptare e pleksur me jetën politike të brendshme të Partisë së Punës së Shqipërisë, thuajse çdo javë shfaq veprimtari sa të sportit të masave, për çudi gjithnjë sipas stilit të sportit sovjetik, që ishte në krye të sportit botëror.

Stina 1963-1964 teksa nis me përurimin e Pallatit të parë Sportiv të Lojnave me dorë, siç ishte ai që do të marrë emrin “Partizani” dhe që do të titullohej “Dhuratë e Mrekullueshme e Partisë dhe Ushtrisë sonë Popullore” dhe si “Vepër monumentale e Partisë për sportin tonë popullor”. (Është krejt e rrejshme dhe naive që sot më shkrime të papërgjegjshme është arritur deri aty sa ndërtimin e këtij pallati ta quajnë thuajse “vepër” e një gjenerali të Ushtrisë Popullore, e natyrisht kështu ndodh kur të vërtetat e historisë flaken tej).

Ndërkaq, në qytetin e Vlorës zhvillohet Spartakiada e nxënësve të Shkollave të Mesme – mund ta quajmë pa ngurrim një aktivitet model i paharrueshëm për ata që e përjetuan. Dhe thuajse në çdo qytet nisin ato që quhen Spartakiadat e Rretheve. Të gjitha në kuadrin e asaj që emërtohej si faza e tretë e Spartakiadës së Dytë Kombëtare. Dhe jo vetëm kaq. Zhvillohet deri Spartakiada e dytë e sportistëve të Minierave e Gjeologjisë. Dhe nuk ndal këtu.

1a08fc4f-ca9c-4ad0-b3a7-90ea42457a04

Portieri Aqif Sulo i Flamurtarit në një pritje të bukur gjatë ndeshjes Partizani-Flamurtari 0-1 (Foto: Enver Shabani)

Në Tiranë zhvillohen Lojnat e para Studenteske. Është koha kur në Shqipëri mbërrin delegacioni partiak dhe qeveritar i Republikës Popullore të Kinës me në krye Çu En Lai – kryetar i Këshillit të Shtetit të RP të Kinës dhe zëvendëskryetar i KQ-së të Partisë Komuniste të Kinës. Një delegacion që thuajse nuk lë qytet të Shqipërisë pa vizituar. Dhe kudo eufori e paparë për mikun e madh kinez. Dhe mandej garat socialiste në fizkulturë e sport, ndërkohë që mbërrin delegacioni i Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve të RP të Kinës. Eufori edhe këtu, teksa deri në qytete delegacioni sportiv kinez pritet si të ishte ai qeveritar!

Kur mbërrin 1 Maji shkëlqen manifestimi i Tiranës me praninë e Enver Hoxhës, çka mbi të gjithë “kryesojnë” ngjyrat sportive me parakalime demonstrative të fizkulturistëve të kryeqytetit, të cilët mbajnë në duar portrete gjigande të Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit. Sportistët e shquar Teodor Janku, Ramazan Driza e Vaso Shaka parakalojnë të parët duke iu shkëlqyer në gjoks medaljet e Kampionit të Shqipërisë.

Ndërkaq, më 24 maj festohet 20-vjetori i Kongresit të Përmetit, i cili siç dihet, pa u çliruar Shqipëria, kishte paravendosur diktaturën e regjimit komunist. Nuk ndalen tonet festive anë e kënd vendit, duke kulmuar me zgjedhjet për Këshillat dhe Gjykatat popullore, teksa ngrihet në qiell uniteti rreth Partisë. Ishte viti i 20 vjetorit të Çlirimit. Shqipëria ishte diktaturë, jetë komuniste, izolim, në plot vështirësi jetësore. Me paradoksin e madh të një zhvillimi sportiv të përmasave. Dihet, diktaturat për interesin e tyre e bëjnë mirë sportin, sigurisht pa shpërndarë asnjë përfitim financiar.

KUPA E KAMPIONEVE TË EUROPËS: PARTIZANI–SPARTAK I PLOVDIVIT 1-0!

Dhe ndodh fitorja e parë e Shqipërisë në Kupën e Kampioneve të Europës. Mbërrin kampionia e Bullgarisë Spartak i Plovdivit të Bullgarisë, ndërkohë që Kampionati i Shqipërisë ishte te dera e shtëpisë.

Dhe më 11 shtator 1963, Partizani i Shqipërisë fiton 1-0 me kampionen e Bullgarisë, duke regjistruar kështu fitoren e parë të një klubi shqiptar në Kupat e Europës, në këtë rast në Kupën e Kampioneve. Siç është shkruar në kapitullin e mëparshëm, kjo ishte pjesëmarrja e dytë e Shqipërisë në Kupat e Europës (më 1962 ishte Norkoping të Suedisë, 0-2 e 1-1).

Kësaj radhe shorti sjell në Shqipëri jo një kampione perëndimore, por një kampione të një vendi komunist, deri para pak mik i Shqipërisë po komuniste. Them para pak, sepse tashmë çarja Shqipëri – Vendet e ashtuquajtura “demokraci popullore” me në krye Bashkimin Sovjetik, ishte përforcuar. Spartak i Plovdivit ishte një skuadër e themeluar mbas luftës (1947) – një kampione e Bullgarisë për herë të parë dhe të fundit.

bb88ebad-785d-4900-bc87-319d4cc35e96

Partizani-Dinamo 2-1. Kolec Kraja i Partizanit në një aksion goli. (Foto: Prokop Koreta)

Pa shumë histori të mëtejshme më vonë ajo do “të zhdukej” nga Kampionati i Kombëtar i Bullgarisë për të kaluar në liga të dyta e të treta. Lojtarë të panjohur për ne, me përjashtim të vetëm një emri: Todor Diev, sulmues shtatlartë me një peshë trupore gjigande. Do të mbërrinte deri në 55 ndeshje me Kombëtaren e Bullgarisë, madje duke fituar me te medaljen e bronztë në Olimpiadën e Melburnit (1956).

Sidoqoftë, Spartak ishte kampionia e një vendi, futbolli i të cilit gjithnjë e më fort po tërhiqte vëmendjen në Europë. Sigurisht kam qenë në stadium të mbushur fund e majë prej spektatorëve dhe në mendje më mbetet një ndeshje disi ndryshe nga ajo 1-1 me IFK Norrköping e Suedisë, e një viti më parë, por fitorja e Partizanit, edhe pse e ngushtë, u duartrokit tejet. Publiku shqiptar po përjetonte për herë të parë një fitore të skuadrës së tij kampione në garat europiane, në këtë rast në garën më të lartë të klubeve siç ishte Kupa e Kampioneve të Europës (sot Liga e Kampioneve).

“Sporti Popullor” i kushtoi ndeshjes një shkrim të gjatë të gazetarit të mirënjohur, Kristofor Grillo, si të thuash Grillo i parë i treshes së mirënjohur të gazetarisë sonë sportive, që më vonë do të plotësohej me të paharrueshmit Vladimir Grillo e Kosta Grillo. Ishte një shkrim disi problematik më shumë se sa përshkrues, teksa po veçoj këtë “tregim” të shpejtë të Grillos për shënimin e golit: “…Pano, futbollisti Nr.1 në fushë, mbasi bëri të pafrytshme me dribilimet e tij tentativat e mbrojtësve bullgarë për t’ia marrë topin, ja pasoi atë me përpikëri Krajës, i cili megjithëse i ndodhur ndërmjet lojtarëve kundërshtarë, e ndryshoi rezultatin e deriatëhershëm të bardhë, në 1-0 për Partizanin”. Autori ngre lart lojën e Partizanit, duke përcaktuar si një ekip i cili “nuk demonstroi vetëm cilësitë tij karakteristike – e… që shumë herë ishte mbi nivelin e skuadrës bullgare”.

Tjetër punë ndeshja e kthimit në Plovdiv, ku Partizani humbet 3-1. I kryesor nga shefi i klubit, Besim Fagu, ekipi shoqërohet edhe prej zëvendëskryetarit të FSHF, Anton Mazrreku, gazetari ynë mitik, i cili natyrisht që nuk del nga vetvetja, teksa kur kthehet boton edhe ai shkrimin e tij. Një shkrim herë-herë kritik, aty këtu kronikal, por duke u ndalur jo pak te gjyqtari i ndeshjes, jugosllavi Bajiç, gjykimin e të cilit pa mëshirë e përcakton si “të pacipë”, sidomos në dhënien e 11-metërshit kundër Partizanit.

Pa kursyer as vijërojtësin Varazhdinac për shkak të anulimit të golit të Panos. Duket që gjykimi ka patur mëdyshjet e veta, ndonëse kritika e Mazrrekut, gati-gati të duket më shumë si qëndrim i zyrtarit të FSHF-së se sa i gazetarit. Ndonëse më mbas Mazrreku i jep shkrimit tonet edhe të një analize kritike ndaj lojës së Partizanit. Sidoqoftë, duhet thënë se humbja ka kundërshtimet e veta, kur kujton se Partizani do t’i luajë 43 minutat e fundit me një lojtar mangët për shkak të largimit për një dëmtim të Kolec Krajës, një sulmues i rrallë në futbollin shqiptar. (Asokohe nuk lejoheshin zëvendësimet). Ja dhe skeda e kësaj fitoreje të parë të Shqipërisë në Kupat e Europës:

PARTIZANI-SPARTAK PLOVDIV 1-0

11.09.1963, Tiranë. Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”

GOLAT: Kraja 8’

PARTIZANI: M.Janku, Deliallisi, M.Papadhopulli, Frashëri, O.Mema, Shllaku, Zaho, Kraja, Pano, Ndini, Jashari.

TRAJNER: L.Boriçi

SPARTAK PLOVDIV: V.Stojnov, Maznev, Manolov, Momin, Dimov, Botev, Diev, Mitkov, Genov, Dishkov, Dushev.

TRAJNER: D.Baykushev

GJYQTAR: K.Zeçeviç (Jugosllavi);

SHIKUES: 20.000

DHE PAPRITMAS FLAMURTARI!

Kështu po më pëlqen të titulloj. Ngaqë për herë të parë mbas dy javëve të para do të kryesojë Flamurtari i Vlorës. Interesantja është ndërkaq, që ndonëse Partizani do të nisej për në Sofje për te ndeshja e kthimit me Spartak të Plovdivit, atij ia detyrojnë t’i zhvillojë rregullisht të dyja ndeshjet e Kampionatit. Dhe vetëm me një “favor”, që në të vërtetë nuk ishte i tillë: që ndeshjen e dytë ta zhvillonte 4 ditë (25 shtator – para datës (29) të skuadrave të tjera.

Kësisoj, Partizani detyrohet të barazojë 1-1 (Pano 35’, Dimroçi 76’) ndeshjen e tij të parë në Kavajë me Besën e Kavajës së futbollistëve të nivelit të lartë si Topi, E.Gjoci, Lilamani, Daiu, M.Karriqi, Dizdari apo Dimroçi. Prej këtu Partizani fiton ndeshjen e dytën 2-1 me Lokomotivën në Durrës, përballë një skuadre të fortë durrsake, edhe pse kjo kryeson 1-0 me golin spektakolar të Gramit. Do të spikatnin tre emra durrsakë: Duma-Bespalla-Grami, ku dy të parët kishin qenë titullarë të shquar të Dinamos e Partizanit.

Dhe ja Flamurtari i dy ndeshjeve të paharrueshme të tij: 1-0 Vllaznisë në Shkodër dhe 3-2 Dinamos në Vlorë. Në Shkodër në stadiumin “Vojo Kushi” të mbushur me spektatorë, protagonist është Dhimitër Gjyli, një i kthyer nga Dinamo në Vlorën e tij, i cili shënon në të 52-ën. Le të rreshtojmë historinë statistikore të Javës 1 të Kampionatit, që është një pasqyrë e çmueshme në informacion, ndonëse mungojnë 11-shet e tri ndeshjeve, çka dihej, sepse asokohe për shtypi shqiptar vazhdonte ta nënvleftësonte një gjë të tillë.

JAVA 1 (22.09.1963)

Shkodër. Stadiumi “Vojo Kushi”:

VLLAZNIA-FLAMURTARI 0-1

GOLAT: Gjyli 52’

Tiranë. Stadiumi “Dinamo”

DINAMO-LUFTETARI 3-0

GOLAT: A.Pilika 13’, Bushati 55’, 86’

DINAMO: Rama, S.Gjoci, Stamo, Halluni, Buzi, N.Jareci, Zekthi (Tallushi), Shala, Bushati, A.Pilika, Lubonja.

LUFTËTARI: Çaro, B.Dauti, Arkaxhiu, Zalla, V.Konomi, M.Piku, Pipa, Braka, Golashi, Vasi, Hatibi.

GJYQTARË: B.Hamdiu, F.Gjinia, E.Ranxhi Kavajë, Fusha Sportive e Qytetit

BESA-PARTIZANI 1-1

GOLAT: Pano 35’, Dimroçi 76’

Durrës. Fusha Sportive e Qytetit

LOKOMOTIVA-TRAKTORI 6-0

GOLAT: Topçiu, Duma, Grami, Grami, M.Saraçi, Duma. Berat.

Fusha Sportive e Qytetit

TOMORI-17 NENDORI 1-1

GOLAT: Lapardhaja 76’, Bukoviku 80’

Korçë. Stadiumi i Korçës

SKENDERBEU-LABINOTI 0-2

GOLAT: Shkalla 55’, Radoniqi 80’

SKËNDERBEU: Lara, Lena, Bicolli, Toshi, Dhami, Tole, Petrollari, Çela, Tuxhari, Shëllira, Dvorani.

LABINOTI: Myhyrdari, Taushani, Kallajxhiu, Halilaj, Krati, Shëngjergji, Haxhiu, Radoniqi, Shkalla, E.Ibërshimi, Rudi.

Kalojmë kështu te 29 shtatori 1963 dhe do të kemi pra, Flamurtari-Dinamo 3-2, që u përmend më sipër, ku në 11-shin vlonjat kemi njohësin më të mirë të Dinamos, që është ai pra, Dhimitër Gjyli, më parë i 11-shit dinamas. Rrjedha e lojës na çon deri te kryesimi 3-1 i Flamurtarit – shifra që Dinamo vetëm sa arrin t’i shkurtojë në 3-2 me golin e Vorfit.

E, ndonëse përballë emrave të tillë të mëdhenj të asokohe si Halluni, Vorfi, Bushati, S.Jareci e Pilika, kompaktësia e skuadrës së Vlorës, loja e saj gjithnjë në një sulm të pandalshëm, i dhanë një nga fitoret më të bukura. Ndoshta në gjithë historinë madje, kur kujton se, Dinamo ashtu si dhe Partizani, sundonin Kampionatin e Shqipërisë. Ishte kjo fitore që e nxirrte në krye me 4 pikë Flamurtarin, por që me kalimin e kohës do të mbeste vetëm një kujtim i rrufeshëm ngaqë mbas vetëm këtyre dy javëve, ai do të binte, por për t’u ngritur në pjesën tjetër të Kampionatit.

As Flamurtari me futbollistë të tillë të aftë si Ibrahimi, Bejkosala, Thomai, Gjyli, Ferko e Seferej, pa harruar dy të rinjtë Saraçi e Zeqiri dhe as skuadrat e tjera të qyteteve nuk do të arrinin të ndalnin sundimin e dikasterialeve të kryeqytetit, ndonëse do ta ngushtonin tejet me ndeshjet e tyre të bukura. Renditja e mbas dy javëve ishte kjo: Flamurtari 4, 17 Nëndori 3, Besa 3, Tomori 3, Partizani 3, Lokomotiva 2, Dinamo 2, Labinoti 2, Vllaznia 1, Skënderbeu 1, Luftëtari 0, Traktori 0. Kur mbërrin Java 3, Flamurtari kryesues do të dorëzohet në Kavajë 1-0 me Besën.

Ky është çasti kur Partizani duke mbërritur 2-0 në Berat me Tomorin merr kryesimin e Kampionatit, për të mos zbritur më asnjëherë deri në fund, me gjithë përpjekjet e Dinamos. Ndonëse ndonjëherë ky kryesim ngushtohej paksa, Partizani merrte përsëri largësi dhe të dukej se ky titull i 10-të i tij, nuk mund të tronditej aspak. Për më tepër që skuadra partizanase do të mbeste në këtë histori si një Kampione që nuk do të humbiste asnjë ndeshje.

KAMPIONATI I SHQIPËRISË 1963-1964, NËN SUNDIMIN E PARTIZANIT

Doemos që ishte Kampionati i Partizanit, i cili qysh më 1961 nuk linte asnjë skuadër t’ia kalonte. Qoftë edhe Dinamon e Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila do të saldohej thjesht në vendin e dytë. Po udhëtonim kështu te tri ndeshje të pandalshme radhazi të këtij Partizani të pa rivalë: Tomori-Partizani 0-2, Partizani-Labinoti 1-0, për të ndalë në 2-2 me 17 Nëndorin në Javën 5.

Ndërkaq, ky do të ishte Kampionati i vazhdimit të krizës së një prej skuadrave më historike, që ishte Vllaznia e Shkodrës, e cila në mbarim të Kampionatit do ta shihte veten në vendin e 11- të, të parafundit. Do të ishte një kampionat fort i mirë, sidomos për Besën e Kavajës e Labinotin e Elbasanit.

Dhe jo vetëm. Kur mbërrijmë te Java 5 do të shkëlqejë barazimi 2-2 midis Partizanit dhe 17 Nëndorit, ndeshje së cilës sot në mënyrë artificiale i thonë “derbi”, ndonëse përmbi 45 vjet nuk i kemi thënë kështu, përderisa Tirana ka edhe nja dy “derbi” të tjerë, teksa kujton praninë e Dinamos, po kryeqytetase. Ndeshja e 3 nëntorit 1963 ka një ecuri vërtet tërheqëse. Shënon Panajot Pano për Partizanin në minutën e 11-të mbasi ishte liruar nga kontrolli i “engjëllit roje”, Nuri Bylykut, siç shënon shtypi, një duel ky që u bë tejet klasik në futbollin shqiptar.

Por rrjedha e lojës duket se ndryshon kur mbas 14 minutave, në të 25’, i papërmbajtshmi Bahri Ishka pason te Pavllo Bukoviku, i cili siglon 1-1 me golin e tij. Dhe 17 Nëndori që ia arrin epërsisë përmes dy episodeve për antologjinë e futbollit. Aurrel Verria godet dy shtylla të Partizanit. E para është vetëm shtyllë pra, por e dyta është, si thuash, “shtyllë goli”. Gjuajtja e Verrisë prek shtyllën dhe topi vazhdon “udhëtimin” e tij për t’u ndalur në rrjetën e Maliqatit të shtangur.

Është 2-1 për 17 Nëndorin, kur kemi mbërritur në minutën e 38-të. 17 Nëndori mendon fitoren, ndoshta pa parashikuar se dyshja Pano-Resmja do të krijonte barazimin shumë shpejt në pjesën e dytë, andej kah minuta e 63- të. Do të ishte një nga golat më të fundit të Refik Resmes së madh. Pasimi i Panos është një top i largët që duket se do të mbesë lart në qiell, por Resmja parashikues i pakrahasueshëm e dhelparak në virtuozitetin e këmbës së tij të majtë, e bën të tijin topin.

Ai nuk gjuan menjëherë, por e ndal, e lëmon dhe drejtë më rrjetë. Është 2-2 përfundimtar. Fjalët më të mira i takojnë 17 Nëndorit me protagonistë Gëzim Saraçin, Nuri Bylykun, Luigj Bytyçin e Bahri Ishkën. Por mbi të gjithë me Ali Memën, i cili do të ndalte në vend lojën e vëllait të tij Osman Memës të Partizanit, me të cilin shpejt do të ribashkoheshin te 17 Nëndori i tyre për të bërë revolucionin e bujshëm të historisë së Kampionatit të Shqipërisë…

E pra, çfarë Kampionati ishte ky? Vështroni renditjen: Partizani 8, Lokomotiva 7, Besa 7, Dinamo 7, 17 Nëndori 7, Labinoti 6, Flamurtari 6, Tomori 6, Skënderbeu 5, Vllaznia 1, Luftëtari 0, Traktori 0. Janë vetëm 2 pikë ndryshim midis Partizanit kryesues dhe Tomorit të Beratit që zë vendin e tetë! Madje 5 skuadrat e para kanë vetëm 1 pikë ndryshim.

U formua bindja se ky do të ishte vërtet një kampionat enigmatik. Nuk do të ndodhte bash kështu. Epërsia e Partizanit dhe “shpërbërja” e renditjes për të tjerat, do të ndodhnin në qetësinë e një vendimmarrjeje të paravendosur. Në fund të fundit, ky Kampionat 1963-1964, do të ishte kampionati prej ku do të lindte fitorja e parë e Kombëtares së Shqipërisë për kualifikimet euro-botërore.

DANIMARKA – FITORJA E PARË E SHQIPËRISË NË KUALIFIKIMET EUROBOTËRORE

Kampionatit do t’i futej në mes ndeshja Shqipëri-Danimarkë e 30 tetorit 1963. Ndërkohë që duhet thënë se kjo stinë 1963-1964 do të prirej edhe nga fitorja e parë për Kupat e Europës, siç u tregua më sipër (Spartak i Plovdivit), çka do të sillte edhe ftoren e 7 tetorit 2-0 të Dinamos ndaj Beshiktash të Stambollit për Kupën Ballkanike të klubeve me gola të Pilikës (12’) dhe Vorfit (43’).

Një ndeshje e shkëlqyeshme e dinamasve, aq më tepër që mbërrihej ndaj një skuadre ndër më të mëdhatë e futbollit profesionist të Turqisë. Të gjitha këto bukurina lindin falë rritjes së këtij Kampionati të Shqipërisë. Dhe ja Danimarka – befasia e madhe e kohës. Që na thotë se pak më parë Kombëtarja zbret në fushën e lojës në ndeshje përgatitore me klubet e këtij Kampionati. Do të kemi Kombëtarja-Labinoti 4-1 dhe Kombëtarja-Partizani 1-1.

Mund të them se parandeshja me danezët, ka një dukuri vërtet të çuditshme, ngaqë gjithçka kritikohet! Kombëtarja fiton 4-1 ndeshjen përgatitore me Labinotin, ku shënojnë Bukoviku (2), Shllaku e Ali Mema. Shtypi e kritikon pa mëshirë ekipin, sidomos Panon, si të ishte fundi i botës! Mandej, shtatë ditë para ndeshjes me Danimarkën kemi Kombëtarja – Partizani 1-1 (shënon A.Mema), ku luajnë Topi, Deliallisi, Halili, Frashëri, A.Mema, Shllaku, Bushati, Pano, Jashari, Bukoviku, Pilika dhe në pjesën e dytë të lojës Qoshja, Kasmi e Ndini.

Toni kritik arrin, si të thuash, “lartësi të reja”, edhe mbas kësaj ndeshjeje. Nuk kursehet në “të pamëshirshmen” e tij as shkrimi i Anton Mazrrekut. E, çka nuk kritikohet asisoj për këto dy ndeshje: “… Lojë e dobët, pa bukuri”; “indiferentizëm dhe kapriço të Panos”; “paqartësi taktike”; “mosimpenjim”; “mbajtje e tepruar e topit”; “mungesë e luftës sportive për topin e parë”. Trajneri Zyber Konçi, i cili kishte për ndihmës trajnerin Loro Boriçi, me siguri do të jetë ndodhur në ditë fort të vështira. Për sot e kësaj dite mund të themi se i gjithë ky qëndrim kritik para një ndeshjeje të Kombëtares nuk do të mbahej më kurrnjiherë tjetër. Dhe? Shqipëria–Danimarka 1-0!

Shqipëria e parakritikuara pa mëshirë me këtë fitore të parë të saj në histori për kualifikimet eurobotërore, shndërrohet në sfiduese po e pamëshirshme e kahut tjetër natyrisht. Dhe më i kritikuari i të gjithëve, para dhe mbas ndeshjes, Panajot Pano, megjithatë do të ishte sfiduesi më i madh me golin e tij spektakolar, mbas një bombe të vërtetë nxjerrë nga arsenali i tij i pashtershëm.

Duke shkuar te “Libri i Kombëtares” (2001) dhe duke u ndalur tek trajneri Zyber Konçi, për faktin historik se ky ishte trajneri i Kombëtares, i cili në ndeshjen e parë që e drejtonte, arrinte fitoren, madje fitoren e parë të Shqipërisë për kualifikimet eurobotërore, po shkëpus këto radhë: “… Ai hyn në histori qysh me herën e parë. Shqipëria e tij e 30 tetorit 1963 i dhuron historisë fitoren e parë kombëtare për Kampionatin Europian. Është 1-0 kundër Danimarkës në Tiranë me golin e Panos në të ‘33’ dhe 11-shi i tij ka shumë rini, të cilën edhe pse në një mozaik, ai arrin ta sinkronizojë.

Pas kaq vitesh, ndoshta qysh nga ato ’40, ai i jep fanellën e kombëtares dy futbollistëve nga skuadrat jo kryeqytetase: portierit të Besës së Kavajës, Shevqet Topi, dhe sulmuesit të Labinotit të Elbasanit, Enver Ibërshimi…”. Sot, mbas bukur 61 vjetëve po më pëlqen ta konfirmoj edhe këtë fakt si shpërthim i skuadrave të qyteteve në Kampionatin e Shqipërisë.

Ndërkaq, një konfirmim tjetër i vlerave të talenteve të Kampionatit të Shqipërisë 1963- 1964, e gjej edhe te kjo deklaratë e trajnerit të Danimarkës, Poul Petersen, i cili thotë: “… Në stadiumin “Qemal Stafa” u ndodhëm përpara një të papriture të madhe, mbasi nuk na shkonte ndërmend se futbollistët tuaj dinë dhe luajnë shumë mirë. E them sinqerisht se mësuam shumë nga skuadra juaj… Nuk mund ta kuptoj se për ç’arsye nuk konkluduan me më tepër gola”.

Ndërsa zëvendëspresidenti i FIFA-s, Ebbe Schwartz, i pranishëm në ndeshje, duket se i vë vulën fitores së skuadrës së Shqipërisë: “…Skuadra përfaqësuese shqiptare ishte zonjë në fushë, pati epërsi të thellë dhe fitoi me meritë”, – deklaron ai. Çudia tjetër është se ndeshja me Danimarkën përfshihet në lotarinë “Llotosport” të organizuar nga Drejtoria e Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”. Çka do të ishte rasti i vetëm botëror për sot e kësaj dite që një stadium organizon një llotosport! Skeda e ndeshjes është kjo:

SHQIPËRIA-DANIMARKA 1-0

30.10.1963. Tiranë, Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”

GOLAT: Pano 3’.

SHQIPËRIA: Topi, Deliallisi, Halili, Frashëri, A.Mema, Shllaku, Zaho, Bushati, Pano, Bukoviku, E.Ibërshimi.

TRAJNER: Z.Konçi

DANIMARKA: E.Sorensen, Johansen, J.Hansen, B.Hansen, J.Madsen, Petersen, Bertelsen, Thorst, O.Madsen, O.Sorensen, Danielsen.

TRAJNER: Petersen

GJYQTAR: J.Nandi (Maltë);

SHIKUES: 27.765

Shihet qartë se ishte një nga 11-shet shqiptare më të shtrirë në skuadrat e Kampionatit. Deliallisi, Frashëri, Shllaku, Zaho, Pano, Bukoviku të Partizanit; Topi i Besës; Halili, A.Mema të 17 Nëndorit; Bushati i Dinamos, E.Ibërshimi i Labinotit.

* Historia vijon në numrin e nesërm të “Panorama Sport”;

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"