Fenomeni Blendi Nallbani, në 11-she të Europës dhe 23 Kampionate të Shqipërisë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2024 | 22:53

Fenomeni Blendi Nallbani, në 11-she të Europës dhe 23 Kampionate të Shqipërisë!

Ka ndodhur edhe kjo. Ka ndodhur në vitin 1990. Ka ndodhur që port ieri 18 vjeçar i Kombëtares së Shqipërisë, asokohe edhe i Partizanit, të përzgjidhet në 11-shin më të mirë të Europës për futbollistët NËN 20 vjeç.

MixCollage-22-Aug-2024-10-52-PM-2701

Ç’ka deri më sot nuk ka ndodhur me asnjë futbollist tjetër të Shqipërisë të të gjitha moshave e rangjeve. Për paradoks të madh, e gjithë kjo histori nderuese për një futbollist të Shqipërisë, për fat, lidhet edhe me humbjen e rëndë të Shqipërisë në “Uembli” të Londrës prej Anglisë më 26 prill 1989, ndeshje kjo e Kampionatit Botëror 1990. Dhe lidhet thjesht ngaqë ndonëse ky portier edhe pse kishte pësuar plot 5 gola, do të çudiste stadiumin mitik të Londrës.

Ndoshta, nuk duhej të kisha pritur kaq gjatë, plot 35 vjet për ta rikujtuar kësisoji këtë eveniment të madh në jetën e portierit tonë të shquar, më saktë fenomenit tonë Blendi Nallbani. Dhe papritmas, më duhet të shkoj të një lloj “erratacorrige” më e çuditshme se kurrënjiherë. Madje disi edhe e “guximshme” për një gazetar.

nallbani2

Ndodhia apo rasti i rishikuar mbas 35 vjetëve, vjen e shtjellohet kështu: Ndeshja e jonë në “Uembli” ka një episod jo fort të zakonshëm. Është episodi i një goli të anuluar për Shqipërinë, shënuar nga Demollari në minutën e 40-të të ndeshjes, kur rezultati ishte 2-0 për Anglinë (Lineker 5’, Beardsley 18’).

Përveç të tjerave, edhe si gazetari i vetëm i dërguar nga Shqipëria që ndodhesha në tribunë, ja çfarë kam shkruar për këtë gol në reportazhin tim mbas ndeshjes në “Uembli”. “

… Nallbani pret dy topa të shkëlqyer të Robsonit dhe minutat 35-45 janë një interpretim po aq i shkëlqyer i futbollit shqiptar. Zbritjet vijnë valë-valë, me elegancë e teknikë, me një sulm plot horizont mendimi. Nga minuta e 35-të deri tek ajo e 40-të, goli i shqiptarëve ravijëzohet. Kombinacionet MilloDemollari-Shehu, Millo-Zmijani-Demollari kanë të tyren dhe më minutën e 40-të, kur Demollari pasi ka shkëmbyer me shokët, tund rrjetën pas një gjuajtjeje sa tronditëse aq të befasishme lart në kënd. Një gol që duartrokitet…

sport nallbani

Një gol që fiksohet në tabelën elektronike të stadiumit. Një gol për të cilin na përgëzon në çast sekretari i Federatës Angleze të Futbollit, aty në tribunë. Një gol dhe kjo është më e rëndësishmja, i cili megjithatë nuk është i tillë për gjyqtarin norvegjez Halle. “Ka qenë një gol i shkëlqyer”, – thotë presidenti i Federatës Angleze të Futbollit, Milliçip, – anulimi i të cilit nuk ka shpjegim, pavarësisht se ju patët fatin e keq të luanit përpara një Anglie që prej kohësh nuk kishte bërë një ndeshje kaq të madhe. Më besoni, në përgjithësi ishte një ndeshje e bukur”

… Mirëpo, ja që tashmë pas 35 vjetëve, teksa e rishoh këtë gol në regjistrimet televizive, më duhet të përfshihem e të guxoj të them se duhet të ketë qenë jashtë loje. Në filmimet që janë të gjalla deri sot, në çastin e gjuajtjes së Demollarit duket jo fort qartë megjithatë, një lojtar i yni i cili është i vetëm përtej mbrojtjes angleze pikërisht në rrezen e portierit Shilton.

Do t’ia kishte vënë vulën VAR-i i sotëm. Megjithatë, në vështrimin teknik të vlerave të futbollit, nëse është apo jo jashtë loje, nëse është apo jo vendim i drejtë i gjyqtarit anësor, i cili ka ngritur menjëherë flamurin për pozicion jashtë loje, në fund të fundit, kjo nuk ka rëndësi. Nuk ka fort rëndësi, sepse aksioni i shqiptarëve është i përkryer. Gjithçka interpretohet plot cilësi, elegancë e pastërti teknike. I gjithi është një veprim pasimesh të dendura të lojtarëve shqiptarë që krijoj gjuajtjen fantastike për manual të Demollarit. Kombinime të shkëlqyeshme, ku përfshihen një “tufë” futbollistësh deri te Jera – ZmijaniGega, e të tjerë dhe gjuajtja e mrekullueshme prej mjeshtri të madh e Demollarit nga një largësi madje, prej 20 metrash, që mahniti stadiumin mitik të Londrës.

E prapë më duket se goli është në pozicion jashtë loje dhe që është anuluar me të drejtë… Por le të shkojmë te tema kryesore e këtij shkrimi. Te portieri Blendi Nallbani i 11-shes së Europës në vitin 1990. Ndërkaq, rëndesa për te paraqitja e Kombëtares sonë, e cila humbi thellë, 5-0, nuk qëndron aspak te ky gol i anuluar, por te prania e bujshme e portierit 17 apo qoftë dhe 18-vjeçar të Kombëtares së Shqipërisë me emrin Blendi Nallbani.

Për të cilin një gjë është e sigurtë: ai ende nuk i kishte mbushur 18 vjetët. I rikthehem reportazhit të botuar në “Sporti Popullor” dhe ribotuar në vëllimin tim “Libri i Kombëtares”. Kam shkruar: “… Portieri i rim Nallbanim ka bërë një lojë të shkëlqyer. Sa i qetë! Ai ka një të ardhme”, – thotë trajneri i Anglisë, Bobi Robson…

Në darkën tradicionale të Kombëtares Angleze në “Uembli”, nuk është pa domethënie, që në prani të mbi 300 të ftuarve, kryetari i Federatës Angleze të Futbollit, Milliçip dhe trajneri i mirënjohur i Anglisë dhe i FIFA-s, Uinterbotom, kërkojnë të takojnë e të përshëndesin portierin Nallbani… Në këtë kontekst edhe disa nënvizime të gazetave të djeshme të Londrës, pohojnë: “THE GUARDIAN”:

“Anglia kishte një prestigj që nuk është parë që prej 17 muajve më parë, kur mundi 4-1 Jugosllavinë… Patjetër Nallbani nuk e kishte aspak përgatitjen e portierit më të ri që është shfaqur në një ndeshje ndërkombëtare të plotë në “Uembli”. Shpëtimi i portës nga ana e tij me krahë, pozicioni i tij i shëndoshë dhe mënyra autoritare, lanë përshtypjen e një pjekurie përtej viteve të tij”.

“DAILY MAIL”: “Shiltoni nxitoi t’i ofronte Nallbanit një shtrëngim dore, si një urim për të ardhmen”. E, sigurisht gazetaria angleze si ajo! E cila nuk mund të të rrinte as pa edhe këto dy përcaktime, kur shkruan: “Shkollari Blendi Nallbani, i qetë dhe i sigurtë për të kaluar testin e tij në Kupën e Botës përballë sulmuesve të Anglisë, sonte në “Uembli”. Dhe kjo tjetra: “Nallbani lindi 1 vit mbasi Shilton kishte zhvilluar ndeshjen e tij të parë prej të 104-tave me Anglinë. Sot kur e rikujtoj këtë jehonë mbetem prapë i emocionuar. Blendi Nallbani u bë personazh i gazetave britanike, po aq sa dhe Linekeri me shokë që dërmuan Shqipërinë në 5-0 e famshëm.

Foto kushtuar portierit shqiptar në gazetat angleze janë thuajse një koleksion më vete. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë deri më sot që në shtypin e vendit, që është atdheu botëror i futbollit, portreti i një lojtari shqiptar të arrijë të zëjë aq vend përmes fotove të pandalshme, me tituj e nëntituj të një vlerësimi të pashoq. Dhe kaq e madhe është kjo jehonë saqë ajo nuk ndalet për muaj. Ajo kalon caqet e Anglisë, duke rezistuar në gjithë periudhën 1989-1990, duke mbërritur kulmin kur portieri ynë përzgjidhet në 11-shin më të mirë të NËN 20-vjeçarëve të Europës.

tirana

Interesante është ndërkaq, se nga ndeshja me Anglinë Blendi Nallbani për çudi nuk do të jetë një titullar i përhershëm i Kombëtares, ndonëse si lojtar i Partizanit e i 17 Nëntorit/SK Tiranës, me meritë të plotë, ai arrin të luajë në periudhën 1989-2002 në 17 ndeshje të Kombëtares: Anglia, Polonia, Franca, Çekosllovakia, Islanda, Letonia, Moldavia, Malta, Bosnja Hercegovina (dy herë), Greqia, Armenia, Irlanda e Veriut, Portugalia, Maqedonia, Meksika, Andorra.

Fanelën e parë të Kombëtares, pra për ndeshjen debutuese të tij, pikërisht në “Uemblin” britanik legjendar, do t’ia besonte trajneri i madh i Kombëtares, Shyqyri Rreli. E në ndeshjet e tjera radhazi trajnerët Bejkush Birçe, Neptun Bajko, Astrit Hafizi, Sulejman Demollari, Mirel Josa. Bukur 6 trajnerë në një periudhë 1989-2002. Dhe me çudinë tjetër: pas 5 vjetëve të ndeshjes me Portugalinë e kthen në Kombëtare Sulejman Demollari për ndeshjen Maqedoni-Shqipëri në Manama të Bahreinit për Kupën “Bahrain Shot Cup”.

Për ta mbyllur me dy ndeshjet e fundit me Meksikën (trajner M.Josa) dhe me Andorrën më 17 prill 2002. Çka do të thotë se Nallbani është përshkuar në 14 vite me Kombëtaren nga një muaj prill i Shekullit XX te po një prill i Shekullit XXI. Dhe premiera e madhe që mbetet të jetë Londra me të gjithë jehonën e saj të një humbjeje të thellë ku portieri 17-18 vjeçar Blendi Nallbani i Shqipërisë, do të shfaqej në një interpretim historik pikërisht në tokën e një Anglie “mbretërore” edhe në futboll. Do të kalonin disa muaj, e andej nga fundi i verës së vitit 1990, pra rreth 1 vit pas ndeshjes me Anglinë dhe Blendi Nallbani i cili nuk është 20 vjeç, por sapo i kishte kaluar 18 vitet, të përzgjidhet në 11-shin më të mirë të NËN 20-vjeçarëve të Europës.

Natyrisht vetvetiu i përcaktuar si portieri më i mirë. I vetëm, sepse dihet, kjo është përparësia e portierit, ngaqë në 11-shin e skuadrës ai është përherë i vetëm. Ne të redaksisë së “Sporti Popullor” e mësuam disi me vonesë organizimin e kësaj ankete dhe botuam në numrin e 26 tetorit 1990, siç e keni këtu në pamjen autentike. Botimi ynë, i botuar në faqen e katërt, pra me një lloj jehone disi të nënvleftësuar – e “fajtori” më takonte të isha unë si kryeredaktor i gazetës – ishte ky:

“B.Nallbani në 11-shin e 20-vjeçarëve të Evropës

– Përfundimet e një ankete –

Gazetarët sportivë të Evropës organizuan një anketë për të përcaktuar 11-shin më të mirë për futbollistët deri 20 vjeç. Midis futbollistëve që u seleksionuan në fazën e parë të anketës, fitoi edhe portieri ynë i Partizanit dhe i ekipit Shpresa, Blendi Nallbani. Titulli i anketës, botuar në një revistë sportive italiane ishte ky:

“Edhe një shqiptar në 11-shin më të mirë”. 11-shin më të mirë revista e shoqëron me këtë diçiturë:”Një portier i vlefshëm, shqiptari Blendi Nallbani; një mbrojtje elastike; një mesfushë e përbërë nga fantazistë dhe një sulm i kompletuar në çdo profil.  Ja ky është 11-shi ideal i 20-vjeçarëve të Evropës”.

Ja dhe 11-shja:

Portier: NALLBANI (Partizani – Shqipëri). Mbrojtës: PAULO MADEIRA (Benfika–Portugali), N’GOTTY (Lion–Francë), PETIT (Monako–Francë), Frank DE BUR (Ajaks–Holandë). Mesfushorë: STOIKA (Universitatea K.–Rumani), STERERNKOPF (Bajern–RFGJ), JORGE KUOTE (Porto – Portugali). Sulmues: BOKSIÇ (Hajduk– Jugosllavi), ZHAO PINTO (Madrilenjo– Portugali), ROI (Ajaks–Holandë).

nallbani formacioni

Sot e kësaj dite ka mbetur ky 11-sh unikal me portier shqiptarin tonë Blendi Nallbani. Një nga portierët më të mirë në historinë e futbollit shqiptar, të klubeve të tij e të Kombëtares Shqiptare. Madje me një karrierë tejet të gjatë, si pak kush.

E ka mbyllur në moshën 39-vjeçare, ç’ka do të thotë plot 23 vjet pa u ndalur dhe gjithnjë në rolin e portierit titullar. Janë 23 Kampionate të Shqipërisë të luajtura prej tij në plot 408 ndeshje! Nuk kam qëndruar indiferent, por në “Futbolli Shqiptar Magazine”, në vitin 2009 kam botuar njoftimin – lajm me okielon: “Kampionati i 71-të Kombëtar nis me një “rekord” të rrallë edhe për historinë e futbollit botëror”. Dhe me titullin:

“Blendi NALLBANI – rekordmeni absolut: 23 Kampionate të Shqipërisë!”. Edhe këtë frontespic autentik e keni bashkangjitur këtu. Siç e shihni, është një lloj skedari statistikor i 23 kampionateve të tij. Nuk kanë qenë kampionate “të ngushtë” me vetëm 10 skuadra si sot, por shumica e tyre, me nga 14, 16 e deri me 18 skuadra pjesëmarrëse. Është një biografi tejet befasuese.

Nallbani e nis me Partizanin, e vazhdon me SK Tiranën, shkon prapë te Partizani, kthehet te SK Tirana, prapë te Partizani dhe 6 vitet (Kampionatet) e fundit, e mbyll me SK Tiranën. E gjitha kjo është një histori më vete, e një stafete të pashembullt të tij, e ndërsjellë në dy klubet më të famshme të historisë së futbollit shqiptar Partizani dhe Tirana. Me të cilët ka fituar 8 tituj të Kampionit të Shqipërisë dhe 6 Kupa të Shqipërisë. Ky është Blendi Nallbani – përveç të tjerave, edhe maja rekordmene e vazhdimësisë së bujshme prej një lojtari të Kampionatit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë.

E tash, si do ta portretizonim sado pak me gjuhën teknike portierin Blendi Nallbani? Për këtë mjafton të rishohësh fragmente të ndeshjes së Londrës 1989, edhe pse të humbur 5-0, për të kuptuar talentin e tij. Trup i hijshëm, lëvizje mëse elegante, vështrim panoramik sa përpara, po aq dhe djathtas e majtas, i qetë deri aty saqë nuk ka ku shkon më, zotërim i topit natyrisht me duar, por po aq edhe me këmbë, anime apo kërcime sa të një spontaniteti po aq edhe të një parashikimi mjaft interesant të goditjeve që i vijnë. E, prap këmbëngul: të gjitha këto ai i zotëronte pra, qysh te Blendi Nallbani i paharrueshëm 17 apo 18 vjeçar i “Uemblit”.

E pakta katër pritje të tij kanë qenë prej mjeshtrash dhe golat iu shënuan krejt afër për shkak të pasimeve rrëmbyese e të rrufeshme të Linekerit me shokë, të cilët ishin futbollistët më të mirë të botës në atë kohë. Assesi nuk ia cenojnë meritën.

Për këto cilësi, ky humbës i pafat i Londrës, çuditi stadiumin “Uembli”. Sot, Blendi Nallbani i jashtë fushës së blertë, të duket se ka mbetur po ai, teksa spikat me vështrimin e tij që nuk i ndahet një buzagaz tejet tërheqës e i sinqertë.

Thjeshtësia e tij e pashoqe, nuk tronditet aspak prej kapitujve të mëdhenj të “romanit” të tij të pashlyeshëm të historisë së futbollit shqiptar. Përveç titujve të shumtë të kampionit, na ka lënë 11-shen e tij Europiane dhe rekordin famëmadh të përtej kufijve të Shqipërisë, këtë të 23 kampionateve kombëtare të tij si askush tjetër.

* Ribotimi i këtij shkrimi është i rezervuar.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"