Spektakël e gola, Apolonia dhe Kastrioti marrin pikën e parë. Bubeqi: Barazimi, rezultat i drejtë
Festival golash në stadiumin “Loni Papuçiu”. Apolonia dhe Kastrioti kanë dhuruar spektakël dhe emocione shumë të forta, pasi kanë prodhuar plot katër gola, por takimi u mbyll pa fitues. 2-2 u mbyll takimi, ku të katër golat u shënuan në pjesën e parë.
Të parët që kaluan në avantazh ishin krutanët me Kukën në minutën e 12-të, ndërsa fierakët barazuan në të 16-ën me Musa. Pas 4 minutash, miqtë kaluan në avantazh me Ajazin. Apolonia arriti të barazojë në minutën e 42-të me anë të Trifonit. Të dy ekipet ndanë pikët, të parat për këtë sezon.
Ndeshja- Loja nisi e vrullshme që në minutat e para, ku miqtë janë më kërkues dhe ushtrojnë presion në zonën fierake. Minuta 12, mesfushori Kuka gjuan mjeshtërisht një goditje dënimi, nga rreth 25 metra, dhe kalon Kastriotin në avantazh. Katër minuta më vonë, Apolonia shënon dhe vendos baraspeshën. Aksion i rrjedhshëm, që nis nga këmbët e Kofit, vazhdon në krahun tjetër te Hebeja, që gjen të lirë brenda në zonë Musën, i cili finalizon me sukses dhe 1-1. Ndeshja ka ritëm dhe në fushë luhet me dëshirë. Minuta 20, krutanët gjejnë golin e dytë.
Sulmuesi Ajazi përfiton nga një goditje këndi, duke goditur saktë me kokë,1-2. Fierakët shtojnë dozën e sulmeve, por në dy momente është portieri Puja që u mohon golin e barazimit, duke grushtuar fillimisht goditjen e Umejiegos dhe më pas të Jasinit. Minuta 42, Apolonia barazon sërish shifrat, ku Trifoni në vijën e 16-metërshit, lëshon një predhë me të majtën dhe topi përfundon në rrjetë. Në shifrat 2-2 mbyllen 45 minutat e para. Në pjesën e dytë fierakët shpërdorojnë shumë, sidomos Umejiego në dy raste. Përpjekjet për të shënuar nuk mungojnë nga të dy palët, por rrjetat nuk preken më. Sfida mbyllet në barazim 2-2. Apolonia i nisi me barazim serinë e ndeshjeve “Loni Papuçiu”, ndonëse dha shumë në fushën e lojës. Trajneri Mërgjyshi duket se ka shumë punë për të bërë në këtë sezon të dytë radhazi tek Apolonia.
Apolonia 2-2 Kastrioti
Golat: Musa 16’, Trifoni 42’ / Kuka 12’, Ajazi 20’
Apolonia: Bushi, Hebeja, Ndubuisi, S.Repaj, Asllanaj, Kofi, Topi (Kananaj 65’), Jasin (Rajmond 71’), (Culli 90+1’), Musa, Trifoni, Umejiego; (Në dispozicion: Xhemali, Rakipaj, Sulo, O.Repaj, Folorunsho, Xhebexhiu). Trajner: Artan Mërgjyshi
Kastrioti: Puja, Zuna, Krasniqi, Doseh, Musaj, Anjos (Ndreu 18’), Ymeri (Berisha 78’), Kuka, Moses (Arapi 88’), Hoxha (Kapllani 88’), Ajazi; (Në dispozicion: Jaupllari, Xhafa, Agius, Hodo, Kullaj, Biba). Trajner: Dorian Bubeqi
Kartonë të verdhë: Ndubuisi 38’, Umejiego 45’, Asllanaj 77’, Rajmond 90’ / Ndreu 55’, Zuna 62’, Ymeri 74’, Musaj 90’
Gjyqtarë: K.Shahini, H.Lisaku (Durrës), I.Cani (Tiranë)
Delegat: Bujar Pregja (Tiranë)
Vëzhgues: Sokol Avdo (Tiranë)
Trajneri i Kastriotit
Bubeqi: Barazimi, rezultat i drejtë
Pas barazimit 2-2 në Fier, trajneri i Kastriotit, Dorian Bubeqi, për “Panorama Sport” u shpreh: “E kishim parashikuar shumë të vështirë, sepse Apolonia është pretendente në këtë kategori. Jam i kënaqur me barazimin. Pika vlen shumë, por më duhet ta pranoj që duke parë rrjedhën e ndeshjes, mund edhe të kishim triumfuar. U munduam ta fitonim takimin edhe kur u barazuam për herë të dytë. Bëra zëvendësime në sulm për të shënuar golin e tretë, në njëfarë mënyre edhe për të freskuar sulmin, si dhe për të shfrytëzuar kundërsulmet. Nuk ia dolëm, megjithatë pika e marrë është e vlefshme në fund. Mendoj që rezultati është i drejtë, për atë që treguan dhe dhanë dy skuadrat në fushë.
HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"