Sporti i qitjes në zi, ndahet nga jeta “Mjeshtëri i Merituar” Ismail Kosova (Rama)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2022 | 21:55

Sporti i qitjes në zi, ndahet nga jeta “Mjeshtëri i Merituar” Ismail Kosova (Rama)

Edhe pse duket sikur është lënë në harresë, qitja ka qenë një ndër sportet që ka çuar shumë lart flamurin shqiptar në gjysmëshekullin e kaluar, ku një prej emrave që nuk do të harrohet përjetësisht është Ismail Kosova (Rama).

69619049_2452431005081842_5961713038355595264_n

Personi i parë që përfaqësoi Shqipërinë ndërkombëtarisht është shuar ditën e djeshme, në moshën 86- vjeçare (datëlindja 15 shtator 1935), duke lënë një boshllëk shumë të madh në këtë sport, por edhe mes familjarëve të tij. Ismail Rama (me këtë mbiemër njihej në ambientin sportiv), qitësi i ekipit të Dajtit dhe deri vonë trajner i tij, por edhe i Kombëtares, ishte i pari që valëviti dhe krenoi flamurin tonë.

Ai mori pjesë në Lojërat e Ganefos (Xhakartë, Indonezi, në vitin 1963), në kategorinë 10×60, në të cilën meritoi medaljen e argjendtë (vendi i dytë), por në të njëjtin vit shkëlqeu edhe në Bukuresht të Rumanisë.

Ismail Rama, së bashku me një delegacion tjetër kampionësh të qitjes, ishte gjithashtu pjesë e Lojërave Olimpike në Mynih, në vitin 1972, duke pasuruar edhe më shumë karrierën e tij, aq sa i shkoi 3 pikë larg edhe titullit botëror të periudhës. Falë të gjitha këtyre arritjeve, disa herë kampioni i Republikës u vlerësua edhe me titullin “Mjeshtër i Merituar i Sportit”. Redaksia e gazetës “Panorama Sport” i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së Ismail Kosovës (Ramës).

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"