“Stadiumi i ri do të na ndihmojë”, presidenti i Interit akuzon politikën: Nuk po e ndihmon sa duhet sportin
Presidenti i Interit, Bepe Marota ka qenë një prej të ftuarve të “Festivalit të Sportit” që po organizohet nga “Gazzetta Dello Sport” dhe ka folur për rritjen e klubit zikaltër dhe ndihmën që politika duhet t’i japë sportit. Ai mori fjalën pasi foli presidenti i Milanit.
“Dua të them që analiza e Skaronit ishte perfekte. Dua të rreshtohem përkrah saj. Unë jam një nga ata që kam shumë vite në futboll dhe i kam parë të gjitha modelet e menaxhimit. Unë dhe Skaroni jemi përfaqësues të fondeve të rëndësishëm. Dua që të vlerësoj Lotiton dhe Kairon, por futbolli është duke shkuar drejt modelit amerikan. Në Serinë A janë 10 klube me pronësi amerikane. Sa i përket temës së stadiumit klubet duhet ta shndërrojnë atë në një aset të rëndësishëm për të ardhurat. Nuk duhet të jetë si një katedrale në shkretëtirë, por si një shtëpi me dyer të hapura gjatë gjithë javës. Vitin e kaluar ne kemi arkëtuar 80 milionë euro nga stadiumi, por imagjinoni se çfarë do të ndodhte me një impiant modern”, tha Marota.
Më tej, presidenti i Interit i tërhoqi veshin politikës që e ka lënë pas dore futbollin.
“Jemi duke folur për një nga sportet më të organizuara në Itali dhe bota jonë është një fenomen social që meriton vëmendje. Duhet të dëgjohet më shumë fjala jonë dhe këtu nuk po bëj një denoncim, por thjesht një evidentim. Ne nuk jemi këtu për të kërkuar para, por duam një sistem legjislativ që të njohë botën e futbollit profesionist që është ndryshe nga ajo diletante. Ne dhe Milani kemi rritur ndjeshëm të ardhurat. Interi dy vite më parë kur shkoi në Champions arkëtoi 100 milionë euro. Të ardhurat tona variojnë dhe nuk janë fikse. Në rast se nuk shkon deri në fund të kompeticioneve humbet shumë. Imagjino të mos marrësh pjesë në Champions. Jemi përpara një sistemi që nuk na respekton sepse nuk mundet që një lojtar ta konsiderosh një punëtor të thjeshtë. Shikoni Kristiano Ronaldon për shembull, që i kushtonte Juventusit 60 milionë euro në vit. Lojtarët duhet të kenë rregulla të tjera sepse aty kostot janë të larta. Jam duke folur për fenomene që mund të sjellin në arkat e klubit miliona euro. Nëse ul kostot prej humbjeve atëherë nuk mund të jesh kompetitiv me të tjerët. Duhet të jesh fenomen për të krijuar skuadër cilësore në kushte të tilla. Të gjithë kanë nevojë për mbështetje dhe duhet që të ndryshojnë shumë gjëra”, përfundoi Marota.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"