Statistikat dhe notat e skuadrave, zbuloni formacionin më të mirë dhe më të dobët për javën e 15-të të Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2023 | 22:40

Statistikat dhe notat e skuadrave, zbuloni formacionin më të mirë dhe më të dobët për javën e 15-të të Superiores

* Javë rekord për kartonët e verdhë, me plot 26 të tillë, ndërsa pati edhe një të kuq në ndeshjen Kukësi-Teuta, ku u ndëshkua mbrojtësi Franc Lala. Interesant është fakti se në derbin e kryeqytetit, Tirana-Partizani, u ndëshkuan me të verdhë për protesta të dy trajnerët.

superiore-1

* Vetëm 8 gola në pesë ndeshje, teksa tri u shënuan në EgnatiaVllaznia. Sulmuesi i Tiranës, Florent Hasani, i cili u shpall kryegolashënues në sezonin e kaluar, me golin ndaj Partizanit, kapi të ndjerin Rafael Duamena, që kryesonte listën (9 gola).

* I vetmi ekip që ka kolonën zero në tabelën e klasifikimit sa u përket ndeshjeve të humbura në transfertë, është Egnatia kryesuese. Në të njëjtën kohë rrogozhinasit janë skuadra që ka më tepër fitore brenda dhe jashtë fushe, pikërisht nga 5 të tilla.

* Skuadra që ka më pak humbje deri më tani është Partizani, me vetëm një. Të kuqtë nuk janë mposhtur ende në fushën e tyre këtë sezon.

NOTAT E SKUADRAVE: 

EGNATIA 8 – Me hap kampioni dhe duke u rikonfirmuar bindshëm javë pas jave. Ekipi rrogozhinas mposhti Vllazninë 3-0 dhe tregoi për të sërisht, se është ndërtuar për gjëra të mëdha këtë sezon. Skuadra e drejtuar nga Edlir Tetova ka kualitete për të përballuar si duhet një kampionat, ku kërkon të fitojë për herë të parë titullin.

FORMACIONI

DINAMO 8 – Rezultati i gjashtë pozitiv radhazi me Dritan Mehmetin në stol dhe ndeshja e katër rresht pa pësuar gol. Blutë po bëjnë mirë dhe fitorja e fundit me Laçin i ngjiti në vendin e pestë, ndërsa tregoi se do të jenë në garë deri në fund për katërshen.

SKËNDERBEU 8 – Ka gjetur sulmuesin gol, i cili quhet Frenklin Ahanonu dhe vjen pas eksperiencës në Kategorinë e Parë me Turbinën. Ndaj Erzenit nigeriani zgjidhi ndeshjen me një gol tipik sulmuesi, duke bërë një lëvizje fantastike në zonë. Fitorja me shijakasit i forcon pozitat e korçarëve në katërshen e parë, duke mbajtur lart moralin.

PARTIZANI 5.5 – Barazimi në derbi është si një ngushëllim, por pjesa e parë e të kuqve ndaj Tiranës la shumë për të dëshiruar dhe ndoshta ishte 45 minutëshi më i dobët i këtyre gjashtë muajve të fundit mes kampionatit dhe Europës. Megjithatë, reagimi në pjesën e dytë ishte i duhuri dhe pas golit të “asit nën mëngë”, Albers Keko, Partizani kërkoi edhe përmbysjen, në një ndeshje ku mund të kënaqet me një pikë.

TIRANA 5.5 – Skuadra e Julian Ahmatajt luan mirë në pjesën e parë, por pasi kalon në avantazh, më pas nuk di të “vrasë” derbin, duke shpërdoruar disa raste të pastra për shënim, veçanërisht në fillim e pjesës së dytë. Në 30 minutat e fundit “fiket” si me telekomandë dhe kjo është një kambanë alarmi për anën fizike të ekipit.

KUKËSI 5.5 – Kartoni i kuq i mbrojtësit Lala i prish planet, në një ndeshje ndaj rivalit direkt, ku mund dhe duhet të pretendonte më shumë se barazimi. Mirëpo, për nga mënyra se si rrodhi loja dhe disa pritje vendimtare që bëri portieri Tafas, duhet të kënaqet me barazimin.

ME I DOBET

TEUTA 5 – Në Kukës mori një pikë, por shënimi i golit ishte sërish problem. Edhe pse luajti për gati një orë me një lojtar më shumë, nuk bëri aq sa duhet në manovrën sulmuese për të ndëshkuar Kukësin.

ERZENI 4 – Humbet në Korçë në një ndeshje ku pati shanse për të dalë me pikë. Sulmuesit nuk kishin shënjestrën e duhur për të shkuar te goli, me Zekën dhe Mihanën, që ishin larg ndeshjeve të kaluara.

LAÇI 4 – Pëson një humbje të thjeshtë ndaj Dinamos dhe mëkati më i madh është që luajti mirë, veçanërisht në pjesën e dytë, ku vendos në vështirësi kundërshtarin, por në fund nuk merr dot as 1 pikë.

VLLAZNIA 3 – Në pjesën e parë ndaj Egnatias pëson 3 gola dhe thuajse nuk ekziston në fushë. Në të dytën mundohet të ndryshojë, por më kot, pasi nuk di të shënojë. Situata te shkodranët duket alarmante!

3333

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"