Statistikat e Kupës, ja 25 përballjet mes Teutës dhe Tiranës
Në numrin e përgjithshëm të 25 ndeshjeve të derisotme për Kupat e Shqipërisë, çifti Teuta – Tirana, të gjitha përballjet e fundit (8 ndeshje), saktësisht nga viti 1994 deri në 2020, i kanë duke u përballur në majën më të lartë të Kupës, që janë finalet.
Dy duelet e para finale janë në vitin 1994. Në Durrës gjithçka mbyllet paq 0-0 dhe në Tiranë fitojnë bardhenblutë 1-0 me golin e Saimir Malkos në të 53-ën. Më 1995 është Teuta që ngre lart trofeun. Finalja u luajt me një takim në Tiranë dhe u mbyll si kohë e rregullt, ashtu dhe shtesa me barazimin pa gola 0-0. Nëpërmjet 11- metërshave Teuta fiton 4-3. Portieri durrsak Xhevahir Kapllani në këtë finale priti tre 11-metërsha dhe u bë hero i skuadrës bregdetare. Dy finale u luajtën në vitin 2000. Si e para në Durrës, ashtu dhe tjetra në kryeqytet nuk dhanë gola. Me 11-metërsha sërish me fat janë durrsakët që fitojnë 4-3. Pas një viti Tirana ngre lart trofeun ndaj Teutës duke i mundur thellë 5-0 bregdetarët në Tiranë. Tre gola i shënoi Mahir Halili dhe nga një Nevil Dede e Sokol Prenga. Finalja tjetër interesante është ajo e vitit 2005. Sërish janë durrsakët që në Elbasan arrijnë përgjatë 120′ lojë as të shënojnë e as të mos pësojnë. Por te pika e bardhë janë më të saktë dhe Teuta fiton 6-5. Finalja e fundit është e datës 2 gusht 2020. E luajtur në Elbasan dhe e fituar nga Teuta me rezultatin e pastër 2-0. Për durrsakët golat janë shënuar nga Rustem Hoxha në 2′ dhe dyfishoi shifrat 11 minuta para fundit të ndeshjes Lorenco Vila.
Kështu në 6 raste që janë takuar në finale janë durrsakët në epërsi të fitores së trofeve. Konkretisht 4:2. Paçka se në numrin e përgjithshëm të trofeve në këtë kompeticion Tirana ka katërfish më tepër Kupa të fituara (16) se sa Teuta (vetëm 4). Veçmas këtyre takimeve finale, janë edhe 17 përballje të tjera në turet e ndryshme të Kupës. E para që luhet në Durrës i përket vitit 1949. Tirana ka fituar pastër 3-0. Kalojnë 15 vite dhe sërish në Durrës për turin e parë Teuta arrin fitoren e saj të parë 2-1. Janë dy sezone të tjera radhazi ku nuk mungojnë përballjet. Në 1965-ën Tirana fiton në Durrës 2-1 ndeshjen e vetme të luajtur mes tyre. Ndërsa në 1966-ën dy ndeshjet fillimisht në Tiranë 3-0 për bardheblutë dhe më pas në Durrës barazim 2-2 kalojnë me kualifikimin e kryeqytetasve. Në vitin 1973 të dyja ndeshjet kalojnë me fitore të Tiranës 1-0 në fushën e saj dhe 3-2 në Durrës. Në 1975-ën Teuta kalon turin e parë, duke i bërë një përmbysje fantastike humbjes së parë 0-2 në Tiranë me një fitore 3-0 në kohën shtesë 2×15′. Menjëherë Tirana, një vit më pas, ia rrëmben kualifikimin durrsakëve, duke fituar në Durrës 1-0 dhe barazuar në Tiranë 1-1. Me dy fitore njëra minimale 1-0 në Durrës dhe tjetra e pastër 3-0 në Tiranë, bardheblutë kapërcejnë Teutën në turin e dytë dhe shkojnë më tej. Spektakolare ndeshjet e vitit 1992. Në Durrës fiton Teuta ndeshjen e parë 3-1, ndërsa në Tiranë arrihet barazimi 2-2. Dy takime që i përkasin vitit 2007 kanë pasur këto rezultate. 2-1 ka fituar Teuta në Durrës dhe barazim 2-2 ka dalë takimi i kthimit në Tiranë duke kapërcyer më tej në turin e tretë ekipi durrsak.
Bilanci: 25 ndeshje, 6 fitore Teuta, 8 barazime, 11 fitore Tirana, gol. 19:35 në favor të Tiranës
Rezultati i kualifikimeve: i barabartë 8:8
FATMIR EFICA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"