Statistikat e Partizanit/ Starti me humbje i kampionatit, ja sa herë ka ndodhur në epokën “Demi”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2024 | 18:40

Statistikat e Partizanit/ Starti me humbje i kampionatit, ja sa herë ka ndodhur në epokën “Demi”

Partizani e nisi edicionin e 86- të të Kategorisë Superiore me humbje, ku në shtëpi u mundën 1-0 nga Vllaznia. Nuk është hera e para kjo që i ndodh të kuqve në epokën “Demi” (2013- 2024) që e nisin kampionatin me humbje.

Partizani

Disfata me Vllazninë është pesta sa i përket premierave të kampionateve kur klubi është financuar nga presidenti Gaz Demi. Hera e parë ka qenë në premierën e sezonit 2017-2018, ku bëhej fjalë për një Partizan pompoz me trajner ish-mbrojtësin e Juves dhe kombëtares italiane, Mark Iuliano, ndërsa në bordin drejtues ishte i famshmi Luçiano Moxhi dhe Antonelo Preiti.

Partizani “allaitalian”, ndonëse ishte pritës, u mund në start nga Laçi në shifrat 2-0. Ky fillim i keq u pasua edhe në tre edicionet pasardhëse. Në sezonin 2018- 2019, në drejtimin e trajnerit Skënder Gega, të kuqtë u mundën 1-0 në Korçë nga Skënderbeu, por në fund të kampionatit rikthyen titullin kampion që mungonte prej 26 vitesh. Sezonin 2019-2020 të kuqtë e nisën me humbjen 1-0 që ua shkaktoi Kukësi në transfertë.

Ky ekip e nisi sezonin me trajnerin italian, Franko Lerda. Hera e katërt radhazi që kampionati startoi me humbje ishte në sezonin 2020-2021, ku nën drejtimin e trajnerit Ilir Daja, Partizani u mund 2-1 nga Kastrioti.

Humbja e pestë në startin e kampionatit të Partizanit të epokës “Demi” ndodhi të hënën, ku Vllaznia i mposhti 1-0 në “Arena e Demave”. Në dallim nga rastet e tjera, më 19 gusht 2024 Partizani u drejtua nga trajneri kujdestar, Arbër Abilaliaj, pasi klubi mbetet në kërkim të “timonierit” të ri.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"